Presidenti i lojtarëve profesionistë në Zvicër: Procedurë qesharake nga FIFA, festuan me të drejtë

Botërori 2018

Presidenti i lojtarëve profesionistë në Zvicër: Procedurë qesharake nga FIFA, festuan me të drejtë

Më: 25 qershor 2018 Në ora: 14:36
Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri

Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka janë dy lojtarët më të përfolur për momentin në Kampionatin Botëror Rusia 2018.

Dy futbollistët shqiptarë shënuan gola për t’i gjunjëzuar serbët në fitoren e Zvicrës 2-1. Por festimi i tyre me shqiponjë ka tërbuar serbët të cilët kanë bërë ankesë në FIFA, e shtëpia më e madhe e futbollit në botë ka hapur procedurë disiplinore.

Xhaka, Shaqiri por edhe Lichtsteiner rrezikojnë të dënohen me dy ndeshje jashtë loje dhe me një shumë prej 5000 frangave zvicerane.

E për këtë temë ka folur edhe Presidenti i lojtarëve profesionistë në Zvicër, Lucien Valloni. “Ne i konsiderojmë këto festime absolutisht të ligjshme. Ato nuk kishin të bëjnë me politikën apo me mosrespektimin e kundërshtarit”, tha Valloni për Blick.

Më tej Valloni ka thënë se Xherdani dhe Graniti kanë festuar si shqiptarë dhe kjo është mëse normale.

“Ata festuan me të drejtë, u gëzuan si shqiptarë dhe kjo gjë nuk është ndonjë mos respekt për kundërshtarin”.

“Shqiponja është shpend që identifikon shqiptarët dhe këta dy lojtarë gjithashtu janë shqiptarë”, tha Valloni.

Image
Lucien Valloni

Më tej presidenti i futbollistëve profesionist në Zvicër tha se nëse ndonjëri nga lojtarët do të bënte kryqin e flamurit zviceran nuk do të bëhej kaq shumë zhurmë.

“Nëse Xhaka apo Shaqiri do të bënin kryqin e Zvicrës me duart e tyre nuk do të diskutohej fare kjo gjë”.

“Një gjest që simbolizon përkatësinë e një vendi nuk mund të jetë politikisht i motivuar dhe duhet të konsiderohet absolutisht i ligjshëm, përndryshe edhe himni kombëtar dhe flamuri para ndeshjeve do të duhej të ndaloheshin”.

Ai ka vazhduar të mbrojë yjet tanë duke thënë se ata kanë të drejtën e lirisë së shprehjes.
“Shaqiri dhe Xhaka kanë të drejtën e lirisë së shprehjes. Kjo e drejtë është e garantuar nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të cilën FIFA është e përkushtuar ta zbatojë edhe me statutet e saj. Gjithashtu në këtë konventë përfshihen edhe mënyrat e festimit si shprehje gëzimi dhe krenarie”, ka përfunduar Valloni.

Ndryshe FIFA gjatë ditës së sotme do të marrë vendimin përfundimtar nëse do të dënohen dy lojtarët tanë dhe kapiteni Lichtsteiner i cili gjithashtu bëri shqiponjën.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat