Lokomotiva letrare e mërgatës shqiptare - Bota Sot
Lokomotiva letrare e mërgatës shqiptare

Diaspora

Lokomotiva letrare e mërgatës shqiptare

Nga: Baki Ymeri Më: 10 qershor 2019 Në ora: 09:29
Sadulla Zendeli Daja

Shkrimtari është një krijues monumentesh letrare e morale, të krijuara me shpirtin e dorën. Historia e poezisë nuk mësohet por përjetohet. Shkalla e parë e njohjes historike është aktualizimi i një përjetimi. Për autorin e kësaj vepre nuk shuhet as jeta, as dashuria, as frymëzimi. Daja këndon këngën e tij për jetën e saj. Kush është ajo? Muza e tij, e dashura e tij, zana e lëndinave të Sërmnovës. Ai ëndërron malet, bjeshkët, rrugët, luginat, lëndinat e shtigjet. Dhe e kujton dashurinë e saj: “Dhe shpirti për ty më digjet”. Edhepse i ka mbushur 82 pranvera, shpirti i tij është ende i ri. Ai shkruan për shqetsimet e mërgimit, për botën e dashur, për vendlindjen dhe atdheun.

Në libër nuk mungojnë as poezitë e dashurisë dhe as ato me tematikë patriotike. Në jetën e tij ekzistojnë burime të pakufsihme energjie, që nga natyra e njerëzit, deri te fenomenet normale e paranormale, që nga shpirti deri te fjalët që defilojnë në bibliotekën e sentimenteve tona. Poeti vjen nga largësia apo nga tanishmëria prezente dhe shkon në ardhmëri nëpërmjet gëzimeve e shqetsimeve dilematike të fiksuara nga historia. Që të mos mbetet i vetmuar, atë e lexojnë, e inkurajojnë, e ndjekin dhe mbështesin njerëzit që gjatë kësaj rruge t’u bëjë ballë rreziqeve, duke i dhënë impuls për të vajtur nga suksesi në sukses dhe nga drita në dritë.

Daja është prezent në destinet e atdheut dhe ai ndikon që jeta të përfitojë kuptim në hipostaza të ndryshme. Për çdo ditë, duke u ngjitur, ai afrohet pranë zhurritjeve të mëdha bashkëkohore, duke mbajtur shëmbëlltyrën e botës së ëndërruar përmes kohës së tij, duke qëndruar kështu në ballë të turmave, njësoj si dëshmorët e kombit. Pa poetë dhe pa heronj, historia duket e ftohtë. Autori ngjitet për çdo ditë në majat e larta të frymëzimit. Duke iu afruar zhurritejve të mëdha bashkëkohore, poeti mban përfytyrimin e një bote të ëndërruar, e një ardhmërie të lumtur, të një Shqipërie të bashkuar. Daja shkruan për zjarrin e dashurisë: “Bukurija jote më mahnit!”. Po qe se i shijon praktikisht bukuroshet e Tiranës sonë, të Gostivarit të tij, të Mallmos apo Kallmarit në Suedi, konstaton se ato të bëjnë poet dhe ta shtojnë vullnetin për jetë!

Ja një letër e Dajës me sinqeritetin e tij! “Baki vëllai! Ia dërgova Fetah Bahtirit me banim në Uddevalla të Suedisë librin “Dëgjoni zemrën time” si dhuratë për Vitin e Ri. Ky është një drenicak i zgjuar. Ka qenë Drejtor dhe Nëndrejtor në një shkollë të Uddevallës, si dhe mësues i gjuhës shqipe dhe aktivist i njohur për çështjen kombëtare. Komplimentet pa lajka jam i vetëdijshëm dhe i pranoj me zemërgjerësi! Më duket se janë të tepruara “lavdërimet” që m’i bën ky atdhetar dhe të tjerë. Disa herë pyes veten në janë të vërteta? Kam një peshë në shpirt. Çka është kjo? Unë e shoh veten se shumë pak kam bërë për mërgimtarët dhe kombit tim, prandaj e var kokën dhe më vjen turp! Në anën tjetër shpirtërisht më japin forcë që të jetojë edhe disa vjet pas këtyre 83 pranverave që i kam në kurrizin tim.Besoj se i besoni kësaj që them!

Sadulla Zendeli Daja

VENDIMI IM PËR EMIGRIM ISHTE FILLIMI I VITIT 1966

Punoja si llogaritar i finansave në Sipërmarrjen e Hekurudhës Shkup, dega në Gostivar. Isha anëtar i partisë komuniste, delegat i komunës, delegat në komitet të partisë. Pozitat i kisha goxha të mëdha. Por kush na pyeste neve? Ishim vetëm në numër, sepse vendimet i merrnin ata. T’ju them të vërtetën, kur e përmend këtë aktivitet më duket se akoma kam dhimbje në shputat e duarve duke duartrokitur dhe brohoritur: Rroftë regjimi! Rroftë komunizmi! Rroftë udhëheqja e Shkupit dhe e Beogradit! Rroftë udhëheqja jonë sllave! Rroftë Lenini, Stalini, Vasa Çubriloviçi, Titoja, Rankoviçi, Karaxhiqi, Milosheviçi! Rroftë dreqi me dreqërit e tjerë! Mo zo ma keq! Absurditet dhe banalitet, që është në kundërshtim me arsyen e shëndoshë dhe me logjikën normale. Politikë e shantazheve të egra për t’u mposhtur, për t’u përkulur dhe për ta detyruar një popull të veprojë në dobi të të tjerëve.

Kur zgjohesha në mëngjes për të shkuar në punë, para banesës sime rrinin 10-15 shqiptarë që pritnin për t’i ndihmuar, duke u shkruar lutje se do ta shisnin kalin, lopën, gomarin, ndonjë gjel a pulë që e sillnin nga fshati 20-50 km., për t’i shitur në tregun e Gostivarit për një kafshatë buke! Në dilemën e bashkëpunimit me pushtuesit sllavë dhe me dilemën e largimit, kjo e fundit do të ishte zgjidhja. Zgjodha më të mirën e së keqes. Emigrova. Përse vallë? Sepse ndryshe duhej të bëhesha hafije e vëllazërve të mi, të atyre që mbanin plis të bardhë, të atyre që e donin flamurin shqiptar, të atyre që këndonin e vallëzonin valle shqiptare, të të burgosurve që për faj kishin dashurinë për Shqipërinë dhe trojet tona të shkëputura nga shteti amë, të mësuesve, mjekëve etj. E këtë nuk mundesha ta bëj, prandaj zgjodha të keqen më të vogël, duke u shpërngulur nga vendi im i dashur, nga ai vend ku çuditërisht gurët që mi vrisnin këmbët e zbathura , më dukeshin të butë bash sikur po ecja në barin e njomë të vendlindjes sime të dashur!

Vendosa të largohem kudoqoftë, në Mars, në Hënë, në ferr, vetëm e vetëm që të shpëtoj nga shtetet sllave! Fati më ndihmoi që të ma zbuste këtë dhimbje, duke më dërguar në Suedinë nordike. Kam prekur tokën e ftohtë me besimin se ëndërra ime për arsim dhe liria e popullit tim do të realizohet. Me drojën e një mërgimtari pa atdhe, do të nisja aventurën emigruese por me fatin e madh se do të isha një qytetar i një shteti që mbas njëmijë jetëve në vendin tim, Suedia skandinavike do të ishte e para në rradhë.

Ditën e parë, në qytetin Univerzitar Uppsala, shkova në një stacion të autobusëve urbanë. Shoferi ish një djalosh i ri. Më dukej i huaj, flokë zi dhe i pashëm. Me mikrofon lajmëronte udhëtarët për stacionin që vjen: “Lajmëroi Sista Stasion Gamla Uppsala”, në suedisht, anglisht dhe Stacioni i fundit Upsala e vjetër, tha djaloshi. O Zot, thashë. Flokët e kokës m’u ngritën përpjetë. Emocionet nuk po i kontrolloja dot. Sa nuk fillova të qajë mes pasagjerëve suedezë, të cilët me siguri do të më dërgonin në spitalin e të çmendurve Ulleråkessjukhus! Nuk zbrita nga asnjë stacion dhe shkova deri në stacion të fundit. Askush nuk mund ta kuptojë këtë situatë, duke shpjeguar me të shkruar se përveç meje nuk ka shkencë] që mund ta hedhë në letër këto emocione.

Ndoshta ka qenë një çast që ka ndikuar që unë të besoj në fatin tim. Kur u ndal autobusi, djaloshi më tha në suedisht: Ku po shkoni zotëri? Ky është stacioni i fundit. E shikova. Mos je shqiptar o vëlla, i thashë. O, po unë jam shqiptar, po ju si jeni, ku shkoni, a keni nevojë për ndihmë, më tha. Sytë mu mbushën me lot! Shkuam në qendër të qytetit Uppsala. E pyeta djaloshin pse i informon udhëtarët edhe shqip? Kemi të drejtë nga sipërmarrja të lajmërojmë në suedisht, anglisht dhe një gjuhë që ne e dimë, ose gjuhë amtare, gjuhën shqipe e kam sjellë nga vendlindja imem nga Strajoni i Gostivarit. Jam krenar për gjuhën time dhe e hapi gjoksin duke thënë: Kjo është gjuha ime e trashëguar nga të parët tanë me flamurin shqiptar me shqiponjën dykrenare me emblemën e Skënderbeut. Djaloshi kishte emigruar nga një fshat i malësisë së Strajonit të Gostivarit, tani i ndjerë. Përse!?!

Takimi i parë me Suedinë ishte edhe takimi e sinjali se ëndrra ime për arsim dhe liria e popullit do të zbatohet. Kjo ishte një vrull atdhedashurie nga dita e parë në trojet e e bukura të Skandinavisë. Që ditën që kam dalë nga Universiteti i Uppsalës kam shijuar lirinë, rendin, urtësinë në këtë shtet mikpritës, i thash vetëvetes: Kjo ishte drita ime në mjegull, t’i ndihmoj popullit dhe mërgatës shqiptare, dhe ky vend më frymëzoi! Kur hyn në shpirtin suedez thellë, të japin forcë, fuqi, ide, optimizëm, jetë, gjallëri. Nëse hyn në shpirtin suedez gjen gjëra shumë të mira. Kemi edhe ne shqiptarët gjëra shumë të mira, dhe këtu bëhet pikëtakimi. Mos të ishte Suedia unë s’do të arrija këtë përfundim. Dëbimi i shqiptarëve nga atdheu është i dhimbshëm, por kjo është një pasqyrë e jetës sonë, e punës sonë dhe e fatit tonë historik. Mërgimi në Suedi më bëri që të shkëputem nga mentaliteti ballkanik, të integrohem në shoqëri me një demokraci të lartë, me një eksperiencë të sprovuar. Po kështu, ky fat më dha mundësi të shmangem nga dioptria e shkurtëpamjes.

HESHTJA E PËRJETSHME

Heshtja e përjetshme

Përjetësisht triumfonë

I pa fjalë e kokë ulur

Fjala ishte heshtja jonë

E pyeta si je vëlla Xon

U përgjigj më mirë jam

Kujt t’i them se vdekja

Më la pa jetë e jo pa nam

Në pragun e derës

Vdekja ishte afruar

Fuqi s’kisha për ta larguar

Në shpirt dhe në fjalë

Damarët luajnë rol

Si farkëtari që farkon

Dërrasa për arkivol

Zemra po më digjet

Porsi prushi i mbuluar

Në vatrën e pashuar të zjarrit

Atje lart mbi majë të Sharrit

Unë s´jam mëkatar

Të vuaj kaq shumë

Kjo vrasje paraprake

Vjen porsi një lojë

Vetëm atëherë kur unë

Në qetësi dua të jetoj

Pyes vetëveten

Përse të vuaj derisa

Askujt asnjë të keqe

Nuk ia kam bërë

Një fjalë të pamatur

Askujt s’ja kam thënë

Tungjatjeta vdekje

Që pa fjalë m’ke lënë

Më duket askush s’më beson

As mjekësia e as njerëzimi

Madje as të afërmit e mi

Që vijnë dhe shkojnë

As engjëjt s’më besojnë

Me dhimbje më shikojnë

Një gjë më shqetëson

Si tërmet i tmerrshëm

Nuk më lë të qetë

Atëherë kam zgjedhur

Heshtjen në këtë jetë

Të dal nga skëterra

Heshtja më ndihmon

Vetëm një çast të duroj

Nga heshtja nga dhimbja

Nga pengesa e harresa

As nga këngët e nga vallet

Vdekja nuk po ndalet

Më bën të piskas e të qajë

Deri kur shpirti të dalë

Dhe vaja të më ndalë

Nga puna dhe dashuria

Nga gruaja e nga njerëzia

Djemtë dhe vajzat e mia

Nga të rejat e nga rinia

Nga tim vëlla që shkruan poezi

Por edhe nga familja e tij

Nga miq nga shokë e nga vendi

Ku u linda dhe u rrita

Nga veprat fisnike që kam bërë

Gjithëkend e lumturova

Dhe familjen time e gëzova

Dita e zezë po afrohet

Troket te dera e s’durohet

Vajmedet ku do të shkoj

Kujt t’ia lë zilen që kumbonë

N’këtë botë të mrekullueshme

Mos qofsh i humbur përgjithmonë

Zemra në gjoks po më digjet

Shpirti nga frika po dridhet

Perse kështu njeriu të vuajë

Dita e fundit vjen ngadalë

Vaj piskamë e lot për mua

Zanat më pyesin ku do të shkoj

Heshtja e përjetshme do të triumfojë

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...