Kina ndalon dy shtetas kanadezë brenda javës

Bota

Kina ndalon dy shtetas kanadezë brenda javës

Më: 13 dhjetor 2018 Në ora: 23:31
Foto ilustrim

Kina ka konfirmuar se ka ndaluar një tjetër shtetas kanadez pas arrestimit në fillim të muajit një drejtuese të lartë të një kompanie kineze që u ndalua në Vankuver bazuar në një fletarrest amerikan. Një zëdhënës i ministrisë së jashtme tha sot në Pekin se konsulenti Michael Spavor dhe ish-diplomati Michael Kovrig u ndaluan të hënën nën dyshimet për “përfshirje në aktivitete që vënë në rrezik sigurinë kombëtare të Kinës”.

Ministrja e Jashtme kanadeze Crystia Freeland thotë se zoti Spavor kishte kontaktuar zyrtarët kanadezë pasi ishte marrë në pyetje nga autoritetet kineze:

“Nuk kemi arritur ta kontaktojmë që nga momenti që na ka njoftuar për këto zhvillime. Po punojmë fort për të konfirmuar ku ndodhet dhe e kemi ngritur këtë çështje tek autoritetet kineze. Po ashtu jemi në kontakt me familjen e tij”.

Nuk ka pasur informacione të tjera mbi vendndodhjen e zotit Spavor apo arsyet përse është ndaluar.

Kina tha dje se ish-diplomati kanadez Michael Kovrig u arrestua në Pekin nën akuzat se kishte vënë në rrezik sigurinë kombëtare të Kinës.

Zoti Kovrig u ndalua të hënën, disa ditë pasi policia kanadeze arrestoi në aeroportin e Vankuverit, bazuar në një fletëarrest amerikan shtetasen kineze Meng Wanzhou, drejtuese e një kompanie kineze të telekomunikacionit. Zonja Meng akuzohet se ka shkelur sanksionet amerikane me Iranin.

Një gjykatës kanadez i dha lirim me kusht shtetases kineze të martën, ndërkohë që ajo pret të dalë në gjyq lidhur me kërkesën e Shteteve të Bashkuara për ekstradimin e saj. Nëse shpallet fajtore në Shtetet e Bashkuara, ajo mund të dënohet deri me 30 vjet burg.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat