Rusia zhvillon manovrat më të mëdha ushtarake që nga Lufta e Ftohtë - Bota Sot
Rusia zhvillon manovrat më të mëdha ushtarake që nga Lufta e Ftohtë

Bota

E premte, 16 nëntor 2018

Rusia zhvillon manovrat më të mëdha ushtarake që nga Lufta e Ftohtë

Më: 14 shtator 2018 Në ora: 19:17
Vladimir Putin

Rusia po zhvillon manovrat më të mëdha ushtarake që nga Lufta e Ftohtë. Në stërvitjet e tanishme, të njohura me emrin Vostok-18, për herë të parë janë ftuar kontingjente nga Kina dhe Mongolia. Manovrat zhvillohen në një kohë kur marrëdhëniet midis Moskës dhe Perëndimit vazhdojnë të përkeqësohen dhe lufta tregtare ndërmjet Pekinit dhe Uashingtonit vazhdon të thellohet. Pra, a a do të ketë një aleancë të re që po formohet për të sfiduar Perëndimin?

Edhe për një vend me madhësinë e Rusisë, shkalla e stërvitjeve Vostok-18 është e jashtëzakonshme. Tridhjetë e gjashtë mijë tanke dhe rreth treqind mijë trupa ruse, një e treta e personelit ushtarak të vendit, marrin pjesë në manovra në hapësirat e gjera të Siberisë lindore.

Qielli patrullohet nga një mijë avionë. Në Oqeanet e Arktikut dhe Paqësorit, tetëdhjetë anije luftarake ruse simulojnë beteja dhe kryejnë stërvitje zbarkimi.

Për herë të parë Kina po merr pjesë me rreth tre mijë trupa. Mongolia gjithashtu ka dërguar një kontigjent. Në terren të enjten ishte Presidenti rus Vladimir Putin:

"Dua t’ju përcjell një falënderim të veçantë juve, forcave të armatosura të Republikës Popullore të Kinës dhe Mongolisë. Ne jemi bashkëluftëtarë dhe kjo është një traditë e vjetër dhe e fortë".

Edhe pse një cep i largët i botës, stërvitjet këtu kanë një rezonancë globale.

"Përveçse po i tregon Perëndimit se ka aleancë me Kinën, ky është gjithashtu një rast që Rusia të tregojë atë që ka mësuar nga ndërhyrjet e saj ushtarake, për shembull në Siri, ose në Ukrainën lindore", thotë Emily Ferris e Institutit “Shërbimet e Bashkuara Mbretërore”.

Ndërhyrja e Rusisë në Ukrainë i shtyu Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj të vendosnin sanksione ndaj Moskës.

"Sanksionet perëndimore kanë dëmtuar aftësinë e Rusisë për të marrë, për shembull, komponentë ushtarake nga partnerët e saj perëndimorë, dhe kështu prej 10 vjetësh ushtria e Rusisë po kalon nëpër një rinovim dhe përmirësim. Rusisë do t’i duhet të gjejë partnerë alternativë," thotë Ferris.

Manovrat përkojnë me Forumin Ekonomik Lindor në Vladivostok. Tani që Kina është e angazhuar në një luftë tregtare me Shtetet e Bashkuara, analistët thonë se Moska po zbulon një mundësi për të thelluar marrëdhëniet me Pekinin.

“Politikisht, ata po afrohen shumë. Ekonomikisht, tregtia ruso-kineze po lulëzon kur llojet e tjera të tregtisë, sidomos në Rusi, nuk po lulëzojnë fare dhe, natyrisht, tani ushtarakisht po veprojnë së bashku si shokë armësh në lojëra ushtarake që kanë në shënjestër kryesisht Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre," thotë analisti ushtarak rus Pavel Fegenhauer.

Në parullat për manovrat e përbashkëta shkruhet: “Miqësi për paqe”. Megjithatë, tensionet nuk mungojnë.

"Sidomos nisma kineze ‘Një rrip, një rrugë’ e anashkalon Rusinë, veçanërisht sepse Kina është mjaft e interesuar për vende si Ukraina apo Bjellorusia dhe përdor infrastrukturën e tyre si një portë për në Evropë. Mendoj se Rusia ka mjaft dyshime për atë që po planifikon Kina," thotë Ferris.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Jim Mattis u tha gazetarëve të martën se në vështrimin afatgjatë ai sheh pak gjëra që bashkojnë Rusinë dhe Kinën.

Manovrat ushtarake vijnë në klimën e kërcënimeve nga Uashingtoni për më shumë sanksione kundër Rusisë nëse ajo kryen një sulm ndaj Idlibit, zonës së fundit të mbajtur nga kryengritësit në Siri. Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar për një masakër të mundshme ndaj civilëve./VOA

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test