Nehat Marku me vlera letrare të mërgatës shqiptare

Diaspora

Nehat Marku me vlera letrare të mërgatës shqiptare

Nga: Baki Ymeri Më: 28 gusht 2019 Në ora: 00:18
Kopertina e librit

Paralelisht me një album të pasur me fotografi dhe velra dokumentare, në numrin më të ri të revistës “Shqiptari” me 50 faqe në kolor, kushtuar bashkatdhetarit tonë me banim të përkohshëm në Itali, po japim për lexuesit tanë disa nga perlat e tij poetike të shkruara në trojet e mërgimit.

PËRMALLIMI      

Fjalën e pathënë
e ruaj në maje të gjuhës
si zogu shtegtar
kokrën e grurit n’fluturim!

Ka do ditë, ka do netë
gjoksin ma përshkojnë do lektisje malli- nektar
e zemrën  ma trazojnë do ufma të prushta- zjarr
me përgjërime e refkëtima të grushta- ar!

Sytë më lëbyren ditënetëve të ankthshme,
e shpirti më trazohet si valë e kreshpëruar
e Drinit plak
kur është i hakërruar,  i shqetësuar në hak!

Trupin ma përshkon një dridhmë tërmeti!
E mua- strumbullar i kesaj lektisje gurbeti,
akoma fjala e pa thënë
në maje të gjuhës më mbeti!

MARTIRËVË
Nënë, “... më mëso te vdes bukur”1)

Ju bij të devotshëm
U martirizuat në Panteonin e Arbrit!
Nën emrin e Piros, Agronit e Teutës,
Nën flamurin dhe shpatën e Skënderbeut,
Nën jehonën e kushtrimit të Lahutës,
Nën uratën dhe bekimin e Nën’Terezës!

Atdheut i dhatë zjarr i dhatë gjak,
Shëndritët Aurorën e Adem Jasharit,
Sihariqësuat Aureolën e Fitores së Madhe!
Lavdi! Lavdi Gjakut tuaj!

Oj Liri – lulëkuqe e Pranverës së skuqur
“… më mëso të vdes bukur”!
_______
1)Varg i Azem Shkrelit, marrë nga poezia “ Psalm për Kosovën”.

DUKE KËRKUAR BASHKËMËRGIMTARIN

Sot brodha  rrugëve të këtij qyteti
Të të takoj Ty o i vogli Clandestin
Të të takoj Ty o i madhi Gurbetçar !

U nisa drejt rrugës Porta Romana,
tek sheshi Piaza Republica…
U vura të të kerkoj metropoleve,
në mesin e atij grumbulli njerëzish,
në Romë apo në Milano fjala vjen,
në metro, në autobus apo në tren…
po assesi të të takoj Ty.

Vall’ ç’u bë me Ty!?
U vura të të takoj…
Të të kërkoj me llambën e Aladinit
(siç më këshillonte im bir Rinori),
në grumbullin e klosharëve
apo rrugëve marramendëse,
apo netëve pise – lëbyrje sysh
apo  rradhëve të pafund sporteleve  të Koesturës.

Të kërkova e ku s’të kërkova…
Ah, po!
Të gjeta e ku s’të gjeta…
të pash e ku s’të pash – Njeri.
Njeri  – “thëngjill i zi pa zjarrm,”1)!
Pa sy, vesh e pa gojë mbeta…
 gjer në kupë të qiellit klithmën lëshova:
Gurbeti ka qenë, është dhe gur - mbeti!
___________
1)Varg  i poetit Martin Camaj.

EVROPA E 1913-ËS

Londër 1913.
Ata me sëpatën e krimit
ma bënë Tokën copë-copë,
trupin Arbëror ma ndanë më dysh.

E unë akoma mbijetoj…
 jetoj me ndjenjën e padrejtësisë
që një ditë doemos do të pëlcas
në duart e atyre që e gatuan!

Evropë moj sëpatë krimi,
hiles sate të ‘913-ës
herët a vonë do t’i dalë tymi,
nga tymi vrer’ e zi
do të vjellësh zorë e mushkëri,
andaj sa nuk është vonë
merr pergamenat e shesto
gjithçka, ngadalë e me dorë
që nesër mos të jetë vonë
si sot e 100 vjet më parë!

POEZIA

Poezia ime
u mboll  dhe mugulloi
nga sfilitja dhe kushtrimi për Liri!
 
Kënga ime
u rrit dhe jehon në sogjè,
në pirg të strumbullarit Atdhe!

E unë – ai i poezisë sime
stivoj vargje e këngë
për tokën dhe nënën time!

E unë – ai i vargjeve të mia
me epitetin clandestin në të zezë,
nesër në agim herët qëmenatë
do të stivoj tullat me rradhë
në muret e pallatit të bardhë!

KOSOVË, MA GËZOFSH PAVARËSINË!
(7 Shkurt, 2008)

Sot kemi Festë! Liria po na thërret!
Jemi të ftuar për në Sheshin Skënderbej,
Jemi të ftuar për në Sheshin Nën’ Tereza!
I madh e i vogël të gjall’ e të vdekur
 Liria po na thërret!
100 vjet pritje për këtë Sihariq!
Për këtë Mëvetësi Atdhetare!
Sot kremton e gjithë Shqiptaria!
 Yjëzon gjakimi  qiellit shekullor!

Sot do të vallëzojmë me të” Bukurën e Dheut”,
- Aureolë stërpikur me gjakun e Dëshmorëve,
Do të përqafohemi me Doruntinën e Konstadinin,
Do të përurojmë me Shotet dhe Azemat
- Flakadanët e kushtrimit të Ademavet!

Sot do të këndojmë këngën e Gërvallës
bashkë me Zanat e Fadil Rifatit
shpatieve të Sharrit Plisbardhë,
për Lavdinë e Martirëve tanë!
Urime! Urime!
KOSOVË MA GËZOFSH PAVARËSINË!

SIMFONIA E STINËVE BALLKANIKE

Orkestër e larmishme ngjyrash e zërash në iso
me instrumente fryrës
me tamtame goditës
e me tinguj çakordues e neveritës
skenë ballkanike – mokër tiranike.

Një Shën Njeri i Vegjëlisë
në shenjë proteste
lëshoi koncertin e “madhërisë”
duke skërmitur dhëmbët,
duke shtërnguar grushtat e përgjakur,
nga thonjtë e zezë e të përzgjatur,
e duke bëlbëzuar Hamletin :
“Të rrosh a të mos rrosh…”
“Të rrosh a të mos rrosh…”
Në Ballkan gjithçka kallkan!

POST SCRIPTUM

Çdo kokë
Ka qeleshen e vet
Që mbështjell lakuriqësinë
E mendësisë së vet!

BLASFEMI

Ju vraftë buka
Pasi nuk ju vret zoti!...
Kështu mallkonte Një Nënloke
Atë ditë kur u prish Moti!

Ju shitoftë Zana e malit
Ju vraftë Kanuni i Djalit
Pasi nuk ju ndal Zoti
As Gjëma e këtij loti!

Kështu mallkonte Një Nënloke
Atë ditë kur u prish Moti!                   

BORA NË KËTË QYTET

Në këtë qytet si rrallëherë
fjollat e borës bien fletë-fletë
mbi trupin e bronztë të Garibaldit plak,
sikur duan  të shuajnë  lehtë-lehtë    
zjarrminë e bezdisjes statike flak’!

Në këtë qytet si rralleherë
fjollat e borës bien flokë-flokë
mbi sheshin Porta Romana afër Bel Bar-it,
 ku me një kafè shërbyer nga gentile1) Paola,
 ngushëllohen brengat e mërgimtarit!
E në këtë udhëkryq me semafor armatosur,
fjollat e borës sikur duan të fashisin
nervozizmin e kalimtarëve  të krekosur,
dhe daltonistëve që nuk respektojnë
rradhën e ngjyrave të përsosur!

E në qytetin tim!?
Ah! Në qytetin tim…
Bora është e përhershme me akuj polar
e dielli del si rrallëherë me dhëmbë -zjarr  
për të ngroh çdo qenie të gjallë – ar!
e për të shkrirë gjithçka dimerore – varr!
______________
1)Gentile – i sjellshëm, i dashur, delikat, i ëmbël

MËRGIMTARËT
 
Ti o Atdheu im i dashur,
- pendërënë në durim e në zjarrmi
për një rreze të artë Agmi
për një shpresë të madhe tharmi!

Ju o bashkëmërgimtarët e mi,
-pupla të shpupluara  nëpër botë,
blanjë mishi të ndarë nëpër tokë,
- peng në zemër për shamizezat vaj e lot!

Bashkatdhetarë!
Me besa-besë
Për Dhè e Atdhè
Të gjithë në Mëmëdhe!

BETIMI

Sot
Në të hyrë tek Porta e Durimit
Gëzueshëm lexova:
“Breshka ka filluar të mësoj                           
Artin  e nxitimit!”
Amin!

MONOLG I PORTRETIZUAR

Ku nis e ku sos kjo ëndërr!?
- Buzë Drinit plak në zhgjëndërr!

Po kjo valë, ky zë!?
- Rrjedhës së cemtë të Radikës së mbarë
ku një fëmijë llastor me lule në dorë
qan’ e qesh si një manar’ nën pjalm me borë!

Po dashuria, po vdjekja!?
- Atje ku përgjakej ëndrra dhe ndjekja,
atje ku natën vonë me mot të acartë,
në kasollën e fshatit me oxhak të zjarrtë,
u shqim një lehonë  sfiduar nga vdekja
n’përqafim të dy binjakëve të artë!

Në Kasollën e ftohtë të Malësorit
polli Laroja në “ Bukuria që vret “1)
- Agimi, sihariq i ardhmërisë së vet!
_______
Proza e Migjenit.

ËNDRRA E GJAKIMIT

Ëndërrove për puthjen e parë!
- Drini valëshpejtë e kish përlarë
e shatërvani i etjes, afshin e kish përpij,
 llastorshëm stërpikte e shkrepte me sy!

Ëndërrove për takim të ardhshëm!
- Mjerisht, rima e vjershërimit për Ty
sonte më ankoroi në shtëpi!

Ëndërrove për unazë të fejesës!
- Shpendërritësi unazoi pëllumbeshën e bardhë!
E dashur,prite, prite krahëhapët
se po vjen me sihariq të mbarë!

MARATHONOMAKU

Pranverën e Tokës sime
Do ta puth
Më parë se Marathonomaku  spartan
Athinën!

LIRI

Liri – çdo herë kemi pasur frikë prej teje!

Na thanë se je e pakapshme – tabu
dhe se buka e përditshme
në Ty
kurrë s’është e arritshme!

Liri - kurrë s’të kemi njohur,
shantazhet terratisnin durimin,
frika për Ty shter shkelqimin
dhe rritej e mbufatej dita-ditës
- mynxyrë në sfond të pritës!

Liri - ecim tehut të frigës për Ty
duke shakmisur savanin sterrë të zi,
frikën për Ty e bëmë guxim e bëmë krenari
për të hyrë në tëndën Bardhësi!

Liri – përtej frikës për Ty
perqafohemi Un’ e Ti!        
        
NËNË TEREZA

Ti bijë e atdheut tim,
me emrin Gonxhe Bojaxhiu,
Ti Engjëll dhe bebëz e jetës skamnore
me emrin Nënë Tereza e Kalkutës hyjnore,
more rrugën e Zotit,
misionin hyjnor të bamirësisë!

Ti i tregove botës
se një vajzë e varfër shqiptare
arriti shenjterinë e botës fare
për të qenë:
ABC-eja e urisë skamnore,
flakë zjarri në vatrën e Kasollës së Ftohtë
hënë e re në udhëkryq të skëterrës
balsam për varrën e vetmisë
qiell yjëndezur për fëmijët e Vegjëlisë
braktisur rrugëve të fatit!...

Ti i dëshmove botës
se gjithmonë kombet e vogla
i kanë dhënë njerëzimit Njerëz të Mëdhenj
që më shumë se veten  duan tjetrin!

Ti je bijë e atij populli
që strehoi ish – ushtrinë pushtuese italiane
për mbrojtje nga nazistët,
edhepse pak ditë para kapitulimit
nënës i kishin vrarë edhe të vetmin bir.

Pyetjes së përditshmërisë:
“cila sëmundje është më e veshtirë”?
U përgjigje me zë të sinqertë:
“urrejtja midis njerëzve dhe mungesa e dashurisë”!

Nënë Tereza jonë – pishtare e mjerimit mbarë
e thjeshtë po edhe aq e Urtë
me atë trup të vogël e shpirt të butë!

Nënë Tereza e Kalkutës – Engjëllorja e mirësisë,
buzëqeshja Yte rrezaton uratën dhe bekimin hyjnor,
paqën dhe shpresën e shpetimit ton’!
Amin!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat