Nënshtetësia greke, ja cilat janë ndryshimet që prekin emigrantët shqiptarë

Diaspora

Nënshtetësia greke, ja cilat janë ndryshimet që prekin emigrantët shqiptarë

Më: 4 prill 2019 Në ora: 12:36
Pasaportat

Dispozitat e projektligjit të ri për nënshtetësinë greke tashmë janë votuar në parlamentin grek. “Gazeta Shqiptare” zbardh sot të gjitha ndryshimet që u votuan e që prekin interesat e shqiptarëve që jetojnë e punojnë në shtetin helen. Me të dhënat e reja intervista para komisionit për natyralizimin do të zëvendësohet nga një test standard, bazuar në pyetje të parapërgatitura dhe të publikuara. I pyetur nga “Gazeta Shqiptare”, ndërmjetësi ndërkulturor në ndihmë të emigrantëve shqiptarë në Greqi, Fatos Malaj thekson se ky test gjuhe mund të penalizojë shumë shqiptarë për marrjen e nënshtetësisë helene.

“Në këtë kuadër, për konstatimin e njohurive të kërkuara të gjuhës greke- me shkrim dhe gojë, parashikohet testim i gjuhës greke paralel me nivelin B1. Besoj se kjo procedurë rreptësisht e standardizuar mbart rrezikshmërinë të përjashtojë shumë shtetas të huaj, të cilët edhe pse kanë njohuri të mjaftueshme të gjuhës së folur, u mungojnë njohuritë gramatikore për të kaluar me sukses testin me shkrim”, bën me dije Malaj.

Më tej ky i fundit, thotë se qeveria greke nuk ka bërë asgjë lidhur me mësimin e greqishtes nga emigrantët. “Gjithashtu, është fakt i pamohueshëm mungesa e iniciativave të qeverisë për të organizuar mësime të gjuhës greke për të rriturit, me rezultat një numër i konsiderueshëm i kandidatëve të drejtohen në kurse private me kosto të lartë, çfarë e bën procedurën të papërballueshme”,-thotë ndërmjetësi ndërkulturor.

Dispozita e posaçme

Një tjetër dispozitë e papajtueshme në projektligjin për nënshtetësinë helene, është edhe ajo që parashikon ndërprerjen totale të procesit, për aplikantët që ndërkohë janë transferuar jashtë Greqisë (periudha kohore mbi 18 muaj) për arsye të ndryshme (studime, punë). “Dispozita në fjalë nuk duket të jetë e pajtueshme me të drejtën komunitare, e cila parashikon zgjerim të së drejtës së qarkullimit të lirë, lëvizshmërisë dhe vendosjes në vende të tjera të BE-së, për shtetas të vendeve të tretë me status të caktuar (banorë afatgjatë, disponues të kartës blu, anëtarë të familjes greke apo të shtetasve europianë)”, shprehet Malaj për “Gazeta Shqiptare”.

Ndërkohë, sipas ndërmjetësit, me të dhënat e reja, shtetasit e vendeve të treta jo vetëm që nuk do kenë mundësi të zbatojnë të drejtën bazë e të pamohueshme europiane për qarkullimin dhe punësimin e lirë brenda kufijve të BE-së, por shpërngulja e detyruar për një vend pune, nga kushtet e vështira ekonomike të vendit, do të bëhet dhe arsyeja e ndërprerjes së kontaktit me shoqërinë greke. “Kështu, rrezikohen të pezullohen kërkesat e të huajve, të cilët pavarësisht se janë integruar në jetën sociale e politike, detyrohen të qëndrojnë jashtë Greqisë, duke ruajtur gjithsesi lidhjet me vendin, në mënyra të ndryshme”,-thotë ndërmjetësi ndërkulturor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat