39 vite pas sulmit në ambasadë, iranianët tubim kundër SHBA

Bota

39 vite pas sulmit në ambasadë, iranianët tubim kundër SHBA

Më: 4 nëntor 2018 Në ora: 18:06
Foto

Irani e shënoi me një tubim masiv përvjetorin e mësymjes së ambasadës amerikane dhe pengmarrjeve atje në 1979-tën. Këtë vit, eventi kishte një domethënie të veçantë, për shkak se grumbullimi masiv i njerëzve erdhi në vigjiljen e ripërtëritjes së sanksioneve të Uashingtonit mbi republikën islamike.

Mjëra persona kanë dalë nëpër rrugët e Teheranit dhe qyteteve të tjera me në duar pankarta tallëse për presidentin Donald Trump; disa prej tyre kanë fshirë këmbët me dollarë amerikane false e të tjerë janë angazhuar si përherë në atë që është kthyer tashmë në ritual: djegien e flamurit Amerikan.

39-vjetori i ngjarjes përkoi këtë radhë me rivendosjen e sanksioneve amerikane që përfshijnë edhe një embargo mbi naftën e konsideruar jetike për ekonominë vendase. Masat e fundit shtrënguese pasojnë tërheqjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga marrëveshja bërthamore e 2015-tës me Iranin.

Komandanti i Gardës Revolucionare Mohammad Ali Jafari, e përshkroi luftën ekonomike si përpjekjen e fundit të Uashingtonit për të përmbysur regjimin në republikën islamike.

“Me ndihmën e Zotit dhe rezistencën e këmbënguljen e popullit revolucionar të Iranit, edhe kjo armë e fundit e armikut, lufta ekonomike, do të dështoje. Presidenti amerikan duhet ta dije se kurrë nuk duhet ta kërcënojë Iranin”, u shpreh Mohammad Ali Jafari, komandant i Gardës revolucionare.

Marrja e ambasadës së SHBA nga studentët radikale ishte një prej momenteve kyçe të revolucionit islamik të 79-tës çka çoi drejt një krize 444 ditore, e cila i dëmtoi përgjithmonë marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Teheranit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat