Britaniku Teo Hard thyen parashikimet, triumfon në “Giro D’Italia”

Çiklizëm

Britaniku Teo Hard thyen parashikimet, triumfon në “Giro D’Italia”

Më: 26 tetor 2020 Në ora: 18:28
Teo Hard

Tao Geoghegan Hart fitoi kundër çdo lloj parashikimi të mundshëm edicionin e 103 të Xhiros së Italisë, duke siguruar në këtë mënyrë edhe arritjen më të madhe në karrierë. 25-vjeçari londinez fitoi vetëm dy etapa gjithsej, megjithatë në fund çiklisti i ekipit britanik Ineos Grenadiers mori trofeun e dytë më të rëndësishëm në aktivitetet e Grand Tours. Edicioni i sivjetshëm sidoqoftë do të mbetet gjatë në kujtesë, për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme në të cilat u zhvillua.

Fillimisht Giro ishte programuar për t’u zhvilluar nga data 9 deri më 31 maj, megjithatë gjithçka u shty për në muajin tetor, për shkak të frikës së përhapjes së virusit Covid – 19. Organizatorët respektuan kalendarin dhe në vijim edicioni i 103 u mbajt nga data 3 deri më 25 tetor. Një itinerar i gjatë prej 3.361,4 kilometrash që startoi në jug të Italisë, më saktë në Sicili dhe përfundoi në veri të vendit, në kryeqendrën e Lombardisë, në Milano.

Lexo Edhe:

Lautaro sqaron nervozizmin, Sanchez dhe Sensi nuk udhëtojnë me Interin

Një itinerar i përzgjedhur në mënyrë të veçantë, me 6 etapa malore gjithsej, sidoqoftë 2 prej tyre u fituan pikërisht nga Tao Geoghegan Hart, që shfrytëzoi aftësitë e tij në ngjitje, për të merituar më pas gjithçka në etapën përmbyllëse. 25-vjeçari nga Holloway priti momentin e tij dhe fitoi etapën e 15 më datë 18 tetor, pra ekzaktësisht një javë përpara mbylljes së Xhiros. Një etapë vërtet shumë e vështirë nga Provinca e Udines në Dolomite, pra më saktë nga Base Aerea Rivolto në Piancavallo, e gjatë 185 kilometra, ku çiklisti britanik mundi në fund dyshen e ekipit Sunweb Kelderman – Hindley.

25-vjeçari londinez hyri në javën përcaktuese në vendin e katërt në klasifikimin e përgjithshëm, 3’ afërsisht pas portugezit Joao Almeida dhe prapa edhe dyshe së Team Sunweb Kelderman – Hindley, ndërsa në etapën e parafundit piloti anglez pothuajse preku lavdinë falë triumfit të arritur në Piemont. Në ditën e parafundit të Xhiros së sivjetshme Tao Geoghegan Hart ia doli mbanë për të triumfuar pikërisht në etapën e fundit malore, një garë sfilitëse e gjatë 190 kilometra, ku çiklisti i skuadrës britanike mposhti në vijën e finishit australianin Jai Hindley, për të fituar etapën nga Alba në Sestriere.

Diferencën e bëri etapa përmbyllëse nga Cernusco sul Naviglio deri në Milano, e gjatë vetëm 15,7 kilometra, një etapë individuale me kronometër ku çiklisti anglez i mori plot 39” australianit Jai Hindley. Këta dy ciklistë hynë në garën e fundit me kohë të njëjtë, megjithatë Geoghegan Hart imponoi një ritëm vërtet shumë të lartë duke merituar në fund plotësisht fitoren.

Në fund në klasifikim Tao Geoghegan Hart e përshkoi gjithë itinerarin me kohën e përgjithshme 85 orë, 40 minuta e 21 sekonda, duke lënë pas vetes pra për vetëm 39” pikërisht 24-vjeçarin nga Perthi, ndërsa çiklisti tjetër i ekipit gjerman Team Sunweb holandezi Wilco Kelderman e mbylli aventurën e tij në Itali në shkallën më të ulët të podiumit, me 1 minutë e 29 sekonda vonesë. Më pas me radhë u pozicionuan portugezi Joao Almeida, spanjolli Pello Bilbao, danezi Jakob Fuglsang si dhe veterani italian Vincenzo Nibali.

Tao Geoghegan Hart fitoi po për vetëm 39” avantazh ndaj australianit Jai Hindley gjithashtu edhe renditjen e përgjithshme të të rinjve, ndërkohë në klasifikimin ekipor pati sërish lavdi për skuadrën britanike Ineos Grenadiers që triumfoi me një epërsi të madhe prej 22’ 32” ndaj ekipit belg Deceuninck – Quick Step, ndërkaq podiumi në këtë lloj renditje u kompletua nga skuadra gjermane Sunweb. 

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat