“Libri i luftës” promovohet para bashkëatdhetarëve në Republikën e Shtajmarkut të Austrisë - Bota Sot
“Libri i luftës” promovohet para bashkëatdhetarëve në Republikën e Shtajmarkut të Austrisë

Diaspora

“Libri i luftës” promovohet para bashkëatdhetarëve në Republikën e Shtajmarkut të Austrisë

Më: 2 maj 2019 Në ora: 23:30
Foto ilustruese

 Organizuar nga Këshilli Koordinues i Shoqatave shqiptare që veprojnë në këtë republikë, me seli në Graz dhe të nikoqirit Shoqatës kulturore sportive “Dardania” në Knittelfeld, “Libri i luftës” u mirëprit dhe u vlerësua si projekt shumë serioz, me rëndësi të posaçme, jo vetëm për publicistikën shqiptare, por edhe për historinë tonë më të re kombëtare.

Duke i përshëndetur pjesëmarrësit e promovimit, kryetari i Shoqatës kulturore- sportive shqiptare “Dardania” Enver Tershani, e vlerësoi lart punën e gazetarit e publicistit shqiptar Nuhi Bytyçi gjatë periudhës së kaluar mëse 40 vjeçare në shërbim të informimit të opinionit të gjerë, edhe të atij botëror lidhur me zhvillimet dramatike në Kosovë dhe në mbarë hapësirën shqiptare.

Ndërkaq, veprimtari i shquar shqiptar, arkitekti  Fatmir Osmani, në fjalën e tij lidhur me përmbajtjen e “Librit të luftës” dhe veprimtarinë e përgjithshme atdhetare të gazetarit e publicistit Nuhi Bytyçi, pos tjerash theksoi se ajo ishte shumë e begatshme dhe mobilizuese në shërbim të informimit për të vërtetën për Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi, në afirmimin e  sakrificës dhe të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, të UÇPMB-së dhe të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare për të drejta të plota kombëtare të shqiptarëve në trojet e tyre në Kosovën lindore dhe në Maqedoni, për ndriçimin e krimeve dhe të gjenocidit serb mbi popullatën civile shqiptare dhe për mbrojtjen e luftës së UÇK-së para Gjykatës ndërkombëtare në Hagë, rrugëtimin e Kosovës së lirë e të pavarur dhe shtetndërtimin e saj.

Ndërkaq, kryetari i këshillit Koordinues të shoqatave shqiptare të Shtajermarkut,  Valton Halimi dhe kryetari i Shoqatës kulturore sportive “Dardania” në Knittelfeld Enver Tërshani falënderuan autorin e “Librit të luftës” për punën e tij në publikimin e këtij libri dhe për vlerësimet e tij rreth kontributit të diasporës shqiptare në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe në proceset e tjera.

Gazetari Mentor Gashi rikujtoi rolin e mediave, e sidomos të gazetarit Nuhi Bytyçi para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Ai në mënyrë të veçantë çmoi përkushtimin profesional të Bytyçit për të informuar opinionin shqiptar dhe atë botëror me të gjitha zhvillimet shumë dinamike në Kosovë dhe të viset e tjera etnike shqiptare.

Pjesëmarrësit e këtij promovimi, Lulzim Muçaj, Vebi Haliti, Zeqir Buzhala e të tjera i shtruan edhe një varg pyetjesh autorit të “Librit të luftës”, Nuhi Bytyçit.

MBËSHTETET RIBOTIMI DHE PËRKTHIMI I “LIBRI I LUFTËS”  EDHE NË GJUHË TË HUAJA

Me këtë rast, bashkatdhetarët tanë që punojnë në Austri, mbështetën synimin e autorit të “Librit të luftës” për ribotimin e tij, e sidomos botimin edhe në gjuhën angleze, gjermane, franceze e të tjera.

Autori Bytyçi edhe me këtë rast ritheksoi se me botimin e këtij libri, ka realizuar obligimin e tij profesional dhe kombëtar që para opinionit shqiptar dhe atij botëror, të paraqesë në mënyrë reale sakrificën e madhe të popullit shqiptar të Kosovës drejt lirisë e pavarësisë së plotë të Kosovës, por edhe përpjekjet e popullit shqiptar në trojet e veta shekullore në Kosovën lindore, në Maqedoni e Mal të Zi për të drejta të plotë kombëtare dhe integrim në familjen e madhe evropiane.

Edhe me këtë rast, Bytyçi apeloi që diaspora shqiptare të mos përçahet, por të veprojë në mënyrë sa më unike dhe njëherësh të vazhdojë të japë kontributin e saj për zhvillimin më të hovshëm ekonomik të Kosovës dhe të viseve të tjera etnike shqiptare, që investojë më shumë dhe të ndalet largimi i mëtejmë i të rinjve dhe të rejave nga Kosova për shkak të mungesës së perspektivës.

“Libri i luftës” të premten më 3 maj në orën 18:00 do të promovohet edhe në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Vjenë, ndërsa më 5 maj në Kopër të Slloveni.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...