A dëshiron Turqia të orientohet sërish drejt Perëndimit?

Bota

A dëshiron Turqia të orientohet sërish drejt Perëndimit?

Më: 13 tetor 2018 Në ora: 19:46
Doga Eralp

Ekspertët thonë se lirimi i pastorit amerikan Andrew Brunson mund të shikohet si pjesë e një rikalibrimi të politikës së jashtme të Turqisë, e cila po përpiqet të riparojë marrëdhënien me Shtetet e Bashkuara dhe rrjedhimisht të riafrohet me Perëndimin.

Ekspertët thonë se lirimi i pastorit amerikan Andrew Brunson është tregues se politika e jashtme e Turqisë po i rikthehet preferencës së Perëndimit.

“Mund ta shikojmë këtë zhvillim si pjesë e rikalibrimit drejt Perëndimit të politikës së jashtme të Turqisë. Një ndër shtyllat e këtij riorientimi është riparimi i marrëdhënies me Shtetet e Bashkuara. Ky është vetëm një ndër hapat e shumtë që mund të ndërmarrë Turqia. Sigurisht që lirimi i pastorit Brunson kishte kohë që përgatitej dhe e pamë rezultatin vetëm tani. Mendoj se Turqia mund ta përdorë lirimin e tij për të marrë ndonjë kompromis nga SHBA-ja për prezencën turke në Sirinë veriore”, thotë Doga Eralp, i cili jep mësim në Shkollën e Shërbimit Ndërkombëtar të Universitetit Amerikan.

Për sa i përket provave që ishin paraqitur fillimisht kundër pastorit Brunson, zoti Eralp thotë se ato ishin të sajuara.

“Po të shikoni provat e paraqitura, janë të gjitha sajesa. Të gjitha deklaratat e mëparshme u ndryshuan; thanë se ishin keqkuptuar dhe se ishin gabim. Edhe vetë prokurori deklaroi se nuk kishte më asnjë arsye për ta mbajtur nën arrest shtëpie pastorin”, thotë zoti Eralp.

Pastori 50-vjeçar, i cili banonte në Turqi për mbi dy dekada, u arrestua dy vite më parë me akuza spiunazhi dhe lidhjesh me rrjetin e klerikut Fethullah Gulen, si dhe Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit. Zoti Gulen, rezident në Shtetet e Bashkuara, vazhdon të akuzohet si ideatori i grushtit të shtetit në Turqi në muajin korrik 2016, kur u vranë 250 persona./voa

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat