“New York Times” shkruan për mjeshtrin e orëve Rexhep Rexhepin

Diaspora

“New York Times” shkruan për mjeshtrin e orëve Rexhep Rexhepin

Më: 15 janar 2019 Në ora: 16:42
Rexhep Rexhepi

“New York Times” i ka kushtuar një artikull të veçantë gjeneratës së re të orëndreqësve. Këtë artikull ata e kanë filluar me shqiptarin Rexhep Rexhepi.

Rexhepi është orëndreqësi i cili u shpall edhe fitues në nëntor të vitit të kaluar për ora të meshkujve në Grand Prix d’Horlogerie të Gjenevës.

“New York Times” ka shkruar se edhe pse Rexhepi mund të mos ketë trashëguar një biznes të tillë, ai në moshën 31 vjeçare, është një kandidat i duhur në radhën e orëndreqësve të talentuar e që janë të përkushtuar ndaj kësaj zejtarie tradicionale,  përcjellë KultPlus.

Rrugëtimi i Rexhep Rexhepit pasqyron vështirësitë e tij personale dhe përkushtimin e tij në këtë fushë. I lindur në vitin 1987 në Zhegër, Kosovë, Rexhepi u largua në vitin 1999 nga Kosova, vendi i shkatërruar nga lufta për në Zvicër. Ai hyri në një program mësimi në Patek Philippe dhe më vonë punoi për BNB Concept, dhe për orëndreqësin zviceran François-Paul Journe.

Në vitin 2012, në ditëlindjen e tij të 25-të, Rexhepi hapi punëtorinë e vet në zonën e Qytetit të Vjetër të Gjenevës, duke përdorur 100,000 franga zvicerane nga kursimet e tij. Në fillim, ai prodhoi kryesisht prototipa për markat e tjera ndërsa në vitin 2015, ai filloi të fokusohet në zhvillimin e AkriviA.

AkriviA tani punëson gjashtë ortarë, duke përfshirë edhe vëllain e vogël të  Rexhepit dhe prodhon rreth 30 orë në vit. Në kohën e robotikës, vizioni i Rexhepi fokusohet në punëdore dhe inspirohet nga epoka klasike e shekullit të 18-të.

Image

“Ne mbrojmë vlerat tradicionale që po humbasin sot”, ka thënë Rexhepi. “Mund të jemi të rinj, por ne mbështetemi në traditën për të ecur përpara”, thekson ai duke treguar se realizimi i një orë i merr edhe deri në 8 muaj punë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat