Ushtria amerikane "mund të humbasë" një luftë me Rusinë ose Kinën

Bota

Ushtria amerikane "mund të humbasë" një luftë me Rusinë ose Kinën

Më: 14 nëntor 2018 Në ora: 20:35
Ilustrim

Ushtria e Shteteve të Bashkuara "ka humbur epërsinë" e saj dhe potencialisht mund të humbasë luftën kundër Rusisë ose Kinës, thuhet në një raport të një paneli dypartiak, të themeluar nga Kongresi amerikan.

Raporti i Komisionit të Strategjisë Kombëtare të Mbrojtjes vlerëson se epërsia ushtarake e SHBA-së "është gërryer në një shkallë të rrezikshme" dhe se ajo "mund të pësojë viktima të mëdha në një konflikt të ardhshëm".

Përveç Rusisë dhe Kinës, raporti përmend si kërcënime të reja edhe Iranin dhe Korenë e Veriut.

Komisioni u krijua nga Kongresi në vitin 2017 për të vlerësuar Strategjinë Kombëtare të Mbrojtjes të administratës së presidentit amerikan, Donald Trump.

Ai përbëhet nga 12 ish-zyrtarë të lartë republikanë dhe demokratë.

Raportet e Kongresit dhe studime të tjera shpesh paralajmërojnë për vështirësitë dhe mangësitë që has ushtria amerikane, por raporti i fundit mund të ngrejë shqetësime në Uashington, duke pasur parasysh natyrën dypartiake të komisionit.

Trump ka urdhëruar një riorganizim të madh të ushtrisë amerikane dhe ka propozuar miliarda dollarë shtesë për të ndihmuar zgjerimin e saj dhe për të konkurruar me Rusinë dhe Kinën.

Komisioni tha se pajtohet me qëllimet e strategjisë, por paralajmëroi se Uashingtoni nuk po bën hapa për zbatimin e saj.

"Shtetet e Bashkuara janë veçanërisht në rrezik, nëse ushtria e tyre detyrohet të luftojë në dy ose më shumë fronte në të njëjtën kohë", thuhet në raport.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat