Festa e 11-vjetorit të Pavarësisë në Qendrën Kulturore të Kosovës

Diaspora

Festa e 11-vjetorit të Pavarësisë në Qendrën Kulturore të Kosovës

Nga: Qerim Kryeziu Më: 25 shkurt 2019 Në ora: 07:27
Malmo

Për 11- vjetorin e Pavarësisë së Kosovës Qendra Kulturore e Kosovës në Suedi organizoi një program kulturo-artistik në bashkëpunim me shoqatën e gruas “Kosovarja” nga  Malmö. Programi  rrodhi bukur, si rezultat i përgatitjes dhe planifikimit të mëhershëm.  Filloi në orën 16:00, me himnin shtetëror të Kosovës, në sallën e mbushur përplot me bashkatdhetarë. Njëqind vjet zgjati nata e errët e ndarjes, e luftës, e shpërnguljeve, e terrorit e gjenocidit- tha njeri prej moderatorëve. Njëqind vjet qëndroi e pamposhtur zemra e shpirti i kombit në pritje të kësaj lirie –tha moderatori tjetër.

Përshëndetjet dhe referimi

Dr. Muhamet Shatri, zyrtar ndërlidhës në Qendër, filloi fjalimin me përshëndetje të pranishmëve  dhe falënderime publike për bashkëpunëtorët e pastaj falënderoi Suedinë, deputeten e parlamentit suedez Hillevi Larsson,  shqiptarin Adnan Dibrani deputet në parlamentin e Suedisë, veteranët shqiptarë të luftë së UCK, familjet e dëshmorëve nga Suedia që ranë në luftë për pavarësinë e Kosovës dh nënkryetarin e qytetit të Landskronas Fatmir Azemin. Në fjalën e Dr. Shatrit spikati porosia që t´mos preken kufijtë tanë, jehoi bukur rikujtesa  e vargut të Poradecit “Mos ngritshim dolli po s´e bëmë një Shqipëri” . U ftua në foltore zonja Hillevi Larsson, e cila uroi Pavarësinë,  kujtoi njohjen e kësaj Pavarësie nga Suedia dhe legjitimimin e Gjykatës Ndërkombëtare të  Drejtësisë për këtë Pavarësi. Adnan Dibrani shfaqi kënaqësinë, solli pak përvojë parlamentare suedeze dhe shqiptoi porositë nga pozita e deputetit suedez.

Image

Kënaqësinë për Pavarësinë  e Kosovës e ndau me bashkatdhetarët edhe zonja Shyhrete Kastrati –drejtoreshë e Qendrave në Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike të Kosovës. Arton Krasniqi, konsull i Kosovës në Mbretërinë e Danimarkës u uroi gjithë bashkatdhetarëve lirinë e pavarësinë e Kosovës. Ndërsa Violetë Hoxha kryetare e shoqatës së gruas “Kosovarja” u shprehu mirëseardhje mysafirëve dhe u uroi festën.  Fjalën kryesore  për rëndësinë e 17 Shkurtit 2008 në historinë më të re të shqiptarëve e mbajti nxënësja Emma Osa. Emma lexoi qartë, bukur e me emocion. Potencoi sidomos kontributin e mërgatës shqiptare për liri dhe suksesin që arriti Forca e Sigurisë së Kosovës duke u shndërruar në Ushtri të Kosovës.

Programi artistik

Programin artistik e përgatiten nxënësit, mësuesit dhe anëtarët e shoqatës “Kosovarja” nga  Malmö dhe komuna e Eslövit. E filloi me recitim nxënësja Rita Ademaj me vjershën “17 Shkurti” dhe Lorena Berisha  me vjershën “Vendi im”. E vazhdoi grupi i valltareve me Vallen e Rugovës dhe me këngëtaren Blerina Osaj. I vogli shumë simpatik Darien Ademaj recitoi vjershën “Kosova” kurse Erjon Salihu vjershën “Gjuha shqipe”. Vjersha të bukura lexuan edhe Teuta Zeneli “Pavarësia”, Eli Osa “Shoku im”, Emma Osa “17 Shkurti” dhe “17 Shkurti Kosova Republikë”, Leona Hykolli “Krenaria”,  Dea Hykolli “Pavarësia”, Vanesa Osa “Vendi im” dhe Elita Berisha “Kukulla ime”.  Vallet “Shamia e beqarit” dhe “Vallja e Rugovës” u luajtën nga Emma Osa, Rita Ademi, Eli Osa dhe Vanesa Osa, kurse vallen e “Shotës “ e luajtën Ema Osa e Rita Ademi.  Një buqetë këngësh popullore kënduan Blerina Osaj e Gazmend Kelmendi dhe i shoqëroi  instrumentisti Mit´hat Nikezi.

Image

I gjithë programi artistik shkëlqeu. Vjersha e këngë tematike që përjetësonin ngjarjet historike, ngjarje që sollën lirinë e pavarësinë e Kosovës. Të veçantë ishin sidomos nxënësit . Ashtu të veshur bukur me petka kombëtare, me diksione të qarta e të forta shqipe, dukeshin si zogj shqiponjash , si fëmijë engjëj që shpërndanin në sallë  grimca shprese e jete. Mësuesit Rashit Berisha , Hyrije Gashi dhe Hajrije Syla morën shumë falënderime.

Përfundimi

Shoqata e gruas” Kosovarja”  me seli në Malmö kishte bërë përgatitje të mirë, të denja  për falënderime. Solli në lokalet e Qendrës ushqime të traditës kulinare shqiptare, qerasi gjithë të pranishmit dhe i dhanë natës festive ngjyrë kremtimi,  bereqeti e krenarie. Natë për t´u mbajtur në mend, shembull për t´u përmendur e model se si duhet festuar.

Image

Gjithë programi festiv u regjistrua nga Televizioni AlbSe , një televizion i ri ky në Suedi që u urua për suksese në horizontin e gjerë mediatik shqiptar. Aktiviteti kulturor i radhës mbahet më 9 mars në Qendër dhe ka për objekt 132 vjetorin e shkollës së parë laike shqipe  - Ditën e Mësuesit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat