Andrea Dovizioso tërhiqet nga MotoGP

Çiklizëm

Andrea Dovizioso tërhiqet nga MotoGP

Më: 9 nëntor 2020 Në ora: 18:10
Andrea Dovizioso

Andrea Dovizioso refuzon ofertën e Yamahas dhe piloti italian nuk përjashton aspak mundësinë e një tërheqje të përkohshme nga garat për sezonin e ardhshëm. Faktorët që mund të kenë influencuar për t’i shtyrë gjërat deri në këtë pikë janë të shumtë, megjithëse për hir të së vërtetës për momentin nuk ka akoma diçka të konfirmuar dhe vetë 34-vjeçari romanjol ka bërë të qartë se bëhet fjalë për thjesht një vit pushimi, por kurrsesi për një tërheqje përfundimtare nga garat.

Viti 2020 do të mbahet mend gjatë si një vit tepër i mbrapshtë për shkak të pandemisë së Koronavirusit dhe natyrisht frika e infektimit nga Virusi Covid – 19 i shtrëngoi organizatorët e DORNA-s për të shtyrë startin e sezonit me katër muaj, duke nisur edicionin e 72-të të kampionatit botëror të motoçiklizmit vetëm në mesin e muajit korrik. E pra, pas rrëzimit të kampionit në fuqi të botës dhe dominuesit të Klasit Mbretëror Marc Marquez, që kishte fituar 6 nga 7 edicionet e fundit të cilindratës më të lakmuar, që të gjithë mendonin se më në fund ishin pjekur kushtet për veteranin italian, për t’u kurorëzuar me trofeun në Moto GP.

Ky i sivjetshmi është sezoni i tetë për Dovin në radhët e Ducatit, motor me të cilin numri 4 u shpall tri herë rresht si nënkampion bote në Klasin Mbretëror. Kështu pas dëmtimit të rëndë dhe mungesës së gjatë të kanibalit spanjoll në mënyrë të kuptueshme i takonte pikërisht Doviziosos për të veshur petkun e favoritit.

Asgjë nuk shkoi sipas parashikimeve, sepse ngjarjet morën një rrjedhë krejt tjetër, deri në atë pikë sa për t’u shndërruar në një luftë nervash për rinovimin e kontratës me drejtuesit e ekipit nga Borgo Panigalle. Dovi nuk pranoi për t’u shndërruar në një kolaudator të skuadrës japoneze për vitin 2021, kështu që me shumë gjasa sezonin e ardhshëm piloti i njohur italian do të mungojë në cilindratën më të rëndë të kampionatit botëror të motociklizmit.

Është ende herët për të thënë nëse bëhet fjalë vetëm për vitin tjetër apor përgjithmonë. Kjo është dicka që varet nga vetë Dovi, për më tepër për botërorin e vitit 2021 nuk dihet akoma nëse do të lejohet apo jo garimi i pilotëve të ftuar. Për shumë kohë Andrea Dovizioso u mendua si kolaudatori i ardhshëm i Yamaha-s, në vendin e spanjollit Jorge Lorenzo, por në fund 34-vjeçari vendosi të refuzojë ofertën e markës nipone. Gjithçka u bë publike që të shtunën pasdite dhe lajmi u konfirmua nga vetë menaxheri i Dovit, Simone Battistella, nëpërmjet një komunikate drejtuar numrit 1 të Yamahas Lin Jarvis.

Shumë ndoshta në vendimin për t’u tërhequr përkohësisht ka influencuar pikërisht lodhja psikologjike, pas një sezoni të rëndë dhe tepër të vështirë të kaluar në gjirin e Ducatit. Për hir të së vërtetës muajt e fundit ishin shndërruar në një luftë nervash, sepse 34-vjeçari romanjol kërkonte me insistim një motor më kompetitiv, ndërsa në krahun tjetër drejtuesit e ekipit këmbëngulnin te rinovimi i kontratës.

Në fakt Desmosedici GP20 sivjet nuk ishte edhe aq kompetitiv sa ç’pritej, ndoshta edhe për faj të mosgjetjes së zgjidhjes përfundimtare për përdorimin e gomës së prapme, që futi Michelin në botërorin e këtij viti. Në këtë mënyrë, me shumë gjasa nga kjo situatë do të përfitojë 35-vjeçari britanik Cal Crutchlow, që pritet të zëvendësojë Jorge Lorenzon në rolin e kolaudatorit te Yamaha.

Veterani anglez vazhdon të garojë me Honda për Lucio Cecchinellon, me të cilin ka një marrëveshje dhe një bashkëpunim të veçantë. Një zgjidhje e tillë gjithsesi mund të vërë në vështirësi Aprilian, që pritet të mbetet pa një alternativë të besueshme për vitin 2021, gjithmonë në rast se nuk reduktohet dënimi ndaj pilotit itaklian Andrea Iannone, që një vit më parë u skualifikua për përdorim dopingu, sepse rezultoi pozitiv pas Çmimit të Madh të Malajzisë.

Edicioni i 7-të i Klasit Mbretëror kryesohet nga 23-vjeçari spanjoll Joan Mir me Suzukin, që dy gara para fundit numëron plot 37 pikë avantazh kundrejt francezit të skuadrës Yamaha Petronas, Fabio Quartararo, ndërsa 3 herë nënkampioni i botës në tri edicionet e fundit Andrea Dovizioso me Ducati ka fituar vetëm Çmimin e Madh të Austrisë dhe pozicionohet për momentin në vendin e gjashtë në renditjen e përgjithshme, sidoqoftë vetëm 8 pikë larg vendit të dytë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat