Lufta e titanëve - raundi i ri

Bota

Lufta e titanëve - raundi i ri

Më: 27 gusht 2018 Në ora: 11:41
Foto ilustrim

A ka ardhur koha për një luftë të hapur tregtare mes Kinës dhe SHBA-së? Ndërsa mediat shtetërore e shpallin SHBA-në humbëse, shumë kinezë janë të shqetësuar.

SHBA vendosi përsëri tarifa doganore ndëshkuese ndaj Kinës. Këto përfshijnë dogana mbi mallrat kineze me vlerë 16 miliardë dollarë (rreth 14 miliardë euro). Ato janë pjesë e një pakete taksash doganore prej 50 miliardë dollarësh, 34 miliardë dollarë prej së cilave u vendosën për mallrat kineze në fillim të korrikut.

Pekini u përgjigj menjëherë, duke aplikuar 25 për qind taksa ndëshkuese doganore për mallra amerikane me vlerë 16 miliardë dollarë, njoftuan mediet kineze. Prandaj, Pekini është i vendosur të vazhdojë të përgjigjet me "masat e nevojshme hakmarrëse" ndaj tarifave ndëshkuese të SHBA. Veprimi i SHBA-së shkel qartë rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë (WTO), tha Ministria kineze e Tregtisë. Pekini do të ngrejë padi në OBT.

Thomas Jäger, politolog në Universitetin e Këlnit, mendon se Pekini tani po mendon me kujdes nëse reagimi ndaj raundit të parë të doganave ndëshkuese të SHBA-së, të vendosura në korrik, ishte i drejtë. Në momentin e parë reagimi qe që ne do të kundërpërgjigjemi me të njëjtën mënyrë, por tani "me sa duket Pekini po mendon nëse ky reagim qe me të vërtetë i zgjuar."

Pasiguri në radhët e popullsisë

Shumë kinezë janë të shqetësuar se si do të përfundojnë mosmarrëveshjet tregtare me SHBA-në. "Mendoj se Shtetet e Bashkuara do ta fitojnë luftën tregtare, sepse ata janë më të zhvilluar se Kina. Megjithëse Kina ka popullsi të madhe, shanset janë në anën e amerikanëve nëse fillon lufta", thotë trajneri 25-vjeçar Lin Zaishi nga qyteti gjashtëmilionësh Fuzhou në bregun juglindor të Kinës.

Menaxheri 40-vjeçar Chen Jun, i mirëkupton të dyja palët, "Unë nuk mendoj se ka ndonjë palë që duhet fajësuar, sepse të dyja palët ndjekin interesat e tyre kombëtare. Dhe qeveria e SHBA-së nën Donald. Trump duhet të marrë gjithashtu parasysh interesat e veta."

Kurse një kalimtarë kinez, i cili dëshiron të mbetet anonim thotë: "Bota nuk mund të jetojë pa SHBA-në. Shtetet e Bashkuara kanë bërë shumë për paqen botërore, ata kanë sakrifikuar shumë prej ushtarëve të tyre dhe kanë financuar më shumë para për OKB-në. Edhe në qoftë se Kina do të kishte të njëjtat burime si SHBA, vendi ynë nuk do të merrte të njëjtën përgjegjësi, sepse kinezët janë egoistë. Unë jam kinez, dhe e them sinqerisht këtë".

Image

Mediat kineze flasin për humbje të SHBA-së

Në mediat shtetërore kineze ku dominon prej kohësh tema e tarifave doganore e luftës tregtare, shprehen sot se ne fund ata që do të dalin të humbur do të jetë ekonomia amerikane dhe konsumatorët dhe punonjësit amerikanë. Fillimisht mediat mbanin një qëndrim autokritik, por tani po përsërisin parullat e udhëheqjes në Pekin se në fund më të prekurat do të jenë famijet e shtreses së mesme dhe të varfër në SHBA.

Por megjithë propagandën popullsia kineze po përgatitet për ditë të këqia. Shumë kinezë po përpiqen që t'i këmbejnë të ardhurat e tyre në dollarë, euro ose ar, edhe pse rregullat janë tepër strikte. Po ashtu në rrjetet sociale u përhapen lajme se një manaxher fondesh bankare qe kapur duke u përpjekur të largohej nga vendi me kallëpë ari disakilogramësh dhe kjo e ka nxitur edhe me tepër frikën. 

Qeveria kineze ka urdhëruar ndërkohë bankat që të lejojnë pa kontroll tërheqje devizash deri në vlerën maksimale 5000 USD. Kush do të tërheqë më tepër duhet t'i tregojë bankës se përse i duhen urgjentisht kaq shumë para. Por zyrtarisht dhe me shkrim një urdhëresë e tillë nuk ekziston.  

Image

Luftë me frikën

"Lufta tregtare ka shkaktuar vërtet shqetësim tek popullsia", thotë Huang Weiping nga Universiteti Renmin në Pekin. Profesori i ekonomisë i sheh tarifat doganore ndëshkuese amerikane mbi të gjitha si mjet lufte psikologjike: "Në luftën tregtare midis SHBA-së dhe Kinës, efektet psikologjike janë më të mëdha se efektet reale. Ndonëse frika në mesin e popullatës është vërtetë e pranishme, ndikimi në ekonominë reale është minimal ". Doganat ndëshkuese të vendosura nga Donald Trumpi janë më të ulëta se vlera e shitjeve të pasurive të patundshme në një qytet të mesëm kinez, thotë Huang Weiping. "Kjo nuk është çështje parash.Frikat e njerëzve janë problemi më i madh për ekonominë kineze," vëren ekonomisti.

Ren Zeping, analist ekonomik, mendon si shumë kinezë se ende nuk ka ardhur koha për një luftë të hapur mes Kinës dhe SHBA-së.  "Para luftës tregtare midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, në vendin tonë  kishte një tendencë mbivlerësimi dhe vetëbesimi". Konflikti aktual nuk ka shkaktuar asgjë tjetër, vetëm se një kthim tek arsyeja. "Ne duhet të pranojmë qartë se Kina ende ka shumë për të bërë përsa u përket inovacioneve, shërbimeve financiare, arsimit, teknologjive bazë dhe ushtrisë", mendon ai.

Ndërkohë, shumë vendimmarrës në rrethin e ngushtë të udhëheqjes së partisë duhet ta kennë të qartë: konflikti i tanishëm me Shtetet e Bashkuara dhe rezistenca më e madhe ndaj blerjeve strategjike në Evropë, janë qëllime të caktuara të strategjisë ambicioze "Made in China" që nuk mund të realizohen më në kohë, thotë Thomas Jäger. "Por kjo pritet të ndryshojë deri në ditën e qindvjetorit të Republikës Popullore në tetor 2049. Se deri atëhere Kina dëshiron të jetë jo vetëm në një nivel me SHBA-në, por të dominojë teknologjitë kyçe të ekonomisë globale"./dw

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat