Dekada të shumta pune dhe  angazhimi në shërbim të atdheut dhe kombit të ttij   

Diaspora

Dekada të shumta pune dhe  angazhimi në shërbim të atdheut dhe kombit të ttij   

Nga: Mikel Gojani Më: 26 korrik 2019 Në ora: 12:08
Prekë Brahimi

Sot, në vendlindjen e tij, në Gllaviqicë të Pejës, ka ndërruar jetë veprimtari dhe ish-kryetari shumëvjeçar i BD të PSHDK-së në Austri, Prekë Brahimi.
Prekë  Brahimi  u lind  më  20.01.1940  në fshatin Gllaviqicë  të  komunës së  Pejës.  Në vitin 1955  ka kryer shkollën fillore në vendlindje në kushte jashtëzakonisht të vështira. Dhe, këto kushte të vështirësuara ekonomike e kanë detyruan  që të krijojë marrëdhënie pune, kudo që do të më ofrohej rasti, në mënyrë që familjes t’i siguroj kafshatën e bukës. Në vitin 1962-1964 ka kryer shërbimin ushtarak. Pas përfundimit të shërbimit ushtarak është punësuar në Kroaci dhe më vonë në Maqedoni. Në vitin 1965 është kthyer në vendlindje ku është  angazhuar në fshat si veprimtar i asaj kohe. Më vitin 1968 është  zgjedhur këshilltar i  bujqësisë në Asamblenë komunale për pesë fshatra. Gllaviqicë, Leshan, Kliqinë, Sferkë dhe Jabllanicë.
 Në vitin 1970 mori rrugën e mërgimit për në  Austri, përkatësisht  në vendin Bregenc, një qytet i bukur  në Republikën e Voralberut.

Në fund të vitit 1989 është vendosur në Graz,  ku ka jetuar deri në  frymën e fundit të jetës.

Në Graz fillimisht ka krijuar marrëdhënie pune, duke mos kursyer mundin dhe djersën në shërbim të familjes, vendlindjes dhe atdheut të tij.  

Veprimtaria e Prekë Brahimit është shumë e dendur dhe e frytshme. Fillimisht në vitet e ’90-ta aktivitetin e tij e ka nisur si veprimtar i  shoqatës  bamirësisë “Nëna  Terezë”, dega në Graz, më pastaj u zgjodh arkëtar i shoqatës  shqiptare kulturore ´´Aleksandër Moisiu´´ dhe anëtar i Kryesisë së LDK-së Dega në Graz.

Në vitin 1993 u themelua Misioni Katolik me qendër në Vjenë, në kuadër të cilit mision për shumë vite zhvilloi një aktivitet të frytshëm dhe të suksesshëm.   

Në vitin 1994, me themelimin e  BD të PSHDK-së, Prekë Brahimi, fillimesht u zgjodh anëtar i kryesisë së kësaj dege, ndërkaq më vonë për dhjetë vjet ishte kryetar i kësaj BD të PSHDK-së, duke zhvilluar aktivitete të shumta në shërbim të kauzës kombëtare, duke dhënë një kontribut të madh për Kosovën e robëruar dhe popullin e saj. 

Prekë Brahimi përderisa udhëhoqi këtë degë të PSHDK-së, gjithmonë i qëndroi besnik konceptit politik dhe filozofik të kësaj partie në krye me ish-kryetarin e saj, akademik Ibrahim Rugova. Ishte një frymëzues i denjë i frymës rugoviane, nga i cili përcaktim nuk u lëkund asnjëherë deri në  frymën e fundit të jetës së tij. 

Ka botuar edhe dy libra publicistik, “Udhëtimi i çmalljes për një copë dhe” (2006) dhe “PSHDK – bartëse e veprimtarisë politike, kulturore e kombëtare në Austri” (2013). Në të cilat libra  shpreh gjithë mallin që kishte me atdheun e tij, po ashtu ka lënë një dëshmi  të gjithë aktivitetit që ka zhvilluar PSHDK në të mirë të Kosovës dhe çështjes shqiptare përgjithësisht.

Preka ishte një burrë, bashkëshort, prind, ishte një shok e mik i urte dhe veprimtar shumë i devotshëm. Ai ishte një njeri shume human, dashamires, mikpritës dhe shumë punëtor. Kujtimi se Prekën e kishim te tille, e shton dhembjen, por pikërisht janë këto virtyte që i kishte ai, fjalëpak, por shume i dashur. Ikjen e tij e konsiderojmë si një moment tepër të dhembshëm. Mirëpo, jemi të vetëdijshëm  se të gjithë njerëzit janë të vdekshëm. Vetëm kujtimi për ta është i pavdekshëm.

Ikja e veprimtarit dhe atdhetarit të shquar Prekë Brahimi do të shkaktojë një zbrazëtirë të pakompensueshme te familja, të afërmit dhe bashkëpunëtorët e tij që ka të shumë.

Trupi i tij do të varroset  më 27 korrik 2019 (e shtunë), në ora 15:30, në vendlindjen e tij, në Gllaviqicë të Pejës. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat