Bankieri dhe filantropi i njohur shqiptaro-amerikan, Richard Lukaj: Sektori i investimeve ekonomike në Kosovë, mjerisht i tmerrshëm

Diaspora

Bankieri dhe filantropi i njohur shqiptaro-amerikan, Richard Lukaj: Sektori i investimeve ekonomike në Kosovë, mjerisht i tmerrshëm

Më: 1 janar 2019 Në ora: 20:38
Richard Lukaj

Bankieri dhe filantropi i njohur shqiptaro-amerikan, Richard Lukaj, është i bindur Kosova mund të pastrohet nga korrupsioni, të pastrojë gjyqësorin, të krijojë institucione të transparencës dhe të lejojë vendin të rritet nga investimet që do të rezultonin prej saj.

Në një intervistë për Telegrafin, Lukaj tha se rritja e ekonomisë duke u kujdesur për mirëqenien e të gjithë qytetarëve të saj, do ta bënte Kosovën një vend model në rajon.

“Kujdesi për mjedisin natyror, investimi në arsim, kujdesi shëndetësor dhe sigurimi i profesionalizmit në të gjitha institucionet e saj, do të sjellë llojllojshmëri fleksibiliteti dhe progres për të ardhmen e Kosovës”, theksoi Lukaj.

Meqë, Lukaj njihet si kryenegociator i themelimit të AUK-ut në Kosovë, dhe i cili vazhdimisht ndihmon këtë institucion arsimor, thotë se është i nderuar që ka qenë pjesë e kësaj historie të mrekullueshme të suksesit në Kosovë.

“Vërtet isha pjesë e një ekipi të mrekullueshëm të ëndërrimtarëve, që ishin të gatshëm të guxonin të krijonin një kolegj jo-fitimprurës në Kosovë, pavarësisht nga të gjitha arsyet që na thoshin të kundërtën. Jam i nderuar që kam qenë pjesë e kësaj historie të mrekullueshme suksesi në Kosovë. Të diplomuarit vazhdojnë të habisin çdo ditë me kontributet dhe arritjet e tyre. Ky mund të jetë projekti që unë jam më së shumti krenar në jetën time”, ka ai.

Z. Lukaj, nga një emigrant, tani jeni një shqiptaro-amerikan shumë i suksesshëm në ShBA. Sa e vështirë ka qenë rruga deri të arritja e këtij suksesi?

Richard Lukaj: Gjithmonë jam i intriguar nga këso lloj pyetjesh dhe përpiqem në mënyrë të kujdesshme të jap definicionin e suksesit. Unë vij nga një familje solide e që mendoj se ka qenë e suksesshme nëpër gjenerata, pa marrë parasysh komponentën monetare, dhe shpresoj se mund t’i mbart këto vlera në brezin e ardhshëm. Të qenit imigrant ishte shumë e vështirë në shumë aspekte, por sot jam mirënjohës që as shtëpia ime e adoptuar e as atdheu im nuk janë të huaj për mua. Jam me fat që vizitoj tokat e paraardhësve të mijë shumë herë në vit, dhe shpresoj që ndoshta të shpërngulem atje ndonjë ditë.

Kush ju ka ndihmuar më së shumti në këtë rrugëtim?

Richard Lukaj: Familja ime gjithmonë është kujdesur për mua. Pa ata nuk jam i sigurt se si do të ishte jeta. Prindërit e mi më ofruan të gjitha elementet thelbësore të duhura, ndërsa vëllau, motra, si dhe disa miq, përmbushën pjesë të jetës sime, kur elementarja nuk ishte e mjaftueshme. Së bashku nuk kishte asgjë që nuk do të mund të bënim!

Cilat kanë qenë sfidat me të cilat jeni ballafaquar më së shumti?

Richard Lukaj: E panjohura ishte barra më e madhe. Familja jonë ishte aq e re për këtë pjesë të botës, saqë gjithçka dukej aq e huaj. Për fat të mirë, me punë të madhe, përkushtim ndaj edukimit dhe një oreks të pangopur për përvoja të reja, përfundimisht ky vend dhe shumë pjesë të botës u bënë vende komforti dhe përvoja të mrekullueshme.

Përpos që jeni i suksesshëm në fushën e biznesit, ju jeni edhe një filantrop i dalluar, pra keni “Fondacionin Lukaj” . Kë e mbështetni më së shumti?

Richard Lukaj: Ne mbështesim më së shumti nismat edukative, dhe përpiqemi t’u japim atyre që ndjekin gjurmët tona me po të njëjtën dedikim, që gjeneratat e mëparshme na dhanë neve.

Është e vështirë të mbahet titulli njëri i suksesshëm?

Richard Lukaj: Derisa jam i nderuar dhe vlerësoj mirënjohjet e ofruara, thjesht nuk mendoj në këtë mënyrë. Veproj dhe bëj më të mirën që mundem për çdo gjë, siç kam bërë gjithmonë. Kjo është gjithçka që pres nga vetja dhe shpresoj që ata që më ndjekin, të më kujtojnë mirë për këtë.

Sa është unifikues komuniteti shqiptar në ShBA, sa i përket interesave kombëtare?

Richard Lukaj: Ne kemi një komunitet të bukur këtu në SHBA. Kemi shumë organizata dhe iniciativa të mrekullueshme në komunitetit për të shijuar gati çdo javë. Komuniteti është aktiv në art, kulturë, vallëzimi, muzikë, gastronomi e shumë më tepër. Ne kemi qendra komunitare e organizata fetare, ku mblidhemi për të mbështetur sa më mirë që mundemi gjithë ndodhitë e mëdha në komunitetin tonë. Jam më së shumti krenar me fëmijët e mi që marrin pjesë në këto aktivitete, ashtu siç edhe unë bëra dikur dhe shpresoj që ata gjithmonë ta ruajnë dashurinë për identitetin e tyre personal. Edhe jo-shqiptarët, miq tanë që marrin pjesë në festat tona, vërtetojnë bukurinë e të pasurit një komunitet kaq të unifikuar dhe të gjallë. Mjerisht, ndarësi i vetëm i komunitetit tonë ka tendencë të jetë politika dhe fraksionet në regjionin amë.

Z. Lukaj, fondacioni “Aksioni për Nëna dhe Fëmijë”, sivjet, juve ju ka ndarë çmimin Jetësor, si bankier dhe filantrop, për kontributin tuaj të jashtëzakonshëm dhe punën e palodhshme që keni dhënë për jetëgjatësinë e nënave dhe fëmijëve në këtë organizatë?

Richard Lukaj: Po. Isha i nderuar dhe mirënjohës, duke pasur parasysh talentet mahnitëse brenda organizatës, që e kanë bërë atë organizatë çfarë është edhe sot. Ne presim vetëm arritje të mëtejshme në luftë kundër vdekshmërisë së foshnjave.

Ju keni ndihmuar shumë për Kosovën dhe Shqipërinë, në të gjitha format e mundshme, dhe tani keni ndihmuar edhe shtresën më të ndjeshme të popullatës,pra keni ndihmuar nënat dhe fëmijët. Si jeni bërë bashkë me “Aksionin e nënës dhe të fëmijës në Kosovë”?

Richard Lukaj: Kam pasur nderin të krijoj dhe të ndihmoj ta organizoj këtë platformë që nga fillimi me Dr. Strickler, Dr. Ibrahimi dhe shumë të tjerë. Është një pjesë e ëndrrës së realizuar.

Z. Lukaj, më siguri fillimisht jeni të informuar për mënyrën se si funksionojnë institucionet përkatëse në Kosovë sa I përket këtyre kategorive të shoqërisë dhe keni ndërmarrë këtë nismë. A ka ndodhë kjo për shkak të pakënaqësive tuaja më institucionet përkatëse të Kosovës?

Richard Lukaj: Fatkeqësisht, pas kohës së luftës, vdekshmëria e foshnjave në Kosovë ishte më e keqja në Evropë. Nuk kishte shumë rëndësi se cilat ishin arsyet apo faji i kujt ishte. Ne donim të bënim diçka për të ndaluar humbjen e panevojshme të jetës dhe të vejmë në lëvizje qëllimin tonë, madje edhe duke bashkëpunuar me ata që kanë qëllime të mira edhe në institucionet publike. Nuk ishim ne kundër tyre, por u përpoqëm tu ndihmonim përkundër shumë dështimeve.

A mendoni se klasa politike në Kosovë, ka mundur të bëjë më shumë, sa i përket mirëqenies së qytetarëve të saj?

Richard Lukaj: Dua të besoj se ata do të donin të bënin më shumë dhe më mirë, por për fat të keq, disave prej tyre u mungon aftësia për pozitat që mbajnë dhe të tjerët janë aq të preokupuar nga krizat e përditshme ose çështjet personale, sa që e kanë të pamundur për t’u përqendruar në zgjidhje afatgjata për çështje me interes publik. Unë gjithashtu besoj se edhe të tjerët mund të bëjnë më shumë. Qytetarët e zakonshëm bëjnë gjëra të mahnitshme kur nuk fokusohen në ankesa, por ofrojnë zgjidhje për probleme dhe mangësi shumë reale. Sa më shumë qytetarë të presin nga vetja, aq më shumë përfaqësuesit e tyre / nëpunësit publikë do t’i pasqyrojnë këto pritje. Me të vërtetë shpresoj për një renesance mentaliteti, ku publiku nuk pret më bamirësi nga qeveria, por në vend të saj, kërkon përgjegjësi profesionale dhe rezultate.

Njiheni si kryenegociator i themelimit të AUK-ut në Kosovë, dhe vazhdimisht ndihmoni këtë institucion arsimor. Jeni I kënaqur me punën e deritanishme të këtij institucioni?

Richard Lukaj: Vërtetë isha pjesë e një ekipi të mrekullueshëm të ëndërrimtarëve, që ishin të gatshëm të guxonin të krijonin një kolegj jo-fitimprurës në Kosovë, pavarësisht nga të gjitha arsyet që na thoshin të kundërtën. Jam i nderuar që kam qenë pjesë e kësaj historie të mrekullueshme suksesi në Kosovë. Të diplomuarit vazhdojnë të habisin çdo ditë me kontributet dhe arritjet e tyre. Ky mund të jetë projekti që unë jam më së shumti krenar në jetën time. Kisha dashur që AUK-u të mos jetë aq shpesh i penguar nga ngarkesat administrative, që rezultojnë nga politikat se ka shumë shkolla “fitim prurëse” në rajon, dhe fakti që arsimi në përgjithësi mbetet aq i politizuar si dhe thellësisht i trazuar. AUK është në gjendje të edukojë më shumë studentë se sa që shkollat e mesme të tanishme nxjerrin gjenerata, duke ofruar kapacitet për të marrë pjesë në një institucion botëror të arsimit të lartë. Ndoshta një ditë së shpejti Ministria e Arsimit do të punojë me udhëheqjen e AUK-ut për të zhvilluar një model më të mirë dhe më produktiv të arsimit të lartë në Kosovë, që është në interes më të mirë të publikut për një të ardhme të begatë të kombit.

Si arritët ta bindni shtetin amerikan që AUK të jetë prezent në Kosovë?

Richard Lukaj: Ishte një ide e denjë dhe e bukur, e mbështetur nga njerëz të besueshëm dhe mirëdashës. Është e lehtë të mbështesësh një iniciativë të tillë. Unë besoj se të gjitha organizatat Amerikane të përfshira, ndajnë krenarinë time në atë që është krijuar, e ndoshta deri në një farë mase ndajnë edhe frustrimin tim se nuk jemi angazhuar sa duhet. Gjithashtu nuk jemi ndihmuar nga institucionet arsimore të shtetit të bëjmë më tepër për mundësi të gjera të partneritetit, që të ndikojmë arsimin në një shkallë më të lartë në rajon, nën një ombrellë jo-fitimprurëse.

Keni shumë vjet përvojë pune në fushën e investimeve. Si e vlerësoni sektorin e investimeve dhe të ekonomisë në Kosovë?

Richard Lukaj: Mjerisht, është e tmerrshme. Ndonëse ka pasur disa shembuj të jashtëzakonshëm që vërtetojnë të kundërtën, fakti është se Kosova ende nuk e ka vendosur veten si një vend i pjekur ku proceset respektohen dhe korrupsioni mund të ç’rrënjoset. Shumica e investitorëve nuk duan të kompromitojnë veten apo vlerat e tyre, që të kenë fitim në Kosovë. Me shumë pak përjashtime, kjo vlen edhe për diasporën. Nëse kjo mund të adresohet në mënyrë serioze nga publiku duke kërkuar praktika më të mira ligjore dhe drejtësi të vërtetë sipas ligjit, territoret shqiptare mund të lulëzojnë me të vërtetë në një mënyrë të pa-parë në rajon, për shkak të madhësisë, pasurisë së diasporës dhe burimeve të tjera që mund t’i pasojnë ato.

Z. Lukaj, keni pasur rast edhe ju vet të shihni sektorë të veçantë ku do të mund të bëheshin investime. A keni ndonjë interesim se ku do të mund të investonit Ju, në Kosovë?

Richard Lukaj: Natyrisht që jam i interesuar të investoj për të krijuar punë dhe shembuj të suksesshëm të asaj që është e mundur në rajon, duke bashkëpunuar me talentin vendor me kapital dhe me aftësinë për të konkurruar në skenën botërore, duke mbrojtur dhe ruajtur mbi të gjitha vlerat tona tradicionale. Investitorët janë gjithmonë në kërkim të investimeve me një rrezik të mirë karshi skemës së shpërblimit. Fatkeqësisht, unë ende nuk jam në gjendje të ndjehem i sigurt për të nxitur institucionet investituese, madje as për të investuar kursimet e mia për fëmijët e mi, në një rajon që është ende kaq i paparashikueshëm, veçanërisht për investitorët qëllim-mirë. Rajoni po përvetëson më shumë një model të oligarkisë qeveritare të stilit Rus në gjithë Ballkanin, por shpresojmë se do të ketë një tranzicion paqësor, pasi publiku përfundimisht do ta refuzojë këtë model, siç e bën gjithmonë.

Si e arsyetoni hezitimin e diasporës për të investuar në trojet shqiptare, dhe sipas jush, cila është atmosfera që duhet krijuar diasporës liderët politik shqiptarë, në mënyrë që ajo të ndihet e sigurt për të investuar në vendin e origjinës?

Richard Lukaj: Investitorët ndërkombëtarë, duke përfshirë edhe diasporën, vlerësojnë një vend apo shtet për të investuar, ashtu edhe si qytetarët e saj vlerësojnë investitorët. Nëse një vend arrin të reduktojë varfërinë (me zero ose afër zero incidencën e urisë) duke rritur një klasë të mesme të gjerë dhe të shëndetshme, kjo është në përgjithësi një shenjë shumë e mirë e një kombi të qëndrueshëm dhe përparimtar.

Një tjetër faktor kryesor për nxitje investimesh është nëse një vend ka mjete dhe aleanca për të siguruar paqen dhe sigurinë për qytetarët e saj. Njohja globale e një vendi si pjesëmarrës global konstruktiv, me institucione të pjekura dhe të përgjegjshme, do ti tërheqë qytetarët të rikthehen, si dhe do të tërheqë edhe shumë investitorë të tjerë, që do të dëshironin të jenë partnerë dhe pjesë e historisë së suksesit të atij vendi.

Një vend është i destinuar të prosperoj para, nëse infrastruktura arsimore e po atij vendi është modern dhe zhvillohet për të nxjerrë të diplomuar të rinj me shkathtësi veçanërisht lidhur me prioritete strategjike të vendit, duke investuar në mënyrë të konsiderueshëm edhe në artet liberale (të cilat gjithashtu pasurojnë jetën në kombet e begatshme).

Shteti në tërësi do të përmirësohet nëse sistemi i kujdesit shëndetësor është i orientuar në reduktimin e krizave shëndetësore, ku madje edhe me mjete të kufizuara janë në gjendje të sigurojnë shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve të saj, duke ruajtur dinjitetin dhe duke mos ra pre e korrupsionit.

Nëse infrastruktura bazë dhe inovacioni mbahen si një prioritet i dukshëm, kjo do të stimulojë investime shtesë, të cilat do të stimulojnë dhe përshpejtojnë rrotullimet në punësimin publik.

Uji i pastër, kanalizimi dhe mbrojtja e mjedisit është një tjetër variabël kritik. Rrallë ka një të ardhme të ndritur për një vend, ku qytetarët e saj dhe përfaqësuesit e shtetit nuk e vlerësojnë ambientin e tyre. Të gjitha territoret shqiptare mund të bëjnë më tepër për të mbrojtur dhe për të vlerësuar me ndërgjegje jetën nën ujë dhe mbi tokë, se nuk ka asnjë shtet në botë që do të kujdeset ose pastroj pas qytetarëve që ndotin pa i marrë parasysh pasojat. Kjo lloj shoqërie nuk paraqet një vend ku kapitali merr hov.

Investitorët në rajon duhet gjithashtu të vlerësohen lidhur me bashkëdyzimin e tyre me prioritetet kombëtare. Shpeshherë, diaspora e ka përzemër atdheun dhe mund të jenë partnerë prioritar, por duke supozuar se ata nuk janë vetëm të autorizuarit apo fytyrat publike të aktiviteteve të paligjshme të oligarkëve politik vendor. Si rezultat i qëllimeve të tyre të mira, diaspora e vendeve të tjera shpesh gëzojnë proces të rrjedhshëm dhe përparësi ligjore / tatimore kundrejt investitorëve të huaj. Në territoret Shqiptare, duket se të huajt e madje edhe fqinjët që kanë shpallur status lufte, janë të aftë për të naviguar institucionet shtetërore dhe shumë shpesh realizojnë dëshirat e tyre, pavarësisht keqpërdorimit të interesit publik. Këtu qëndron çështja e korrupsionit. Korrupsioni mund të jetë armiku më i madh kundër përparimit të rajonit. Gjithashtu trishtohem kur shoh se sa shumë pasuri dhe mundësi kritike po tregtohen dhe shiten në formate nën-optimale, duke kontribuar më tej në stagnimin dhe kriminalizimin e rajonit.

Te ndalemi edhe pak tek Kosova. Si e vlerësoni dialogun mes Kosovës dhe Serbisë?

Richard Lukaj: Në muajt e fundit, duket se Presidenti i Kosovës dhe përfaqësuesit e ndryshëm, kanë filluar një proces për të nxitur Serbinë ta njoh Kosovën. Është intriguese në shumë aspekte dhe hap imagjinatën e gjakosur për atë se çka do të mund të ndodhte, duke marrë parasysh konfliktet e ngrira në rajon në rrethanat e tanishme gjeopolitike, duke përfshirë rritjen e angazhimit të palëve Ruse, Turke, Greke dhe palëve të tjera në gjithë rajonin. Këto deklarata të kohëve të fundit janë të mjegulluara me misteriozitet dhe lejnë anash detajet për të qenë të kuptueshme nga publiku. Shqiptarët Kosovarë ishin viktimë të makinerisë Serbe të spastrimit etnik dhe iniciativave të tmerrshme të zgjerimit territorial në Ballkan, para se NATO të intervenonte në mbështetjen humanitare duke dhënë paqe dhe pavarësi për Kosovën më se mbi një dekadë më parë më 17 Shkurt 2008. Kjo u konfirmua edhe më tej nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND), ku pavarësia e Kosovës u njoh nga më shumë se 80% e BE-së, pothuajse të gjitha vendeve të NATO-s dhe gati dy të tretat e OKB-së, por me kundërshtarë të cilët në mënyrë të dukshme kanë agjenda specifike në rajon ose shqetësime separatiste brenda vendeve të tyre. Me fjalë të tjera, Kosova gëzon integritetin territorial me mbështetje shumë të gjerë ndërkombëtare.
Si rezultat i vendimit të GJND-së, një rezolutë e përbashkët e Serbisë dhe BE u miratua në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku bëhet thirrje për një dialog të lehtësuar nga BE-ja në mes të Kosovës dhe Serbisë për të normalizuar marrëdhëniet që synojnë të nxisin bashkëpunim dhe të arrijnë përparim në rrugë drejt BE-së, gjë që nuk është e arritshme për Serbinë pa njohjen e sovranitetit të Kosovës. Dialogu ka vazhduar që nga viti 2011 dhe ka prodhuar marrëveshje të panumërta për çështje teknike, dukshëm në përputhje me objektivat e synuara, por pak prej të cilave aktualisht kuptohen mirë, zbatohen apo respektohen nga institucionet Serbe. Përkundër këtyre realiteteve, përfaqësuesit e Kosovës disi ndjehen të detyruar të bëjnë oferta dhe koncesione ndaj Serbisë në këtë udhëkryq, duke lënë parlamentin, fraksionet e tjera të qeverisë dhe publikun nga shkëmbimet aktuale. Sipërfaqësisht kjo duket të jetë keqe e këshilluar, pasi që çdo pozicion për kësi lloj çështjesh, do të kenë mundësi shumë më të mëdha për sukses nëse bëhen në nivel të unitetit kombëtar. Institucionet Shqiptare më gjerë në rajon, të cilat do të duhen të luftojnë gjithashtu me pasojat e mundshme të këtyre negociatave, duket se nuk janë konsultuar dhe as nuk janë pjesë e ndonjë fronti të unifikuar diplomatik. Kjo duket e gjitha si një eksperiment i rrezikshëm, me devijim nga progresi në shumë fronte. Diaspora gjithashtu nuk ka ide se çfarë të bëjë me këto veprime dhe e gjen veten të rrethuar me spekulime cinike.
Vlen gjithashtu të theksohet se Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshim kushtetues dhe një ligj për krijimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës, si pjesë integrale e sistemit gjyqësor në Kosovë, për të ndjekur penalisht krimet e paraqitura në raportin e Këshillit të Evropës të 2011. Këto përpjekje duhej të financoheshin dhe nisnin punën e tyre, por përpjekjet e tilla duket se kanë ngecur, mbase në pritje të zhvillimeve politike nga negociatat në vazhdim, të cilat duket se inkurajohen nga Federica Mogherini, udhëheqëse e politikës së jashtme të BE-së, madje edhe përkundër kundërshtimit të Gjermanisë dhe vendeve të tjera të BE-së. Kjo qasje po krijon më tej ndarjen në mes faktorëve shqiptarë dhe është për keqardhje. Frika ime më e madhe për këtë iniciativë të veçantë është se këto gjykata ndjekin vetëm Shqiptarët etnikë dhe përfundimisht përpiqen të barazojnë krimet e pak Shqiptarëve, me krimet e tmerrshme kundër njerëzimit të kryera nga regjimi Serb, ndërsa mijëra persona të zhdukur Shqiptarë ende nuk janë gjetur e asnjë serb nuk është duke u ndjekur nga askush për krimet e tyre në Kosovë, përfshirë humbjen e 3 qytetarëve Amerikan, vëllezërve Bytyqi. Kjo padrejtësi do të vazhdojë të nxisë gacat e zjarrit në gjithë Ballkanin.
Një tjetër nënprodukt i dukshëm i Planit të Ahtisarit i cili e lehtësoi pavarësinë e Kosovës ishte krijimi i Trupave të Mbrojtjes së Kosovës të drejtuar nga NATO, që filloi me kufizime të rrepta por pritej me prioritet të zhvillohej dhe transformohej në një ushtri të rregullt, për tranzicionin e Kosovës në strukturat euroatlantike.
Ndoshta si reagim ndaj të gjitha pakënaqësive me status-qo, parlamenti i Kosovës ratifikoi dhe filloi hapin e parë të shumë hapave të gjatë për të krijuar një aparaturë ushtarake përgjegjëse në Kosovë, por kjo duhet të merret me shumë kujdes që të mos armiqësohen aleatët tanë të NATO-s dhe të kenë përshtypje se Shqiptarët kanë ndonjë qëllim përtej mbrojtjes së kufijve të tyre.

Cila duhet të ishte marrëveshja, sipas jush, që Kosova duhet ta synojë në dialogun me Serbinë?

Richard Lukaj: Ndjej fuqishëm që Kosova, duhet të rritet dhe të pjekët si një vend me aftësitë më të mira, pa marrë parasysh motivet serbe. Kosova mund të pastrohet nga korrupsioni, të pastrojë gjyqësorin, të krijojë institucione të transparencës dhe të lejojë vendin të rritet nga investimet që do të rezultonin prej saj. Rritja e ekonomisë duke u kujdesur për mirëqenien e të gjithë qytetarëve të saj, do ta bënte Kosovën një vend model në rajon. Kujdesi për mjedisin natyror, investimi në arsim, kujdesi shëndetësor dhe sigurimi i profesionalizmit në të gjitha institucionet e saj, do të sjellë llojllojshmëri fleksibiliteti dhe progres për të ardhmen e Kosovës.

Kosova gjithashtu duhet të kërkojë reperacione masive ekonomike në gjykatat ndërkombëtare, për dëmin që Serbia u ka shkaktuar qytetarëve të saj, si dhe bllokimin e aseteve të Serbisë në Kosovë me ndihmën e urdhrave të këtyre gjykatave për të siguruar pagesat që do të rezultonin nga vendimet e këtyre gjykatave. Këto janë veprime të shteteve serioze që luftojnë për popullin dhe ofrojnë mbështetje shtetërore për rastet e individëve që kërkojnë dëmshpërblim të mëtejshëm në rastet civile të lidhura me Serbinë, nëpër gjykata dhe media të huaja. Serbia nuk mund të hyjë thjesht në Evropë pa marrë parasysh të kaluarën e saj. Duhet të mbahet në llogari për të kaluarën.

Si i shihni zhvillimet e fundit ne Kosovë, sidomos në idenë e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, për ndryshimin apo korrigjimin e kufijve?

Richard Lukaj: Nuk e kuptoj çka e motivon atë dhe diplomatët e huaj që punojnë me të, por jam shumë i interesuar të kuptoj.

A konsideroni se është ende si opsion ideja e ndryshimit të kufijve?

Richard Lukaj: Kam frikë se është e vërtetë, por nuk ka gjasa të jetë në favorin tonë në këtë moment. Do të doja të besoja ndryshe dhe kisha dashur të jem gabim. Unë preferoj kufijtë e garantuar të NATO-s që aktualisht i kemi, kundrejt kufijve të rinj të siguruar nga një marrëveshje që do të kishim me Serbinë.

Z. Lukaj, diaspora ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Megjithatë, edhe pse ka kërkesa të vazhdueshme të mërgimtarëve që në Kuvendin e Kosovës, diaspora ta ketë ulësen e vet, kjo ende nuk është bërë realitet. E konsideroni këtë kërkesë të diasporës, si neglizhencë të partive politike dhe institucioneve?

Richard Lukaj: Në të vërtetë, edhe pse është një angazhim i bukur dhe i dëshiruar, kjo duhet të bëhet me kujdes në mënyrë që të shmangen rezultatet e padëshiruara dhe ndarje të mëtejshme ndërmjet vendeve të populluara me Shqiptar dhe atë të diasporës. Kjo është diçka që nuk ka ndodhur më parë me sukses, kështu që më së miri le të merret kohë për ta bërë si duhet. Shpresoj se këto janë arsyet për vonesat.

Ne fund , z. Lukaj, cili është mesazhi juaj drejtuar fillimisht shqiptarëve dhe po ashtu edhe liderëve të Kosovës dhe Shqipërisë?

Richard Lukaj: Uroj suksese të mëdha në Vitin e Ri, pasi që arritjet e tyre si nëpunës publik, vetëm se do të ndihmonin në krijimin e shteteve më të përsosura të kombit të madh Shqiptar në rajon dhe më gjerë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat