Vdiq në Omerbozhaj Zef Gjergji Lucaj, njëri prej burrave më të nderuar dhe më të moshuar të Malësisë - Bota Sot
Vdiq në Omerbozhaj Zef Gjergji Lucaj, njëri prej burrave më të nderuar dhe më të moshuar të Malësisë

Diaspora

Vdiq në Omerbozhaj Zef Gjergji Lucaj, njëri prej burrave më të nderuar dhe më të moshuar të Malësisë

Nga: Gjekë Gjonlekaj/New York Më: 11 qershor 2019 Në ora: 09:16
Zef Gjergji Lucaj

Me 9 qeshor vdiq në Omerbozhaj në moshën 92-vjeçare,Zef Gjergji Lucaj. Zefi  kishte lindur dhe pjesën më të madhe të jetës e kishte kaluar në Delaj të Trieshit, në njërën prej familjeve më të mira dhe fisnike të kësaj treve. Me këtë shtëpi të përmendur kemi lidhje miqësore për më shumë se 60 vjet, ngase bija jonë Lula e Mark Pjetër Lukës ishte martuar me vëllaun e Zefit, Kolën e Gjergj Mirashit. Lidhjet tona miqësore me këtë familje qëndruan të forta edhe pse bija jonë ishte ndarë nga kjo jetë para 37 vjetësh. Zef Gjergji ishte burrë serioz dhe i sinqertë, ashtu siç kishin qënë edhe të parët e tij. Babai i tij Gjergj Mirashi ishte shumë i përmendur për urti, ashtu siç kishte qënë edhe gjyshi  i tij Mirash Prëka. Në Triesh dhe më gjërë, sot e kësaj dite citohen fjalët e urta të atyre burrave fisnikë. Trimat e kësaj Dere, Zoti i kishte pajisur me shumë cilësi të nderuar. Përveç nderit dhe karakterit të mrekullueshëm ata ishin mjeshtër e punëtorë të mrekullueshëm. Ata ishin arkitektë të pashkolluar dhe mjeshtër e gdhëndës guri e druri si të ishin edukuar në shkollat italiane.  Gurët që kishin gdhendur ata shkëlqejnë në të gjitha viset e banuara të Malësisë. Kullat dhe objeket e tjera që punuan mjeshtërit e kësaj shtëpie janë shenja të vërteta të qytetërimit perendimor në trojet tona. Edhe në kohën e Mirash Prekës ishin të njohur edhe për urti dhe gojtari. Gjergj Mirash Prëka ishte ndër burrat më të përmendur për urti dhe gojtari. Gjergj Mirashi bënte pjesë në elitën e trimave të Trieshit krahas Gjelosh Tomës, Mark Tomë Prelocit, Kolë Prëlokës, Tomë Hasit e shumë e shumë burrave tjerë të kësaj treve legjendare. Kur ata uleshin në kuvend nën blinin e madh para Kishës së Trieshit të gjithë i shikonim me respekt e dashuri e adhurim. Pas meshës pranë tyre ulej edhe meshtari i mirënjohur shqiptar  Dom Simon Filipaj. Edhe pse shumë i shkolluar ky meshtar i ditur bisedonte me ta sikur të ishin anëtarë të ndonjë akademie.

Në familje kishte mësuar besnikërinë dhe sinqeritetin. Aty kishte mësuar për marrëdhëniet e punës dhe për marrëdhëniet shoqërore. Zefi dhe vëllezërit e tij ishin mjeshtër të vërtetë. Ata shumë herë kishin pësuar humbje të mëdha në kontratat e gabuara të punës, por megjithatë nuk kishin lanë punë pa mbaruar pavarësisht humbjeve të mëdha. Dhënja e fjalës së tyre ishte vepër e kryer (done deal). Në atë kohë mjeshtrit dhe punëtorët hanin drekat në familjet ku punonin. Malësorët  sipas traditës, përgatisnin ushqime për ata, por Zefi dhe vëllazërit e tij hanin pak, ngase u vinte keq për fëmijët e atyre familjeve që i shikonin të uritur vallë nëse do të mbetej diçka nga ato ushqime. Edhe në marrëveshjet e punës ishte i durueshëm për pagesat e vonuara duke mos i vënë njerëzit në pozita të vështira. Zef Gjergji ishte punëtori më i rreptë që kishte pasur Trieshi ndonjëherë.  Zefi dhe vëllezërit e tij ishin korrekt me Zotin dhe me ropin. Ishin gati për punë të falë(pa pagesë) kudo e kurdo e kërkonte shoqëria dhe nevoja. Kudo shkeli këmba e tyre ata vunë themelet e një qyteze të vogël. Kjo shtëpi kishte strehuar disa herë të ndjekurit për gjaqe, disa nga ata edhe të pafajshëm. Po bëhen dy shekuj qysh se kjo familje vazhdon këtë traditë fisnike.  Qysh atëhërë e sot kjo familje është e njohur për pasuri, të cilën nuk e keqpërdori kurrë, siç kishte ndodhur me ndonjë familje tjetër të Malësisë. Ata gjithmonë kishin ndihmuar familjet e varfëra të katundit. Kishin dhënë hua edhe e zyrtarëve më të njohur të Trieshit. Axha i tij Nikollë Mirash Prëka ishte një ndër fisnikët më të përmendur të Malësisë. Ndërsa vëllau i tij Kolë Gjergji për karakterin e tij të fortë ishte nderuar me një pozitë të vështirë dhe përgjegjëse në kryeqytetin e vendit. Por axha i tij  Nikollë Mirashi e kishte këshilluar  që të kthehej në Triesh për t'u martuar me një vajzë malësore dhe për të jetuar përherë në vëndlindje. Kola e kishte dëgjuar. Në Detroit sot e kësaj dite përmendet Pjetër Gjergji Lucaj për aktivitetet dhe kontributet  e tij për të mirën e Trieshit dhe Malësisë. Ai ishte njëri ndër trimat më të nderuar  të Malësisë në Detroit. Rrugën e tyre po e vazhdon sot Rrok Zefi Lucaj. Ky biznesmen i sukseshëm në Amerikë dallohet për ndihma të ndryshme sidomos për ndërtimin e rrugës së Trieshit. Rroku është shumë i kujdesshëm edhe për familjen e farefisin e tij  në Omerbozhaj dhe në Triesh. Është ndër bujarët më modest të Malësisë në Amerikë. Ndërsa vëllau i tij, Fran Lucaj shquhet për këngët e tij patriotike. Shqiptarët sllavofilë shumë herë i kanë tërhequr vrejtje për ato këngë dhe përmbajtjen e tyre. Anëtar i kësaj familje është edhe Lekë Kola Lucaj i cili shquhet për punën e tij serioze në arsimimin e nxënsëve të vendlindjes.  Edhe vëllau i tij  Marku nderohet për profesionin e tij. Pasardhesit e kësaj dere fisnike vazhdojnë të punojnë me nder e dinjitet në vendlindje dhe në diasporë. Natyrisht se këtu bëjnë pjesë edhe bijat e kësaj familje. Këto ditë do të mblidhen në vendlindje për t'i dhënë lamtumirën e fundit burrit më të dashur dhe më të nderuar të këtij fisi. 

E ndjeva detyrë morale për t’i shënuar këto pak fjalë. Sikur të isha në Malësi do t'i kisha thënë në funeral sipas traditës së Malësisë .Zef Gjergjin e kujtoj sot e përgjithmonë. Pastë dritë e paqë në amshim. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...