Shqipëria ndan kombin

Diaspora

Shqipëria ndan kombin

Nga: Sylejman Salihu Më: 2 mars 2019 Në ora: 16:14
Ilustrim

Më në fund Shqipëria u kujtua të ndajë çmimin "Ambasador i kombit", në nderim të gjithë atyre veprimtarëve, që shënuan dhe lanë apo po lënë gjurmë në fusha të ndryshme të jetës mërgimtare si: arsim, kulturë, art, gazetari, biznes etj. Por një listë që po qarkullon nëpër portalet tona tregon se lista e të dekoruarve me titullin "Ambasador i Kombit" është pothuajse fund e krye nga Shqipëria. Kjo sa është e habitshme, aq edhe fyese.

Ne në diasporë asnjëherë nuk kemi bërë ndarje se nga janë shqiptarët, se fundja nëse në tokat tona etnike na ka ndarë dikush tjetër me dhunë, atëherë në diasporë kemi pasur shansin dhe mundësinë e mirë që të veprojmë të bashkuar si një trup i vetëm, tamam si shqiptarë të tërë e të bërë. Kështu ka ndodhur dhe kështu do të vazhdojë të jetë edhe më tutje me festat tona kombëtare "28 Nëntori", "17 Shkurti","7 Marsi" "8 Marsi" dhe të tjera të cilat organizohen nga bashkësitë shqiptare, klubet shqiptare apo Shkollat Shqipe, kudo që janë ato në mbarë globin tokësor.

Por derisa ne vazhdojmë të japim shembullin e mirë dhe frymëzues për gjeneratat e reja se si duhet të jetë kombi, dikush atje në Shqipëri ka një prirje për të çarë kombin tonë, i cili është një dhe i pandarë. Kjo ndodhi në Samitin e Diasporës, që po mban punimet e tij në Shqipëri, që tashmë organizohet formalisht, duke u përsëritur të njëjtat formula kakofonike të thëna sa e sa herë, pa u bërë asgjë konkrte.

Cilat ishin kriteret për të qenë kandidatë të këtij lloj çmimi në këto lista ne nuk i dimë, por mbase kriteri kryesor si duket paska qenë, që kandidatët të jenë nga Shqipëria dhe vetëm nga Shqipëria. Ju lumtë zotëri ministër i Diasporës, Pandeli Majko dhe bashkëpunëtoreve tu!

Ju lumtë për këtë ndarje, ju lumtë për këtë përçarje, ju lumtë për këtë fyerje! Mbase ju zotëri ministër edhe e keni treguar veten për ndarje dhe çarje, kur sapo morët postin e ministrit në Ministrinë e Diasporës në Shqipëri, erdhët me vrap në Gjermani dhe shkuat e vizituat Shkollat Shqipe me nxënës të mbushur nga fëmijët shqiptarë nga Kosova, por me mësuese nga Shqipëria, të cilat janë zonja të nderuara dhe shumë të vyera, por rendi e donte që të vizitonit të paktën edhe një mësues nga Kosova, për të qenë fundja edhe diçka krejt formale apo edhe vetëm sa për sy e faqe, siç do të thoshte popullin ynë i urtë. Tash kur këmbanat e titullit "Ambasador i Kombit" u dëgjuan gjithandej në globin tokësor, shqiptarët, e Kosovës dhe gjithandej të tokave etnike shqiptare pyesin me të drejtë: a nuk qenkemi ne pjesë e kombit shqiptar?

Çfarë bishti do të na vënë sundimtarët e Shqipërisë tash e tutje? S' qenkemi shqiptarë ne? Ku do të na hidhni? Diku tutje nëpër principatat tona? Përse e kemi quajtur kot Shqipërinë nënë dhe jemi rritur me emrin e saj në gojë duke duruar dajakun nëpër burgjet serbe, vetëm se donim të ishim bashkë me Shqipërinë? A thua ky është shpërblimi që e paskemi merituar?

Hë, thuaj. Fol, ministër! Por jo. Jo zotëri ministër, jo. Këtë fyerje ne nuk e durojmë, këtë përçmim nuk e meriton më shumë se gjysma e kombit! Ju duhet të shiheni me veten tuaj sy më sy dhe t' i thoni vetes kush jam unë e kush janë ata? Ç' jam unë e ç' janë ata, që nuk e merituakan të jenë të dekoruarit e kombit.

Ti që përgjëroheshe se të djeg shumë shpirti për Kosovën pse i le kosovarët jashtë listës? Nuk flasin shqip ata? Nuk e ndjejnë atdhe Shqipërinë ata? A nuk u tha se dy milionë shqiptarë nga Kosova pushuan në rivierat e Adriatikut dhe Jonit verën që shkoi? Ata erdhën te vëllezërit e vet, te kombi i vet, se ata mund të shkonin gjetiu, sepse edhe gjetiu ka det. Por jo, ne duam detin tonë. Duam Adriatikun, duam Jonin.  Kombin nuk ju lejon askush ta ndajë! Atë që e bashkoi Skënderbeu tash nuk guxoni ta ndani ju zoti ministër!

Sot kur pikërisht po  flisni nga Lezha,  te Varri i Skënderbeut, ju po shpërndani tituj që ndajnë!!! A thua nuk qenkan shqiptarët jashtë Shqipërisë të denjë për marrjen e një çmimi të tillë? Mos doni ta thoni edhe këtë? Të gjithë shqiptarët kanë luftuar për Shqipëri Etnike. Pse erdhën luftëtarët nga Shqipëria dhe dhanë jetën në Luftën e Kosovës? Ju zotëri Majko, nuk guxoni të shkelni në idealet e Indrit Carës dhe të Tahir Sinanit me shokë! Ata erdhën, bënë punën e tyre dhe ikën në amshim në Shqipërinë Etnike, atje ku rrinë bashkë të gjithë dëshmorët e kombit.

Erdhën se Kosova ishte atdheu i tyre. Mos zoti ministër, mos guxoni të na ndani, derisa kemi një prirje për t' u bashkuar edhe fizikisht edhe gjeografikisht, sepse shpirtërisht jemi tashmë një. Ti madje ke premtuar heqjen e kufirit por ja që tashmë na ndan përsëri! Këtë nuk guxoni ta bëni! Kombi është një dhe i pandarë!!Të gjithë jemi të një trungu dhe duam të gjithë t' i takojmë atij trungu përgjithmonë! Nuk e di çfarë çmimi meritoni ju të ju ndajmë ne si diasporë, por besoj nuk do të jetë shumë i lavdishëm për ju! Këtë duhet ta mendoni vetë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat