Aktivitetet e Shoqatës "Sali Çekaj" të Zvicrës në Atdhe

Diaspora

Aktivitetet e Shoqatës "Sali Çekaj" të Zvicrës në Atdhe

Nga: Idriz Zeqiraj Më: 30 gusht 2019 Në ora: 21:51
Kryesia e Shoqatës "Sali Çekaj" në Zvicër dhe miqtë e saj në Gjermani dhe Kosovë

Kryesia e Shoqatës kulturore humanitare "Sali Çekaj" në Zvicër, zhvillon aktivitete në Atdhe. Kjo është një nga shoqatat më të organizuara dhe më aktive, në Zvicër dhe më gjerë. Aksionet humanitare, janë parësia e kësaj Shoqate. Ndërtimi i shtëpive për njerëzit në nevojë; sjellja mjeteve të ndryshme në Kosovë, Shqipëri dhe në trevat tjera shqiptare, sidomos, për shëndetësinë dhe arsimin. Shoqata, sapo realizon një aksion, fillon aksionin tjetër. Njëri nga aksionet madhore, ishte nisma dhe realizimi i Kompleksit Memorial "Dr. Ibrahim Rugova", në fshatin e origjinës, në Malaj të Rugovës.

Aksionin në fjalë e nismoi Shoqata "Sali Çekaj", në Zvicër. Kësaj nisme iu bashkuan Shoqata "Sali Çekaj" në Bavari; Shoqata "Rugova" në Amerikë si dhe veprimtarët e LDK-së në Mërgatë. Ndihmesë solide, për ngritjen e Kompleksit Memorial, kushtuar Presidentit Rugova, kanë dhënë edhe kryetari i fshatit Malaj, Sali Jahë Lajçi dhe Jakup Keqi Lajçi, zëvendës-kryeplak i fshatit Malaj, të cilët kanë dhuruar nga më shumë se 5 (pesë) ari tokë (truall), përkatësisht, për ngritjen e Kullës me Shtatore të Presidentit Rugova dhe të amfiteatrit, me hapësirën përrreth. 

Image
Kryesia e Shoqatës "Sali Çekaj" në Zvicër dhe miqtë e saj në Gjermani dhe Kosovë

Kryesia e Shoqatës "Sali Çekaj" në Zvicër, përbëhet nga 25 anëtarë; Xhemajl Haxhiu-kryetar, Qamil Çekaj-sekretar, Lush Mulaj-arkatar, Abaz Fejzullahu-nënkryetar, Muhamet Krasniqi-ndihmës arkatar, Muhamet Lekaj, Besim Lokaj, Mustafë Ramosaj, Gëzim Hadërgjonaj, Din Gashi, Bardhec Bibaj, Isa Lokaj, Fadil Tolaj, Hamdi Rrustemi, Mahir Tolaj, Miftar Kryeziu, Halil Shabanaj, Metë Shala, Nezir Alimusaj, Muhamet Hasanaj, Asmon Krasniqi, Bashkim Nitaj, Mahmut Gashi, Naim Hasanmetaj, Hamëz Fejza - anëtarë.

Nga aktivitetet e përvitshme, përgjatë pushimeve verore në Atdhe, Kryesia e Shoqatës dhe anëtarët tjerë të Shoqatës, bëjnë vizita të organizuara në vend-varrimet e dëshmorëve, ke varri i Presidentit Rugova, në kompleksin përkujtimor në Prekaz, Koshare dhe gjetkë.

Kryesia e Shoqatës "Sali Çekaj" në Zvicër, muajin gusht 2019, e kishte caktuar si hohë për aktivitete në Atdhe. Kryesia filloi me vizitën ngushëlluese në Familjen Çekaj, në Broliq, për rastin e vdekjes tragjike të djalit Dion Dritan Çekaj. Aty u pritën nga gjyshi i Dionit, Musë Çekaj, vëllai i Saliut, Adem e Ali Çekaj, kushërinj të afërt dhe familjarë të tjerë. Në dhomën e stolisur me fotografi, mërgimtarët, evokuan kujtimet nga bashkëpunimi për Heroin e Kosovës, Sali Çekaj. Kryetari i Shoqatës Xhemajl Haxhiu, i dhuroi një portret të Sali Çekaj, të vëllait - Musa Çekaj. Që andej, homazhe u bënë ke varri i Dionit dhe Nëna Nushë e heroit Sali Çekaj. Mërgimtarët nga Zvicra vunë kurorë ke shtatorja e Sali Çekaj në Deçan.

Image
Kulla në Kompleksin Memorial "Dr. Ibrahim Rugova", në Malaj të Rugovës

Kryesia e Shoqatës u ngjitë në Malaj të Rugovës, për ta vizituar Kompleksin Memorial "Dr. Ibrahim Rugova", Kullën e gurtë, të projektuar nga arkitekti Blerim Bajraktari, dhomën me eksponate nga jeta e Presidentit Rugova si dhe Shtatoren e Dr. Rugovës, e realizuar, mrekullisht mirë, nga skulptori i lalentuar rugovas, Gëzim Muriqi. Ke Memoriali u pritën nga Bekë Osmani me shokë, Ukë Gashi dhe Sylë Metë Lajçi, cicëron.

Image
Amfiteatri, në ndërtim e sipër, në hapësirën e Kompleksit Memorial "Dr. Ibrahim Rugova"

Punëtorët e një firme ndërtuese, vazhdonin punën në ngritjen e Amfiteatrit, si pjesë e Kompleksit Memorial. Kryetari i Komunës së Pejës, zotëri Gazmend Muhaxheri, ka marrë përsipër asfaltimin mjedisor të Amfiteatrit, në ndërtim e sipër.

Në të gjitha këto aktivitete, të kryesisë  të Shoqatës "Sali Çekaj", iu bashkuan miq të Shoqatës nga Rahoveci, kuadro të LDK-së: Fetah Berisha, Ibrahim Kryeziu, Hamëz Morina. Nga Llapi kishte ardhur gazetarja Refiqe Hamiti, avokati dhe gazetari i luftës, Hasan Pervetica. Delegati pjesëmarrës në shpalljen e Deklaratës të Pavarësisë të 2 Korrikut dhe të Kushtetutës të Kaçanikut, Zymer Lulaj, aktivisti i Mërgatës, Naser Pukaj dhe të tjerë.

Për të pasqyruar aktivitetet e Shoqatës "Sali Çekaj", ishte ftuar Televizioni "Fontana", përkatësisht, drejtuesi i këtij mediumi simpatik, Zeqir Mehmetaj, të cilit iu bashkangjitën Xhafer Balaj, veprimtar dhe humanist i zëshëm nga Suedia, si dhe Gani Mavraj dhe Idriz Zeqiraj, gazetar. Edhe këtë ditë, bëmirësi i mirënjohur, Balaj, dhuroi një karrocë invalidore, për një gjyshe llapjane. Shoqata "Sali Çekaj" ndau mirënjohje për veprimtarin dhe humanistin e shquar, Xhafer Balaj.

Në përmbylje të aktiviteteve, kryesia e Shoqatës, shtroi një drekë, për të gjithë pjesëmarrësit në këto vizita.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat