Reagim i Lobit Euro-Atlantik Shqiptar ndaj deklaratave të funksionarëve të Bashkimit Evropian për Kosovën

Diaspora

Reagim i Lobit Euro-Atlantik Shqiptar ndaj deklaratave të funksionarëve të Bashkimit Evropian për Kosovën

Më: 8 shkurt 2019 Në ora: 15:19
LOBI

Lobi Euro Atlantik Shqiptar, ka reaguar pas disa deklaratave të funksionarëve të Bashkimit Evropian për Kosovën dhe arritjen e një marrëveshje mes Kosovës dhe shtetit serb.

"Deklaratat e fundit të disa funksionarëve të Bashkimit Europian lidhur me arritjen e një Marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, për Lobin Euro – Atlantik Shqiptar, janë krejtësisht të papranueshme dhe shumë të dëmshme.

Kështu, prononcimi i zëdhënëses së Bashkimit Europian zonjës Maja Kociançiq, ditë më parë, në një konferencë për shtyp, se Kombinati metalurgjik «Trepça» duhet të jetë pjesë e temave të diskutimit në dialogun Kosovë – Serbi, është vetëm rasti i fundit në mesin e shumë të tjerave, që flet për një qasje jo konstruktive dhe jo serioze, që  minon procesin e dialogut.

Në këtë kontekst edhe përfaqësuesja e Lartë për bashkëpunim dhe siguri, Zonja Frederica Mogherini, është deklaruar se është për ndryshimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, nëse kjo mundëson arritjen e një Marrëveshje gjithëpërfshirëse.

Në këtë kuptim edhe komisionieri për politikë regjionale dhe integrime europiane, zotëri Johannes Haan para një kohe haptazi doli me kërkesën për heqjen e taksës 100% për produktet e Serbisë, edhe pse kjo nuk është në kompetencat e tij.

Si po duket, Bashkimi Europian e ka ngatërruar rolin e saj. Ajo duhet t’a dijë se roli primar dhe i vetëm i saj  është që të ndërmjetësojë dhe lehtësojë dialogun Kosovë – Serbi, e jo t’a luaj rolin e negociatorit duke propozuar agjendën e temave të dialogut, sepse në këtë mënyrë ajo  del jashtë kompetencave.

Lobi Euro – Atlantik Shqiptar, si organizatë mbarëkombëtare dhe legjitime e Mërgatës shqiptare, konsideron se deklaratat e këtyre funksionarëve të Bashkimit Europian, jo vetëm se janë të papërgjegjshme, të rrezikshme dhe të papranueshme, por  këto mund ta destabilizojnë Ballkanin Perëndimor.

Kjo sjellje e tyre tregon edhe një herë e më tepër dobësinë e Bashkimit Europian për ta çuar te para procesin e dialogut, prandaj edhe ngërçi dyvjeçar i dialogut është evident.

Nga kjo qartë shihet se Bashkimi Europian me veprimet e saja, po i del në krah Serbisë apo agresorit i cili shkaktoi luftëra të tmerrshme në hapësirat e ish Jugosllavisë, kurse Kosova edhe pse viktimë, trajtohet në mënyrë jokorekte duke e kushtëzuar me propozime krejtësisht të pakuptimta dhe të dëmshme.

Image
Kryetari i Lobit Euro Atlantik Shqiptarë z. Shukri Ymeri

Gjatë historisë, mirëfilli dihet se, shtetet që kanë humbur luftën, nga institucionet e komunitetit ndërkombëtar janë dënuar përmes gjykatave speciale duke ua ndryshuar kufijtë e shteteve humbëse dhe duke detyruar ato që  të paguajnë dëmet luftës.

Jo vetëm që kjo nuk ka ndodhë me Serbinë, por për fat të keq, Europa po sillet sikurse Serbia të ishte viktime e luftës, e jo Kosova. Në vend që Kosova të ndihmohej pas mbarimit të luftës me një «Plan Marshal», ajo ende mbahet e izoluar nga Europa duke aplikuar regjimin e vizave.  

Mangësia e Bashkimit Europian në dialogun Kosovë – Serbi shihet në faktin se Serbisë, si humbës i luftës, po i mundësohet t’i parashtrojë kushte BE për njohjen e Kosovës, e cila madje është fitimtare e luftës. 

Me këtë rast, Lobi Euro–Atlantik Shqiptar, i drejtohet  institucionet europiane, e në veçanti funksionarëve të lartëpërmendur, se  pse ata nuk e pyesin Serbinë: 

-  pse Serbia nuk i zbaton Marrëveshjet e arritura me Kosovën,

-  pse Serbia lobon kundër pranimit të Kosovës në UNESKO dhe Interpol,

-  pse Serbia vite me radhe  vazhdimisht bënë fushatë agresive për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës,

-  pse Serbia bënë fushatë për tërheqjen e njohjeve të Kosovës, dhe shumë pyetje të tjera.

Funksionarët e lartpërmendur këto pyetje duhet t’ia adresojnë Serbisë, e jo   të japin deklarata të pamatura që minojnë procesin e dialogut, duke kritikuar Kosovën, respektivisht Bashkimi Europian duhet ta ndalë presionin që po i bëhet Kosovës dhe më shumë të merret me mosveprimet e Serbisë dhe bllokimin e procesit të dialogut. Për fat të keq Serbia po arrinë, që përmes makinerisë propaganduese të saj të specializuar, vazhdimisht të viktimizohet para faktorit ndërkombëtar. 

Përfaqësuesit e institucioneve europiane duhet të jenë shumë më të matur në deklaratat dhe veprimet e tyre gjatë dialogut duke ruajtur neutralitetin e nevojshëm sepse nuk duhet harruar faktin se Republika e Kosovës është shtet i pavarur, i njohur nga mbi gjysma e shteteve të botës, një proces dhe fakt i pakthyeshëm  i konfirmuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. 

Kufijtë e Republikës së Kosovës janë përcaktuar me Kushtetutën e RSFJ në vitin 1974, kur Kosova sipas saj ishte element konstitutiv i federatës jugosllave, njësoj sikurse republikat tjera. Rrjedhimisht të gjitha shtetet që e kanë njour Republikën e Kosovës, e kanë njohur me kufijtë e asaj Kushtetute.

Vlen të theksojmë se Lobi Euro – Atlantik Shqiptar, edhe më herët, qartë është shprehur se është për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë me qëllim të arritjes së një Marrëveshje gjithëpërfshirëse definitive, ligjërisht e obligueshme për të dyja palët, me njohjen reciproke dhe të garantuar ndërkombëtarisht, mirëpo pa prekjen e kufijve. 

Lobi Euro – Atlantik Shqiptar, në dialogun mes Kosovës – Serbisë,  konsideron se duhet të diskutohen, përveç tjerash,  këto tema, që Serbia :

-t’a pranojë gjenocidin e ushtruar në Kosovë,

-t’i dorëzojë kriminelët e luftës para drejtësisë,

t’i pranojë përdhunimet e vajzave dhe grave kosovare duke ju siguruar pension të përjetshëm,

-të zgjidhet problemi i të pagjeturve,

-të përcaktohen dëmet e luftës, të cilat arrijnë shumën e mbi 25 miliard dollarëve,

-t’i kthejë Serbia të  gjitha dokumentet dhe artifaktet si dhe shumë kërkesa tjera dhe në fund duhet të vjen edhe

- njohja reciproke me garanci ndërkombëtare.   

Lobi Euro – Atlantik Shqiptar po ashtu konstaton pasivitetin e diplomacisë së Republikës së Shqipërisë në arenën e diplomacisë ndërkombëtare, e cila gjer më tani është treguar shumë e rezervuar. 

Po ashtu edhe dy Akademitë tona të Shkencave duhet t’a japin kontributin e tyre në këtë proces shumë të rëndësishëm për kombin shqiptar.

Prandaj për arritjen e Marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, duhet një mobilizim mbarëkombëtar i të gjitha resurseve njerëzore të shteteve tona amë me qëllim që mos të na ndodhin gjërat në befasi".

Kryesia e Lobit Euro – Atrlantik Shqiptar me kryetarin e Lobit Euro Atlantik Shqiptarë z. Shukri Ymeri

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat