Parlamenti Europian ndalon plastikën njëpërdorimshe

Bota

Parlamenti Europian ndalon plastikën njëpërdorimshe

Më: 25 tetor 2018 Në ora: 11:56
Sipas propozimit të miratuar nga Parlamenti Europian, 10 produkte plastike njëpërdorimshe do të ndalohen deri në vitin 2021.

Parlamenti Europian ka vendosur të ndalojë një seri sendesh plastike njëpërdorimshe, si pipat plastike, pastruesit e veshëve dhe serviset plastike, e të garantojë që sa më shumë shishe plastike të riciklohen, në një përpjekje për të reduktuar ndotjen e deteve.

Sipas propozimit të miratuar nga Parlamenti Europian, 10 produkte plastike njëpërdorimshe do të ndalohen deri në vitin 2021 dhe shtetet anëtare të BE-së janë të detyruara të riciklojnë 90 për qind të shisheve plastike deri në vitin 2025.

Pas votimit, që përfundoi me 571 vota pro dhe 53 kundër, anëtarët e Parlamentit Europian që propozuan ligjin folën për një fitore për oqeanet, ambientin dhe brezat e ardhshme.

Komisioni Europian e propozoi masën në maj. Ajo tani do të duhet të miratohet edhe nga vendet anëtare, pas negociatave, që shpresohet se do të jenë të suksesshme.

Kina ndaloi vitin e kaluar importin e 24 varieteteve të mbetjeve solide, përfshirë ato plastike dhe të letrës së pariciklueshme, duke vënë nën presion Europën, që edhe ajo të përballet me mbetjet e saj.

Sipas Forumit Ekonomik Botëror, më shumë se 150 milionë ton plastikë gjenden në detet e botës. Një studim i publikuar pak vite më parë sugjeronte se, 5 deri në 13 milionë ton më shumë derdhen në dete çdo vit. Sipas kërkimeve, deri në vitin 2050 në oqeanet e botës do të ketë më shumë plastikë sesa peshq, gjë që ka bërë që politikëbërësit, individët dhe shoqëritë të marrin masa.

Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat