Analizë mbi tregtinë SHBA-Kinë

Bota

Analizë mbi tregtinë SHBA-Kinë

Më: 8 dhjetor 2018 Në ora: 08:49
Foto ilustrim

Zyrtarët e lartë të Shtëpisë së Bardhë po vazhdojnë të mbajnënjë qëndrim të ashpër në bisedimet e tregtisë SHBA-Kinë, edhe pas arrestimit të një zyrtareje ekzekutive të një firme teknologjie kineze, që disa shqetësohen se mund të prishë një armëpushim tregtar midis Uashingtonit dhe Pekinit.

Në një intervistë me Zërit të Amerikës, këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për tregtinë dhe ekonominë, Peter Navarro, në mënyrë të përsëritur refuzoi të komentojë mbi të dhënat për arrestimin e Meng Wanzhou, shefe e financave e firmës Huawei, kompani e cila është në qëndër të tensioneve tregtare midis SHBA dhe Kinës .

Por zoti Navarro tha se administrata Trump "po kërkon, dhe nuk po lutet" që Kina të bëjë ndryshime thelbësore në ekonominë e saj.

"Ajo që ne po kërkojmë është që Kina të respektojë rregullatndërkombëtare dhe të bëhet një aktor i drejtë në tregtinë ndërkombëtare", tha zoti Navarro. "Dhe me siguri kjo do të kërkojë një ristrukturim të modelit që tani është i bazuar në ndërmarrjet shtetërore, proteksionizmin, dhe merkantilizmin".

Peter Navarro mbetet optimist se SHBA dhe Kina do të jenë në gjendje të arrijnë një marrëveshje para 90 ditëve, pas të cilave presidenti Donald Trump ka thënë se do të zgjerojë tarifat mbi importet kineze. Por ai gjithashtu tha se Kina ka një "histori shumë të gjatë" për mosmbatjen e premtimeve në fushën tregtare.

"Këto do të jenë një negociata të vështira. Problemi më i madh do të jetë aftësia për të verifikuar në të vërtetë gjërat, sesa thjesht për t’iu besuar, siç ka ndodhur më parë”,tha zoti Navarro.

Arrestimi i Huaweit

Zonja Meng u arrestua në Kanada me kërkesë të autoriteteve amerikane, në të njëjtën ditë që zyrtarët amerikanë dhe kinezë mbajtën bisedime në G-20 në Argjentinë, që rezultoi në armëpushimin tre mujor.

Arrestimi, i cili u njoftua për herë të parë të mërkurën vonë, ngriti shqetësime se armëpushimi tregtar mund të prishej. Tregjet financiare u mbyllën me ulje në Azi dhe ranë më parë gjatë ditës në Wall Street pas lajmit, megjithëse lajmi përkoi më së shumti me mbylljen ditore të tregjeve.

Firma Huawei, e cila shet më shumë telefona inteligjentë se sa firma Apple, është parë nga shumë njerëz si një kërcënim për sigurinë kombëtare dhe privatësinë, për shkak të lidhjeve të ngushta me qeverinë kineze. Zyrtarët amerikanë dhe kanadezë nuk kanë thënë se me çfarë akuzash përballet zonja Meng, por Departamenti i Drejtësisë i SHBA po heton nëse kompania Huawei ka shkelur sanksionet e Shteteve të Bashkuara kundër Iranit.

Gao Feng, një zëdhënës i Ministrisë së Tregtisë të Kinës, gjithashtu u përpoq të zbuste shqetësimet, duke thënë se delegacionet e Kinës dhe të SHBA janë në "komunikim të qetë dhe në bashkëpunim të mirë".

"Jemi plot besim se Kina dhe SHBA mund të arrijnë një marrëveshje brenda 90 ditëve", tha zëdhënësi të enjten.

Shqetësimet e investitorëve

Pas bisedimeve të G20, delegacionet amerikane dhe kineze lëshuan në mënyrë të konsiderueshme informacione të ndryshme për atë që ishte rënë dakord.

Pasi tregjet e aksioneve ranë nga frika se armëpushimi tregtar SHBA-Kinë ishte duke u prishur, presidenti Donald Trump dërgoi disa mesazhe në Twitter të mërkurën, që u konsideruan gjerësisht si një përpjekje për të qetësuar frikën e investitorëve.

"Të mos tingëllojë naiv, por unë besoj se presidenti Xi do të thoshte çdo fjalë të asaj që tha në takimin tonë historik, të gjatë dhe shpresëdhënës," - shkroi zoti Trump.

Por është e paqartë shkalla në të cilën Pekini është i përgatitur t’iu përgjigjet kërkesave të SHBA-së, për të cilat madje edhe zoti Navarro e pranoi se kanë të bëjnë me ristrukturimin themelor të ekonomisë së Kinës.

"Po, ata do të duhet të ristrukturohen…Fakti është se populli i tyre duhet ta mirëpresë këtë, sepse nëse ekziston një treg më demokratik në njëfarë kuptimi ... do të jetë një gjë e mirë edhe për Kinën", - tha zoti Navarro.

Këto komente ishin të ngjashme me ato të Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare John Bolton, i cili i tha radios NPR të enjten, se negociatat tregtare mund të "kenë ndikim potencialisht të thellë në strukturën politike të Kinës".

Zyrtarët kinezë nuk kanë dhënë asnjë shenjë se janë të gatshëm të ndryshojnë sistemin e tyre ekonomik apo politik, si rezultat i kërkesave të SHBA.

Përparimi do të jetë më vështirë për t'u arritur pas arrestimit të shefes së financave të firmës Huawei, thotë Dali Yang, profesor i shkencave politike në Universitetin e Çikagos dhe bashkëpunëtornë Këshillin e Çikagos mbi Çështjet Globale.

"Firma Huawei konsiderohet ylli i zhvillimit teknologjik të inovacionit të Kinës. Nëse arrestimi çon në dëmtimin e kompanisë, siç ishte rasti me gjigantin kinez të telekomit, ZTE, atëhere do të nxiteshin zjarret e nacionalizmit në Kinë, që do e bëjë të vështirë që udhëheqja kineze të bëjë kompromise në bisedimet tregtare", thotë Dali Yang.

Patrick Cronin me Programin e Sigurisë së Azisë dhe Paqësorit në Qendrën për Siguri të Re Amerikane, pajtohet që presidenti Xi mund të përdorë episodin e Huaweit për të penguar përparimin në bisedimet e tregtisë.

"Dëmet mund të minimizohen nëse del një bazë e qartë ligjore për arrestimin, por edhe atëherë, ajo që Uashingtoni sheh si një veprim kundër një kompanie, do të shihet nga Pekini si një veprim kundër Partisë Komuniste Kineze".

Tashmë, disa ligjvënës amerikanë mendojnë se ka pak dallime midis Partisë Komuniste Kineze dhe disa prej kompanive më të mëdha të vendit.

Senatori Mark Warner shkroi të enjten se "ka dëshmi të mjaftueshme që sugjerojnë se të gjitha kompanitë kineze janë të varura nga qeveria dhe Partia Komuniste dhe që kompania Huawei është një kampion kombëtar i qeverisë dhe i ushtrisë së Kinës, kjo nuk përbën asnjë përjashtim./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat