UNHCR kërkon veprime për pasjen e shtetësisë për miliona njerëz pa shtetësi

Bota

UNHCR kërkon veprime për pasjen e shtetësisë për miliona njerëz pa shtetësi

Më: 13 nëntor 2018 Në ora: 17:06
UNHCR

Katër vite pas lansimit të fushatës dhjetëvjeçare për zhdukjen e pashtetësisë në nivel global, UNHCR, Agjencia e OKB-së për refugjatët, sot u bëri thirrje shteteve që të ndërmarrin veprime më të shpejta dhe më të vendosura për të ndihmuar në përmbushjen e qëllimit të fushatës.

Që nga nëntori i vitit 2014, kur edhe filloi fushata #IBelong (unë përkas) e UNHCR-së, janë arritur rezultate të rëndësishme. 

Më shumë se 166,000 njerëz pa shtetësi kanë fituar ose kanë konfirmuar shtetësinë e tyre, 20 shtete kanë aderuar në Konventën e pa shtetësisë, duke e çuar kështu në 91 numrin e përgjithshëm të palëve në Konventën për Statusin e Personave pa Shtetësi të vitit 1954 dhe në 73 në Konventën mbi Reduktimin e pa shtetësisë të vitit 1961.

Nëntë shtete kanë krijuar ose përmirësuar procedurat e përcaktimit të pa shtetësisë, gjashtë shtete kanë reformuar ligjet e tyre të kombësisë dhe dy të tjera kanë eliminuar diskriminimin gjinor që parandalonte nënat t'ua kalojnë kombësinë fëmijëve të tyre. Planet kombëtare për t'i dhënë fund pa shtetësisë janë miratuar zyrtarisht në nëntë vende.

Megjithatë, përkundër këtyre arritjeve, ende miliona njerëz mbeten pa shtetësi. Shumica prej tyre gjenden në shtetet e Azisë dhe të Afrikës. Është e vështirë të përcaktohet saktësisht sa persona janë pa shtetësi ose në rrezik të pa shtetësisë në mbarë botën.

Në vitin 2017, përafërsisht 70 vende raportuan 3.9 milionë persona pa shtetësi. Por, UNHCR vlerëson se kjo është vetëm një pjesë e numrit të përgjithshëm - numri i vërtetë mund të jetë shumë më i madh.

''Sot, u bëj thirrje politikanëve, qeverive dhe ligjvënësve anembanë botës të veprojnë tani, të ndërmarrin dhe mbështesin veprime vendimtare për të eliminuar pa shtetësinë në nivel global deri në vitin 2024'', tha Komisionari i Lartë i OKB-së për Refugjatët, Filippo Grandi.

Sipas tij, personat pa shtetësi ende përballen me pengesa të mëdha në ushtrimin e të drejtave themelore të njeriut.

Vetëm 25 vende anembanë botës ende mbajnë diskriminimin gjinor në ligjet e tyre të kombësisë, që parandalon nënat t'ua kalojnë kombësinë fëmijëve të tyre në baza të barabarta si burrat - Madagaskari dhe Sierra Leone janë vendet më të fundit që i ndryshuan këto ligje.

Me qëllim të ngritjes së kapacitetit të parlamenteve dhe ligjvënësve që në mënyrë efektive të parandalojnë dhe reduktojnë pashtetësinë si dhe të identifikojnë dhe mbrojnë personat pa shtetësi, UNHCR, në bashkëpunim me Unionin Ndërkombëtar të Parlamenteve, është duke publikuar doracakun e ri mbi ''Praktikat e Mira në Ligjet Kombëtare për Parandalimin dhe Reduktimin e pa shtetësisë''.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat