Vlera të mirëfillta të diasporës shqiptare

Diaspora

Vlera të mirëfillta të diasporës shqiptare

Nga: Baki Ymeri Më: 21 shkurt 2019 Në ora: 21:55
Hazir Mehmeti

Veprat e suksesshme janë ato që i mundësojnë lexuesit të përjetojë ndjenja personale. Disa shkrimtarë, kur ia japin fomën definitive një vepre, krijojnë përshtypjen se kanë ndërtuar një kala. Hazir Mehmeti është një idealist dhe tradicionalist modern që kultivon me dashamirësi subjekte historike, patriotike, sociale dhe kulturore, duke qenë një njohës i mirë i ambientit shqiptar, jo vetëm në vendlindje por edhe në diasporë. Libri i tij (Kohëthyerja) debuton me një përkushtim dedikuar prindërve: “Nënës sime Hamide dhe tim et Ramadanit, rikujtim të netëve pa gjumë në pritje të të birit”

Tregimet e Hazir Mehmetit përbëjnë një ditar të mirëfilltë të një panorame historike dhe kulturore të universit shqiptar në koordonatat gjeografike të saj. Ai ka aftësinë për ta shënuar me hollësi çdo detaj. Proza e autorit reflekton botën shqiptare në të gjitha segmentet e saj, që nga Kosova e Labëria, deri në Austri e Gjermani. Asgjë monotone dhe asgjë banale. Naracioni i Hazir Mehmetit është i qartë dhe i thellë, ndërsa stili i tij konçiz dhe i pasur.  Sipas vlerësimeve kritike, kuptojmë se proza është burrëria e krijimtarisë, ndaj lirisht mund të themi se Hazir Mehmeti e gëzon këtë epitet. Libri i tij i parë me tregime është një realizim i bukur artistik që autorit i bën vend në mesin e tregimtarëve më të shquar të letërsisë së sotme shqipe, me prirje drejt modernizmit.

Ftesa, Porosia, Erëdredha, Hijezeza, Lypësi, Kohëthyerja, Shëngjergji, Hetuesi, Shtegtimi, Arkivoli, Qielli tymzi, E ftuara, Udhëtimi, Gjurmë të mbuluara, Kulla e kujtimeve, Librashitësi, Me papirusin e lashtë, Kur gjethet vallëzonin shqiptarisht, Në ankthin e erës dhe Busti, janë 20 tregime nëpër të cilat parakalon bota fizike dhe shpirtërore e shqiptarizmit. Hazir Mehmeti shkruan me dritën e qartësisë logjike dhe psikologjike për ambientin shqiptar dhe natyrën humane të ngarkuar me përpjekjet permanente për mbijetesë, për personazhet e “ngarkuara” me gëzime dhe trauma, me gjendje dhe përjetime në strategjinë e një naracioni objektiv: “Në mjegullën e përgjumësisë ëndrra u shua në hijezimet e bebëzave që zgjoheshin në pamjen e parë të ditës.”

Përpjekjet e autorit për kultivimin e prozës shqipe janë një kërcim cilësor të cilin e nxjerr në dritë kjo vepër. Jeta e personzahve nuk është një ëndërr e parealizuar por një fakt real. Lexuesin e josh talenti i autorit për përshkrim dhe funksioni emotiv i diskursit. Duke shkruar për të tjerët, autori e interpreton vetëveten. Struktura e kësaj vepre me të cilën debuton në fushë të tregimtarisë shqiptare, ka një rregull kronologjik të fakteve, duke i lënë vend kritikës për interpretime të reja letrare. Veprës i shtohet vlera, ngase i mungojnë mjegullat dhe manifestimet negative të protagonistëve. Lexuesin e josh stili dhe tonaliteti i rrëfimeve dhe përshkrimeve: “Përroi i Burimit ishte i rrethuar me frashër me kurora madhështore rrëzë kodrës nga fillonin pyje të paskajshme. Gurgullima e përroit ishte pjesë e mësuar e dëgjimit e cila nuk ngatërrohej me asnjë zë apo zhurmë tjetër, kjo na ndihmonte kur ne kërkonim ndonjë nga bagëtitë e mbetura mbrapa apo kur vëzhgonim të fshehur lëvizjet e ndonjë derri, dhelpre apo kaprolli drejt përroit.” (Erëdredha)

