SHBA akuzon Rusinë për shkelje të rregullave të OBT-së

Bota

SHBA akuzon Rusinë për shkelje të rregullave të OBT-së

Më: 29 gusht 2018 Në ora: 20:20
Selia e OBT-së në Gjenevë

Shtetet e Bashkuara akuzuan Rusinë për shkelje të rregullave të Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT), duke vënë tarifa në hakmarrje ndaj taksave amerikane që kanë prekur aluminin dhe çelikun rus.

Në ankesën drejtuar OBT-së thuhet se Rusia i aplikon tarifat vetëm ndaj prodhimeve amerikane dhe jo të vendeve të tjera.

Në të po ashtu thuhet se tarifat ruse tejkalojnë maksimumin e lejuar me kushtet e anëtarësimit në OBT.

Ankesa përcillet me një periudhë 60 ditëshe të konsultimeve, që u mundëson palëve të zgjidhin mosmarrëveshjen në mënyrë të dyanshme.

Nëse nuk arrihet marrëveshje, SHBA mund t'i kërkojë OBT-së të vendosë në lidhje me çështjen.

Uashingtoni ka vënë tarifa 25% në importet e çelikut dhe 10% në ato të aluminit në muajin mars, duke thënë se janë në interes të sigurisë kombëtare.

Tarifat kanë goditur më së shumti Kinën, por kanë prekur edhe vende të tjera, përfshirë Rusinë.

Agjencia ruse e lajmeve TASS citoi zëdhënësin e Kremlinit, Dmitry Peskov, të ketë thënë se Moska mund të përdorë një "gamë të gjerë" të kundërargumenteve për të mbrojtur veten në OBT.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat