Zhdukja e Khashoggit dhe liria e shtypit - Bota Sot
Zhdukja e Khashoggit dhe liria e shtypit

Bota

E martë, 13 nëntor 2018

Zhdukja e Khashoggit dhe liria e shtypit

Më: 19 tetor 2018 Në ora: 18:26
Jamal Khashoggi

Zhdukja e gazetarit Jamal Khashoggi pas hyrjes në konsullatën saudite në Stamboll ku mendohet se u vra, ka intensifikuar debatin mbi lirinë e shtypit dhe sigurinë e gazetarëve në botë. Këto tema janë në qendër të intervistave me punonjës të shtypit dhe zëvendës drejtorin ekzekutiv të Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve që zhvilloi këtë javë gazetarja Gretta Van Susteren në edicionin e radhës të emisionit Plugged In.

Zhdukja e gazetarit saudit që mendohet se përfundoi me vrasjen e tij ka rezultuar në një mobilizim global me thirrjet për ndriçimin e fatit të tij.

Gazetari Jamal Khashoggi u pa për herë të fundit dy javë më parë duke u futur në konsullatën saudite në Stamboll.

Jason Rezaian, koleg i Jamal Khashoggit u burgos në Iran për afro dy vjet para se të lirohej në 2016. Ai thotë se janë intensifuar përndjekjet ndaj gazetarëve, duke sinjalizuar një periudhë të rrezikshme për shtypin:

“Po shohim gjithnjë e më shumë gazetarë të arrestuar, të përndjekur, të vrarë, shpesh në vende aleate të Amerikës, në vende demokratike. Ky problem nuk ishte kaq i përhapur në të kaluarën. Është një problem në rritje dhe Shtetet e Bashkuara duhet të pozicionohen qartë mbi nevojën për të mbrojtur lirinë e shtypit. Por kjo s’po ndodh”.

Sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, numri i gazetarëve të burgosur për punën që bëjnë arriti nivele rekord në 2017. Turqia, Kina dhe Egjipti përfaqësojnë rastet më ekstreme.

Organizata njofton gjithashtu se brenda këtij viti, 44 gazetarë në shkallë globale janë vrarë në detyrë. Vendet në konflikt, megjithëse një mjedis i rrezikshëm për gazetarët, nuk janë kërcënimi i vetëm ndaj lirisë së shtypit, thotë shefja e zyrës së Zërit të Amerikës në Islamabad, Ayesha Tanzeem:

“Sidomos në Pakistan e Afganistan, rrëmbimet përbëjnë kërcënim të madh. Gazetarët nuk rrëmbehen vetëm nga ISIS apo Talibanët, por edhe nga elementët kriminalë pasi i shohin gazetarët si burim të ardhurash, i mbajnë peng për pagesë. Nëse nuk nxjerrin para menjëherë nga gazetari, ia dorëzojnë talebanëve, të cilët më pas kërkojnë shpërblim ose shkëmbim pengjesh”.

Me intensifikimin e rreziqeve ndaj gazetarëve, ekspertët thonë se duhet t’i kushtohet vëmendje ndëshkimit të autorëve të këtyre akteve:

“Si në rastin kur hidhet në erë makina e një gazetareje në Maltë, ose në këtë rast kur dyshojmë se një gazetar saudit është masakruar brenda një misioni diplomatik. Të gjitha këto kërkojnë një proces transparent hetimor. Për shembull në rastin e Khashoggit, duhet ta bëjmë të qartë se autoritetet përgjegjëse nuk mund t’i shpëtojnë drejtësisë, nuk mund të krijojnë këtë shembull të rrezikshëm ku jeta e gazetarit është e pavlerë,” thotë Rob Mahoney i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve.

Sipas organizatës monitoruese Freedom House, liria e shtypit në shkallë globale ra në pikën më të ulët në 10 vjet. Vetëm 13% e popullatës në botë jetën në një vend ku shtypi është vërtetë i lirë./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test