Veprës respektive nuk i mungojnë imagjinata e bujshme, përfytyrimet artistike, metaforat dhe figurat tjera stilistike. „Vjeshtë. Të gjithë vraponin pas kohës. Përreth natyrë, ku njeriu do lodhët duke i ndjekur me shikimin e tij lojën e reve me rrezet e  diellit që shkëlqenin herë pas herë horizontit. Ato lëviznin me shpejtësi, sikur donin të grabitnin hapësirën e kaltër qiellore. Për syrin e një dite do ishte ngarkesë numërimi i ndërrimeve të hijeve që dukeshin sikur vraponin mbi pullaze e kopshte. Majat e pishave lëkundeshin në pasqyrën e kaltër qiellore ku dallëndyshet me fluturimet e tyre vizatonin hartën e rrugëtimit drejt jugut. Ato do fluturojnë mbi atë copë toke ku hapa sytë. Tokë e vuajtur, e ujitur me lot. Sikur të ishim edhe ne dallëndyshe. Por jo, ne jemi njerëz. Aty ku lind njeriu, aty i pushon qenia e tij.” (Kur gjethet vallëzonin shqiptarisht)

Hazir Mehmeti e then embargonë e heshtjes së disa krijuesve që kanë talent, por nuk kanë kohë në perëndim për shprehjen e talentit të tyre me shkrim. Përveç Dedë Preqit, rrallëkush nga krijuesit e diasporës na jep përshkrime të bukura të vendlindjes si ky: “Mëngjesi rendonte me tërë peshën e mbetjeve nga nata. Pagjumësia e shoqëruar me urrejtjen ndaj padrejtësive kishin formuar një lëmsh të madh, shumë të madh, në gjoksin e Petritit. Autobusi i mbushur me udhëtarët e përgjumur nga nata lëvizte dredhas nga pesha rrugës me gropa kushedi kur e ndërtuar. Petriti me shokun e tij Dritonin, ulur në karriget e para,  përcillnin rrëshqitjen e pikave nga avulli xhamave të autobusit në brazda lakore derisa ndaleshin dhe prapë fillonin rrëshqitjen në mbushjen e re ujë avulli nga aq shumë udhëtarë.” (Ftesa) Autori e pasuron fjalorin e gjuhës me sintagma të reja. Ai e stimulon njëkohësisht lirinë e mendimit dhe botën e meditimit. Në tekstet e kësaj vepre ballafaqohemi me përdorimin korekt dhe preciz të fjalëve, me formulimin e disa mesazheve personale në situata konkrete të komunikimit.

Hazir Mehmeti ka talent për përshkrime të gjera dhe analiza psikologjike. Ai është një njohës i mirë i gjuhës shqipe dhe universit tonë kombëtar. Autori e pasqyron me besnikëri historinë paraprake dhe aktualitetin e evenimenteve në mënyrë sinkronike dhe kronologjike. Ai din të gjurmojë në arkivin e jetës duke na dhënë një dhunti që shëmbëllen me lindjen e një fëmije, me përkushtimin tonë për të mihur një fontanë për shuarjen e etjes së shtegtarëve, për të mbëltuar një pemë, apo për të ndërtuar një shtëpi për pasardhësit e tij.

Botimi i një libri nuk është vetëm një akt kulturor, por edhe patriotik. Çdokush e din se patriotizmi është dashuria ndaj vendlindjes, ndaj dëshmorëve të kombit, ndaj traditave dhe personave që kanë qenë pranë teje gjatë gjithë jetës. Ndjenja e patriotizmit është një rrugë e mundimshme e krijimit që të shpie në realizimin e idealit. Kjo është një degë e artit që përfitohet me punë permanente dhe me dije. Duke u dhënë kuptim fjalëve, përfundimisht mund të themi se autori i kësaj vepre inkorporohet në rangun e krijuesve tanë të talentuar, të cilët dinë ta kultivojnë me mjeshtëri artistike prozën realiste. Përkthimi në gjuhën rumune i kësaj përmbledhjeje, dëshmon një plan strikt subjektiv, sentimente që kalojnë nga hapësira kombëtare në atë letrare. „Kohëthyerja e Hazir Mehmetit është një vepër vlerash të veçanta që nuk guxon të mungojë në bibliotekat tuaja!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat