Plisi traditë, histori dhe dinjitet kombëtar

Diaspora

Plisi traditë, histori dhe dinjitet kombëtar

Nga: Remzi Basha Më: 23 janar 2019 Në ora: 22:19
Remzi Basha

Që kur isha i vogël dhe akoma nuk isha futur ende në rrjedhën e shkronjave, shihja me vemendje të madhe bacën tim dhe burrat e fshatit me një veshje të bardhë në kokë. Në xhepet e jelekëve të tyre kishte një kuti me duhan që ata e zbraznin në sofrat e burrave apo në hijen e pemëve në arat e fshatit im.

Nëse kutitë edhe ndërroheshin nga një dorë në tjetrën plisat ishin përherë aty në majë të kokave të tyre. Nën të kishte flokë të zez apo dhe flokë të thinjur. Jo rrallë plisat viheshin edhe mbi flokët e grave luftëtarwve për liri të kombit tonë.

Natyrisht isha i vogël për ta kuptuar se në cilën rrugë kishte pas bërë ai plis që ishte bërë si pjesë e jetës bash si pushka, bash si djepi, si sofra e magjia e bukës, bash si parmenda e arave, bash si furka për nënat tona që tirrnin lesh të bardhë për të bërë triko çorape për djemtë burrat e familjes dhe të fisit.

Kur shkoja në Prishtinë apo në Prizren shihja disa dyqane ose dugaja si i thonë në Kosovë ku bëheshin plisat me atë leshin e bardhw e fort të zgjedhur të deleve. Më të krihnin lesh që e përdornin për ta bërë plisin

Shihja në fotografi foton e Isa Boletinit, të Syl Vokshit, Haxhi Zekën e mjaft heronj të Kosovës që luftuan e punuan për kombin tonë dhe më dukej vetja edhe më i madh edhe më krenar kur i shihja me plisin e bardhë në kokë.

Kur po rritesha pak nga pak, pashë se emrin e plisit e përdornin më shumë edhe këngëtarët e fshatit apo dhe më larg ku ia ndernin telat çiftelive lahutave dhe tupani ua bënte më të bukur, melodinë që ndizte sytë dhe këngët e valltarëve të krahinës. Jo, bre, të gjithë bëheshin valltarë me plisa në kokë kur niste ai kërcim i bukur në një livadh a një një odë burrash.

Duke u bazuar në të dhënat se dalmatët janë marrë kryesisht me blegtori, jemi të mendimit që, përveç Kaonisë, si qendër për prodhimin e plisit ka qenë edhe treva tjetër ilire, ajo e Dalmacisë (Dalmatia).

Sa i përket fjalës plis, mendohet që rrjedh nga gjuha e vjetër greke “Pilos”, që d.m.th., kapelë e zbrazët (boshe). Në “Fjalorin e Gjuhës Shqipe” (Tiranë 2006) fjala plis e ka kuptimin cohë jo e endur, por që bëhet me lesh të shkelur (ngjeshur) mirë dhe të larë disa herë me sapun. Në gjuhën latine fjala plis (pileus, i, m. pile) kësulë, plisi: simbol lirie: servos ad pilum vocare, thërras skllevërit për kryengritje; pileum redimere, fitoj lirinë. Megjithatë, kjo mbetet të studiohet më shumë nga studiuesit e fushave të etimologjisë, linguistikës, arkeologjisë etj.

Gojëdhana e hasur gjithandej në Shalë por edhe në Kelmend mban që plisi konik me maje që është karakteristik për Malësi (Dukagjin) deri në Kosovë në rrafsh të Dukagjinit simbolizon panënështrushmërinë. Duke e demonstruar bashkëbiseduesit tonë e heqin plisin dhe duke bërë katror tregojnë dallimin me tjerët. Ajo që ka plisin me maje të qartë është e vetëqeverisur, plisi pa maje, jo. Malësia ka qenë e sunduar por, jo e qeverisur – theksojnë ata duke dashur të vënë në pah vetëqeverisjen tradicionale gjatë gjitha kohërave dhe pushtimeve në histori.

Është interesante të behët një vlerësim më profesional rreth veshjes që me bukurinë e saj ka tërhequr vëmendjen e gjithë të huajve, udhëpërshkruesve dhe diplomatëve të kohës që u ndeshën me të. Në shikim të parë e njëjtë- tirqit e bardhë me gajtanë, jelekw, gjerdanw, xhurdi, gëzof, xhubleta etj. Në fakt, siç e thekon edhe baron Nopça secila i ka detajet e veta dhe vetëm vendorët dinë t’i kapin e bëjnë dallimet se kush nga cili rajon çfarë veshje karakteristike dalluese mbanë.

Origjina e PLISIT është aq e vjetër sa dhe vet raca njerëzore. Plisi është rrënjë e trojeve të shqipeve, traditë vetëm e paraardhësve pellazgo-ilir.

Dikur plisin e vinin mbi kokë vetëm të përzgjedhurit, si Zeusi, Akili, Herkuli dhe më vonë Odiseu, Pirro i Epirit, Leka i Madh etj.

Sot plisi gjendet në çdo familje të trojeve tona, në veri e në jugë në formën e tyre të ndryshme pak po të njëjtë si plisin.

PLISIN e gjejmë në shumë statuja dhe piktura të lashta të antikitetit.

Plisi është një kapele që kryesisht e mbajnë në kokë shqiptarët. PILEUS përkthehet shumë lehtë në gjuhën shqipe që do të thotë “prej leshi”. Në zonën jugore të Shqipërisë njihet edhe me emrin ÇELESHE, pra PILEUS-PLIS-ÇELESHE.

“Ndër faktet e shumta që na bëjnë të argumentojmë se ne jemi prej ardhës të Pellazgëve ne mund të argumentojmë dhe PLISIN, këtë simbol të madh Pellazg, kjo gjenezë e parë e racës sonë”, na e tregon studiuesi Myrteza Minxha.

Sot në internet mund të gjejmë informata të shumta se nëpër Muzetë Kombëtare gjithandej globit, ekzistojnë shumë figura antike që kanë PLISA në kokat e tyre.

“Shumë heronj të luftës së Trojës kanë diçka që mbajnë në kokë diçka të tillë. Në qoftë se mund të themi se historia e Trojës është 3 apo 4 mijëvjeçare p.e.s mund të themi që të paktën PILEUSI (latinisht) apo PLISI është minimum 6.000 vjeç,” Klodian Hoxha, studiues.

Nga vjen fjala “ Plis” PLISI (greqisht: PILOS, i njohur edhe si PILLEUS ose PILLEUM në latinisht) është një kapele, e cila si fjalë ndeshet që tek Homeri “Iliada”, i cili e përshkruan si një kapele që ndërthuret prej fijeve të leshit.

Në të gjitha gërmimet që bëhen, arkeologjia, pikturat, skulpturat, Zeusi, Odiseu, të gjithë në botë janë me PLIS. Kush përveç shqiptarëve në botë mban PLIS në kokë, ASKUSH.

.Deri sa ne si shqiptarë vazhdojmë të mbajmë PLISA në kokë, në trevat e banuara me popullatë sllave askush nuk e përdorë këtë kapele që e ka mbajtur dhe Leka i Madh, për të cilin 20 vitet e fundit Maqedonia ka zhvilluar një fushatë të egër për ta përvetësuar e prezantuar si maqedonas.

Përqeshja që dikur, por edhe sot me pa vetëdije ua kanë bërë shqiptarëve popujt sllavë, vetëm konfirmojnë edhe njëherë se ZOT SHTËPIE në këto treva janë SHQIPTARËT, pasardhësit e PELLAZGO-ILIRËVE.

Studimet për plisin kanë përfshira mjaft studiues shqiptarë dhe të huaj. Ata na kanë vlerësuar idenetitittin e shqiptarëve nëpërmjet këtij objekti të rrallë e të papërsëritshëm të trojeve tona.

Janë disa Shoqata në Shqipëri e në Kosovë apodhe në Diasporë që kanë bërë prej disa vitesh aktivitete masive mbarëkombëtare për Plisin.

Madje Shoqata Mbarëkombëtare

“Bytyçi” me qendër në Tiranë e në Prizren ka shpalosur një projekt të madh për ta bërë si komb një Ditë për Plisin duke e quajtur atë Dita e Plisit.

Mjaft poetë të mbarë trojeve shqiptarë duke përfshirë edhe diasporën kanë bërë me qindra poezi, tekste këngësh dhe shkrime për plisin duke e bërë atë të njohur për brezat të rinj.

Janë botuar dhe himne për plisin

Janë botua poema dhe mjaft libra dokumentarë dhe poetikë për plisin

Studiuesi dhe poeti i njohur çam Namik Selmani ka bërë një ese mjaft të bukur për plisin duhe treguar me plot detaje edhe emocion këtë traditë. Një një parathënie të një libri-enciklopedi që është botuar në Tiranë posaçërisht për plisin ai shkruan ndër të tjera:

“E ustai i atyre qelesheve, me një ballë të djersitur, me një lehtësi të çuditshme, e krihte leshin e ardhur nga larg, nga disa dele që nuk e di se ku kishin kullotur e ku e kishin vënë leshin e tyre të butë. Me atë lesh, me të cilin bëheshin edhe trikot e burrave të lodhur e që merrnin shumë herë udhë të largëta deri matanë oqeanëve, që bënin çorapet e dimrave të egër apo dhe dorezat, ose dhe ndonjë velënxë leshi. E i përkëdhelte butësisht ustai, ëmbëlsisht sa në një moment, mund ta quaje atë usta edhe “ustai i përkëdheljeve”. Ia hiqte leshin e tepërt me një brisk të hollë që edhe çdo gjë e imët të hiqej nga qeleshja. E shkumonte, e vinte në disa forma të përgatitura më parë me dru. Më tej, në një vetrinë të thjeshtë, pa shumë drita ( ishin vitet 60 e 70) ato radhiteshin ashtu si kokat e pikturuara të Omer Kaleshit që do t;i shikoja në rininë time aq të etur për dituri dhe aq të etur për identitet edhe ose në muret e vjetëruara të pallateve si milingonat, në vetrinat e dyqaneve të boshatisura ku prisnin listat e fletoreve gjysëm të grisura, në muret e shkollave, në disa llamarina që vendoseshin në rrugë shkruhej me shkronja të mëdha TË JETOJMË TË PUNOJMË SI NË RRETHIM. Kur e vinin burrat në kokë, i vinin nganjëherë dhe një peshqir të vogël rreth saj. Diku, në Malësi, vinin një shqiponjë për ta bërë dhe më fisnik qeleshen, kapelen, plisin.

E më tej për të treguar dhe pjesën edukative dhe patriotike për të ai shkruan sërish: “E gëzimi ka qenë i papërshkruar nga të gjithë nga ata që kanë kërcyer me ta, nga ata që kanë kënduar me to në kokë, nga ata që kanë ngrënë Bukën e Miqësisë me to, që kanë dale një foto miqësore me to. E dalëngadalë edhe vargu do ta merrte këtë mison nderimi e kujtese. Jo vetëm ai varg kënge që e ka shtëpinë në tel të lahutës dhe në purtekën e lodrës, daulles apo të tupanit, por në një libër. Në një libër ku janë të gjithë bashkë si burrat në një kuvend si krushqit në një ode dasme, ku është dhe vargu i një poezie të thjeshtë, vargu i një poeme, por dhe përvoja e parë serioze për të bërë dhe një Himn. Po, një objekt kaq hyjnor e do edhe një LIBËR. Po edhe fotografia ka vendin e saj të gjithë jemi bërë paksa fëmijë kur jemi para plisit në kokë dhe asnjë nuk rri pa bërë një foto, pa marrë një kujtim të bukur.”

Në shekuj kupola e bardhë e plisit ka zbukuruar Pirron dhe epirotët.

Ajo mbetet dëshmi e lashtë në rrënoja antike që janë njëmijë herë më të besueshme se ligjaratat e studiuesve, historianëve, e kineastëve, e poeteve e politikanëve, e skulptprëve.

Ai mbetet e do të jetë përherë lavdi për mbarë mirditasit, për dibranët, për prizreasit ër prekazasit, për drenicarët, për Hotin e Grudën.

Ai do të na kujtojë Shote e Azem Galicën.

Plisi shqiptar u ka marrë përjetësinë gjithë hyjnive të rruzullimit dhe këtë është fare mirë që ta vërtetosh.

Po të shohësh sot në muret e rrënojet e mbetura të kalave ilire gjen me dhjetra piktura e relieve të luftëtarëve të kohës me plisa.

Edhe vetë malet shqiptare si Sharri, Tomori, Korabi, Shkëlzeni përjetësisht e kanë patur kapuçin e bardhë ose plisin mbi krye.

Duke e parë nga afër plisin, duke e prekur Brenda madhështisë së historisë, së gojëdhënave nga më të bukurat që mund të ketë një komb, duke e vënë atë në krye së bashku me shqiponjën dykrenare në ballin e tij, të vjen të bësh një betim të ri që ti dëshiron ta bëjë dhe fëmija yt, dhe nipi yt sot e mot.

“Pasha ngyrën e Plisit të bardhë! Me të unë jam në të njëjtën kohë edhe suharekas, edhe tropojan, edhe dukagjinas. Pasha shpirtin e djemve të vrarë në luftë që kurrë nuk e hoqën nga koka plisin e bardhë!

Po të shohim histrionë e kulturës botërore sidomos atë të Ballkanit shohim se Plisin nuk e kanë vënë vetëm meshkujt por edhe grate.

Kështu nëse dikush e sheh me vemendje të madhe portretin e Helenës së Trojës ajo del dy herë me plisin e bardhë.

Ky plis është paraqitur në mjaft afreske, monedha të antkitetit dhe është prova më e fortë e identitetit të shqiptarëve në kohërat e lashta.

Një provë mjaft interesante të pwrdorimit të Plisit në kohën e Mesjetës na e jep dhe studiuesi Prend Buzhala në një temë që ai e ka paraqitur në Simpoziumin kushtuar Ditës së Plisit në Kosovë.

Ja si thotë ai ndër të tjera në këtë temë: “Edhe Kanunui e trajton veshjen në mënyrë të veçantë. Te Kanuni i Lekë Dukagjinit Plisi përmendet ekskluzivisht si pjesë e veshjes së shqiptarit.

Kështu duke u marrë me seriozitetin më të madh vënia e drejtësisë së kufijve të pronës në kanun thuhet: “ paragrafi 248. Po iu dha plakut guri dhe plisi i vuni në krah e u vu për me diftue kufijtë, nuk mund të dalë kush me e ndalë, por i thohet: “ Prij, pra e po mos punojsh me të drejtë, kjo peshë t’u randoftë n’at jetë..”

Edhe çmimi që caktonin zejtarët e plisit nuk ishte i lartë për të mos u përballuar edhe nga ata që nuk kishin shumë mundësi ekonomike. Blerja e një plisi të ri bëhej në prag të festave kombëtare popullore apo në ceremonitë fetare që bëheshin në trojet shqiptare.

Sot plisi është bërë një objet mjaft i dashur për të gjithë shqiptarët e diasporës në Gjermani Zvicër, Suedi, Angli, Amerikë., Kanada, Australi, etj dhe nëse dikush të jep dhuratë një plis, atëherë quhet një nder i madh që të bën.

Edhe kur u bë konvertimi i shqiptarëve në fe të ndryshme, plisi nuk ndryshonte në kokwn e shqiptarit. Përherë shqiptari është kujdesur që ta ketë të bardhë e të papërlyer plisin.

Një dobi e madhe e përdorimit të tij ishte edhe beteja që mund të bënin shqiptarët me armikun.

Plisi mbi kokë ishte shenja dalluese ishte ajp që sot quhet kapelja e ushtarit, ishte shenja dalluese e shqiptarit në luftë.

Për shqiptarët plisi në dhe ka simbolizuar begatinë që të jep djersa plugu i parmendës. Plisi në kokë ka qenë simboli i krenarisë dhe i forcës. Me të në krye e në zemër ne duam që të jemi bashkë në secilin ditë e betejw që na prêt, qoftë me pushkë e qoftë edhe me penë. E shpesh them me vete se unë dhe të gjithë ne jemi plisa në vendim amë apo në kurbetin e largët ku na ka dërguar nevoja. Në këtë dialog kujtojmë të të tërë stërgjyshërit që u bënë farkëtarë të ëndrrës shqiptare për liri, për barazi me kombet e tjerë, për ëndrrën e bashkimit. E sërish më kujtohet Baca im ate në fshatin e largët të Kosovës.

….Kur e shihja atë kohë dhe e shoh me nderim dhe dhimbje tash në mermerin e bardhë të varrit, them me plot gojë se Plisi asht si një petale e bardhë. Ai do të ketë në shekujt tanë që ende nuk kanë ardhur bekimin e yjeve, bekimin e zotit.

Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat