Operacioni sekret izraelit shkoi keq, detyroi Netanyahun të linte Parisin

Bota

Operacioni sekret izraelit shkoi keq, detyroi Netanyahun të linte Parisin

Më: 12 nëntor 2018 Në ora: 11:14
Izrael

Një përplasje e papritur që mbi nga hiçi, gjatë një operacioni të forcave speciale izraelite në Rripin e Gazës, ku mbetën të vdekur 8 persona, kërcënoi ditën e diel të pengonte përpjekjet për të rikthyer qetësinë në enklavën palestineze pas muajsh të tërë trazirash.

Mes viktimave të incidentit të orëve të vona të së dielës ishte edhe një oficer ushtarak izraelit, si dhe një komandant lokal i krahut të armatosur të Hamasit.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ndërpreu papritur udhëtimin e tij në Paris për të nxituar të kthehej në vendin hebre pas rritjes së tensioneve.

Sirenat, ndërkohë, u dëgjuan në pjesën jugore të Izraelit gjatë orëve të para të kësaj të hëne, të cilat sinjalizuan lëshimin e raketave nga Rripi i Gazës. Ushtria izraelite identifikoi 17 raketa të hedhura në drejtim të territorit të vendit, 3 prej të cilave u shkatërruan nga sistemet e mbrojtjes antiajrore. Sa u përket të tjerave, nuk thuhet se ku kanë rënë, por deri më tani nuk raportohet për të plagosur.

Edhe pse përplasja kërcënoi të trazonte përpjekjet për t’u dhënë fund trazirave në kufirin mes Gazës dhe Izraelit, qetësia u rikthye të hënën, ndërsa Izraeli shpjegoi se operacioni i tij ishte mision për mbledhje informacionesh nga shërbimet sekrete dhe jo një operacion “rrëmbimi” apo “vrasjeje”.

Deklarata e dhënë nga zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Ronen Manelis, tregon se misioni nuk shkoi siç ishte planifikuar, ndaj rezultoi në përplasje, gjatë së cilës burime palestineze të sigurisë thonë se pati edhe sulme ajrore izraelite.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat