Sefa lëshon fanellën e verdhë, sot gara e fundit

Çiklizëm

Sefa lëshon fanellën e verdhë, sot gara e fundit

Më: 4 qershor 2022 Në ora: 11:01
Sefa lëshon fanellën e verdhë, sot gara e fundit

Rrethi i 79-të Çiklistik vijon me garat, teksa ditën e djeshme është zhvilluar etapa e katërt me itinerar Vlorë-Gjirokastër (130.8 km).

Ashtu sikurse në garat paraardhëse, edhe etapa e djeshme dhuroi rivalitet dhe emocione, por nuk pati një fund të mirë për çiklistin e ekipit tonë kombëtar Ylber Sefa, i cili pasi kishte mbajtur fanellën e verdhë të liderit në të gjitha garat, e dorëzon atë në ditën e parafundit të aktivitetit.

Lideri i ri i Rrethit të 79-të Çiklistik të Shqipërisë tashmë është rumuni Cristian Raileanu, i cili arriti të rikuperonte mbi 20 sekonda kundrejt Sefës në kilometrat e fundit të garës, duke e zbritur nga froni çiklistin kuqezi.

Tashmë Raileanu kryeson renditjen e përgjithshme me kohën 13:41:25, ndjekur nga çiklistët e Kombëtares sonë Ylber Sefa dhe Mikel Demiri, të cilat kanë kohë të njëjtë 13:41:45, pra 20 sekonda më shumë se kundërshtari rumun që garon për skuadrën CSA Steaua.

Ndërkohë, për sa i përket etapës së djeshme, fituesi i saj u shpall bullgari Lachezar Angelov, i cili garon për skuadrën Hemus1986. Angelov regjistroi kohën 2:59:33, duke marrë edhe bonusin prej 10 sekondash.

Në vend të dytë u klasifikua holandezi Antonie Van Noppen me kohë 2:59:35, ndërsa podiumin e plotësoi rumuni Raileanu, po me kohën 2:59:35.

Në fund u zhvillua edhe ceremonia për fituesit, në të cilën ishte i pranishëm gjithashtu edhe sekretari i KOKSH, Gerti Shima.

Turi i Shqipërisë do të vijojë sot me etapën e pestë, që është edhe e fundit, me itinerar GjirokastërVlorë-Fier, ku dhe do të shpallen edhe fituesit e këtij edicioni.

Kujtojmë se Rrethi Çiklistik i Shqipërisë është për herë të katërt pjesë e kalendarit të Unionit Ndërkombëtar të Çiklizmit (UCI).

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat