Presidenti Trump shkon në Francë për të shënuar 100 vjetorin e Luftës së Parë Botërore - Bota Sot
Presidenti Trump shkon në Francë për të shënuar 100 vjetorin e Luftës së Parë Botërore

Bota

Presidenti Trump shkon në Francë për të shënuar 100 vjetorin e Luftës së Parë Botërore

Më: 9 nëntor 2018 Në ora: 22:35
Presidenti Trump

Presidenti Donald Trump do të shkojë në Francë këtë fundjavë së bashku me dhjetra udhëheqës të tjerë botërorë për të marrë pjesë në ceremonitë me rastin e 100 vjetorit të armëpushimit, që i dha fund Luftës së Parë Botërore. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell, marrëdhëniet mes Amerikës dhe aleatëve të saj janë të tensionuara - dhe Franca madje ka paralajmëruar se klima e tanishme gjeopolitike të kujton periudhën para luftërave botërore.

Duke vizituar vendet e betejave të dikurshme këtë javë, presidenti francez Emmanuel Macron paralajmëroi për kërcënimet aktuale ndaj kontinentit - duke i thënë radios franceze se Evropa duhet të krijojë ushtrinë e vet.

"Ne duhet të mbrojmë veten nga Kina, nga Rusia dhe madje edhe nga Shtetet e Bashkuara".

Zyrtarët francezë thanë se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara nuk do të ndikohen nga humbja e kontrollit të Dhomës së Përfaqësuesve nga partia republikane në zgjedhjet e mes-mandatit.

Presidenti amerikan do të zhvillojë bisedime me presidentin Macron të shtunën. Nuk është e qartë nëse do të realizohet një takim i përfolur mes Trumpit dhe homologut të tij rus Vladimir Putin.

Presidenti Trump më vonë do të vizitojë Belleau Wood, skenën e një prej betejave më të ashpra të zhvilluara nga trupat amerikane.

1,811 ushtarë amerikanë u vranë ndërsa sulmuan pozicionet gjermane. Pjesa më e madhe e luftimeve u bë trup me trup. Pas më shumë se tre javë luftimesh, trupat amerikane morën Belleau Wood-in më 26 qershor të vitit 1918.

"Ata ndeshën me zjarrin e furishëm të armikut. Në vend që të sprapseshin, në vend që të tërhiqeshin, gjë që në kohën e luftës do të kishte qenë normale për trupat dhe të prisnin artilerinë t'i përforconte, ata u hodhën në sulm”, thotë historiani francez Jean-Michel Steg.

Deri në fund të luftës, mbi 116 mijë trupa amerikane gjetën vdekjen duke mbrojtur Evropën. Njëqind vjet më vonë, lidhjet transatlantike janë të tensionuara - por aleanca vazhdon.

"Marrëdhëniet mes këtyre fuqive, nuk janë gjithmonë të lehta. Dhe ka arsye për këtë. Por kur vjen këtu, mes njerëzve në këto fshatra, ata kujtojnë me një respekt të madh ushtarët amerikanë", thotë Bruce J. Malone Jr, në varrezat ushtarake amerikane në Meuse-Argonne..

Muzeu "Romagne 14-18" aty pranë përshkruan jetën e ushtarëve në vijën e frontit, përmes ekspozimit të mijëra sendeve të gjetura nga fushat e betejës.

"Ajo që përpiqem t’u tregojë vizitorëve në këtë muze është se poshtë këtyre helmetave, janë të gjithë njësoj, të gjithë njerëz", thotë Jean-Paul De Vries, pronar i këtij muzeu.

40 milionë njerëz, nga të gjitha palët në konflikt, humbën jetën. Ata do të kujtohen të dielën në ceremoninë e Ditës së Armëpushimit në Arkun e Triumfit të Parisit, ku do të marrin pjesë dhjetra udhëheqës botërorë.

Presidenti Trump më vonë do të marrë pjesë në një ceremoni të veçantë për Ditën e Veteranëve në një varrezë amerikane./voa

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat