Kozeta Miliku, misioni kuqezi i mjekes shqiptare në Kanada

Diaspora

Kozeta Miliku, misioni kuqezi i mjekes shqiptare në Kanada

Më: 2 shkurt 2019 Në ora: 17:32
Kozeta Miliku

Mjekja Kozeta Miliku ka kapur vëmendjen e medies në qytetin Winnipeg në Kanada ku ajo jeton dhe ushtron profesionin, pasi përveç detyrës si mjeke, ka marrë përsipër të krijojë një bashkësi kuqezi në këtë qytet. Historia e Kozetës sillet nga ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko.

“Mjekja Kozeta Miliku, mes karrierës akademike dhe nismës për të krijuar një bashkësi kuqezi në qytetin Winnipeg në Kanada”, thotë ministri duke përcjellë edhe një artikull në medien kanadeze për mjeken shqiptare.

Kozeta ka përfunduar studimet në Universitetin e Mjekësisë në Tiranë, doktoraturën në “Erasmus University Medical Centre” të Hollandës dhe tashmë ajo është duke kryer postdoktoraturën në “Children’s Hospital Research Institute of Manitoba”, në Winnipeg të Kanadasë.

Prej pothuaj një vit e gjysmë, së bashku me bashkëshortin Enrin, ata janë shpërngulur në Kanada. Prej ardhjes së tyre, ata kanë ndjerë nevojën e një komuniteti shqipfolës për të cilën dëshira për komunikim ka qenë dypalëshe. Duke kryer kërkimet e nevojshme, Miliku vuri re se nuk ka ende në Winnipeg një komunitet shqiptar aktiv. Duke u udhëhequr nga dëshira të shpirtit, edhe pse në provincën ku dëbora shtrohet më gjatë se kudo në Kanada, pa harruar edhe ngarkesën e jetës së saj të suksesshme akademike, Kozeta së bashku me ndihmën e disa shqiptarëve të tjerë, nuk ndaloi pa mbledhur shqiptarët e Manitobës siç ia donte zemra. Dhe ashtu u bë. Vullneti i saj i hekurt i bashkoi më 1 dhjetor 2018, shqiptarët e Manitobës për të festuar festën e flamurit shqiptar.

Për Albanian Montreal Press, Miliku tregon se ajo u ka parashtruar atyre një projekt me disa pika të përbashkëta për të gjithë shqiptarët e të gjitha krahinave. Sipas saj, projekti për komunitetin shqiptar do të ngrihet në tri pika, krijimi i një komuniteti shqiptar që do të shërbejë si një urë solide lidhjeje midis dy vendeve (Shqipërisë dhe Kanadasë) dhe do të ruajë identitetit kombëtar. Si pikë e dytë është formimi i shkollës shqipe dhe mësimi i gjuhës shqipe dhe e treta prezantimi i Shqipërisë në aktivitete kulturore të ndryshme (Folklorama). Në këto kushte është ngritur një grup pune vullnetar. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat