Pakistan: Vazhdojnë protestat kundër lirimit të pakistanezes së krishterë

Bota

Pakistan: Vazhdojnë protestat kundër lirimit të pakistanezes së krishterë

Më: 2 nëntor 2018 Në ora: 09:55
Protesta në Pakistan kundër lirimit të gruas së krishterë, Asia Bibi.

Islamistët e linjës së ashpër kanë bllokuar rrugët në qytetet kryesore të Pakistanit për ditën e tretë me radhë, në shenjë proteste kundër lirimit të gruas së krishterë, Asia Bibi, e cila ishte dënuar më parë për blasfemi.

Partia Tehrik-e Labaik Pakistan (TLP) ka thënë të kenë dështuar negociatat me zyrtarë qeveritarë dhe u ka bërë thirrje mbështetësve të saj të bëhen gati për t’u përballur me policinë.

“Bisedimet kanë dështuar plotësisht, përfaqësuesit federalë dhe ata provincialë kanë qenë pjesë e takimeve”, ka thënë lideri i kësaj partie, Khadim Hussain Rizvi, përmes një postimi në Twitter më 2 nëntor.

“Qeveria na ka paralajmëruar ‘ne do t’iu japim fund juve’”, ka thënë Rizvi.

Në një transmetim televiziv në orët e vona të 1 nëntorit, kryeministri pakistanez, Imran Khan ka paralajmëruar protestuesit se Qeveria mund të ndërhyjë nëse vazhdohet bllokada.

“Nuk do të lejojmë kryerjen e dëmeve. Nuk do të lejojmë bllokimin e trafikut”, ka thënë ai.

“Po u bëj thirrje, mos e dërgoni shtetin në një pozitë që duhet vepruar”.

Megjithatë protestuesit nga kjo parti kanë bllokuar rrugët në qytetet Karaçi dhe Lahore.

Protestuesit janë duke kundërshtuar vendimin e Gjykatës Supreme të Pakistanit më 31 tetor, për të liruar Bibin, nënën e katër fëmijëve, e cila ka qenë duke jetuar në listë të pritjes për ekzekutim nga viti 2010.

Ajo ka qenë gruaja e parë e dënuar me varje, nën ligjet e ashpra të Pakistanit për blasfemi.

Bibi është akuzuar për deklarata fyese për Islamin pasi fqinjtë i kanë ndaluar pirjen e ujit nga gota e tyre për shkak se ajo nuk është myslimane.

Mirëpo paneli prej tre gjyqtarëve ka marrë vendim që faktet për këtë rast kanë qenë të pamjaftueshme.

Ajo aktualisht gjendet në lokacion të panjohur për shkaqe të sigurisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat