Mënyra e veçantë e nënës nga Kosova në Austri për t’i treguar botës se Ushtria e Kosovës është paqësore

Diaspora

Mënyra e veçantë e nënës nga Kosova në Austri për t’i treguar botës se Ushtria e Kosovës është paqësore

Më: 1 janar 2019 Në ora: 15:14
Era dhe Lisi

Viti që e lamë pas ishte përplot sfida, por Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me institucionet e tjera të vendit, përfundimisht arritën që të miratojnë projektligjet për mandatimin e FSK-së, gjë e cila e transformoi atë në Forcë të Armatosur të Kosovës.

Ndonëse të gjithë kosovarët iu gëzuan këtij momenti, derisa pati dhe shtete të huaja që e mbështetën këtë vendim, dy vogëlushë të cilët jetojnë në Austri – janë ata që themelimit të ushtrisë iu gëzuan jashtëzakonisht shumë anipse dinë shumë pak nga rrugëtimi për historinë e atdheut të tyre.

Janë Era pesëvjeçare dhe Lisi trevjeçar, vogëlushët kosovaro-austriakë për të cilët prindërit e tyre u përkujdesën jashtëzakonisht që themelimin e ushtrisë së Kosovës ta përcjellin edhe në festa të radhës, duke iu veshur atyre uniformën e pjesëtarëve të Ushtrisë më të re në botë.

Lidhur me veshjen e të vegjëlve ka folur për klankosova.tv, nëna e tyre politikologja, Resmije Kurbogaj- Ajeti.

Ajo vijon studimet e doktoraturës në Institutin e Shkencave Politike në Universitetin e Vjenës, ndërsa thekson se fotografinë e ka pasion ndaj ka zgjedhur diçka tejet të vecantë për të realizaur imazhe të bukura.

”Jam duke vijuar studimet e doktoratës në Institutin e Shkencave Politike në Universitetin e Vjenës dhe fotografinë e kam pasion të veçantë. Fëmijëve të mi në baza javore apo mujore ju zhvilloj fotografi me motive nga më të ndryshmet, nga ato të karakterit festiv, funny e deri tek ato të karakterit kombëtar”.

”Në këtë drejtim lajmi për krijimin më në fund të Ushtrisë së Kosovës, ishte padyshim një lajm i lumtur dhe i shumëpritur për çdo familje kosovare. Thjeshtë, doja të bëja diçka të re, të krijoja një ide, e cila jo vetëm që do të ishte inovative, por edhe do lidhej më shndërrimin e FSK-së në Ushtri të Kosovës”, pohon ajo.

Image

Ajo nuk e mohon se në parim është pak paradoksale që fëmijët të vishen me uniforma ushtarake.

”Por, ideja nuk ka qenë absolutisht e karakterit ushtarak, por paqësor siç është edhe qëllimi i krijimit të Ushtrisë së Kosovës”, shprehet ajo.

”Përderisa po shihja fëmijët e mi veshur me uniformë ushtarake të Republikës tonë, teksa me gjithë humor dhe kënaqesi ua veshja dhe po bëja fotografitë, domosdoshmërisht më vinin mendimt nga eksperienca ime personale dhe frika që kisha nga uniforma si fëmijë”.

Nëna e Erës dhe Lisit, që në një moshë kaq të re janë veshur me uniformë të Ushtrisë së Kosovës thotë se t’i shihte fëmijët e saj si të vegjël, të veshur me këto uniforma i ngjante në një mrekulli.

”Dytë të rinj siç është e re edhe krijimi i ushtrisë tonë me dukeshin një kombinim domethënës dhe motivues për të ardhmen e vendit tonë”.

Vec tjerash ajo pohon se me këtë zgjedhje ku fëmijëve të saj u kishte ofruar uniformën e Ushtrisë së Kosovës për të realizuar set fotografik, pati synim përçimin e një porosie.

Image

”Dua ta dërgoj një mesazh paqësor, duke marrë për bazë edhe eksperiencën tonë në Kosovë para qershorit vitit 1999, se kjo uniformë ushtarake i shërben vendit tonë, të gjithë qytetarëve të saj, pa dallim etnike, racore apo fetare”.

”Është Ushtri e Kosovës dhe e të gjithë qytetarëve të saj, e cila është në shërbim të paqes dhe për paqen. Atë ndjenjën e frikës që ne e kemi pasur në Kosovë nga uniformat (serbe dhe jugosllave), thjeshtë nuk ia dëshiroj askujt e aq më pak fëmijëve”.

Më tej, Resmije- Kurbogaj shton se dëshiron që sikurse fëmijët e saj po ashtu edhe të të tjerëve në Republikën e Kosovës të ndjejnë siguri kur sheh këtë uniformë, ngaqë në moshën e tyre bazuar në rrethanat në të cilat ajo është rritur në Kosovë, asocionte me frikën.

”Fundja fotografia është element i artit dhe kulturës, përmes së cilës përçohen mesazhe të forta. Prandaj në këtë rast vlenë edhe shprehja “fotografia flet vet”.

Si nënë e dy fëmijëve të cilët i ka angazhuar në aktivitete të ndryshme në Vjenë, politikologja Resmije Kurbogaj- Ajeti, rrëfen se ideja për veshjen e uniformës ishte e saj ndërsa thotë se një pjesë të kostumeve e porositi online ndërsa pjesën tjetër e modifikoi me materiale të gjetura në dyqanet e Austrisë.

Duke qenë se fëmijët e saj janë ende të vegjël për vendimet e tyre për të ardhmen, Kurbogaj – Ajeti, thotë se do i lejojë ata të zgjedhin vet për profesionet e tyre pavarësisht se jetojnë në Vjenë të Austrisë, duke përfshirë këtu dhe mundësitë që një ditë të jenë pjesëtarë të Ushtrisë së Kosovës.

”Ky do të jetë vendimi i tyre, por ajo çfarë unë si prind e bëjë me kënaqësi është t’ju flas me dashuri për Kosovën, për prejardhjen e tyre”.

”Pastaj, se a do të bëhen ata pjesëtarë të Ushtrisë së Kosovës, do të jetë vendimi i tyre, ngaqë deri në atë moshë ata do të jenë të rritur dhe vendosin vet. Por, dëshira ime është që ata të punojnë dhe t’i shërbejnë Kosovës tonë, secili në mënyrën e vet, qoftë në aspektin ushtarak, akademik, diplomatik”, shton ajo.

Image

Derisa ky set fotografik ishte paraparë të realizohej ditën e themelimit të Ushtrisë së Kosovës,  ndodhi e kundërta pasi ajo pohon se ishin vonesat e porosisë online për kostumin ato që ndryshuan agjendën e tyre.

Megjithatë ajo zgjodhi që këtë set fotografik ta realizonte edhe në prag të festave të fundvitit ndërsa sqaron se me veshjen e këtij kostumi fëmijët e saj e pyetën se për çfarë shërben ushtria pasi thekson se ngjyrat e flamurit dhe simbolet shtetërore nuk ishin të panjohura për Erën dhe Lisin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat