5 arsye përse diaspora nuk implikohet aq sa duhet në proceset tona politike?

Diaspora

5 arsye përse diaspora nuk implikohet aq sa duhet në proceset tona politike?

Nga: Lirim Begzati Më: 21 shtator 2019 Në ora: 15:34
Lirim Begzati

Potenciali i vërtetë ekzistues i popullatës sonë në diasporë do të duhej të lë hapësirë të mjaftueshme për me shpresuar në një proporcion të madh pjesëmarrës në proceset politike të vendeve tona.

Megjithatë, një sërë indikatorësh tregojnë se interesimi i saj ndaj këtyre proceseve duket tejet i ulët, në krahasim nga ajo që duhet realisht, apo shpresohet ose pritet nga dikush!

Vështirë është të kuptohen të gjithë ato faktorë që mbajnë një ndikim të drejtpërdrejtë në « pasivitetin » e tillë, por vërehet, prapëseprapë, se disa parametra vlerësimi japin sadopak ca elemente sqaruese lidhur me këtë problematikë.

Ngjashmëri të mëdha hasim në gjirin e diasporës sonë shqiptare në përgjithësi, pa varësisht se nga cila hapësirë e trojeve tona vjen ajo.

Sipas komentimeve dhe vlerësimeve nga qarqet e ndryshme që e përcjellin me njëfarë vëmendje perceptimin e diasporës ndaj realitetit dhe jetës politike në trojet tona, konstatohet se disa nga faktorët dekurajues apo frenues që dalin më së tepërmi në shesh duket se janë këto si vijojnë :

  • Dinamika aktuale e zhvillimeve politike, ekonomike dhe shoqërore në horizontet shqiptare nuk lë vend, fatkeqësisht, për një optimizëm të madh. Në fakt, që prej shumë vitesh, vendet tona e kanë vështirë të marrin një “rrugë të mbarë” apo një kahje më pozitive, që do t’iu shkonte përshtati kërkesave legjitime të qytetarëve dhe interesit të shoqërisë në përgjithësi, përfshirë këtu natyrisht edhe interesin e diasporës. Eksodi aktual i shkon përshtati këtij konstatimi. Apo fundja, edhe nëse ca rezultate nuk mungojnë, ato janë megjithatë të pamjaftueshme ;
  •  
  • Premtimet e partive të skenës sonë politike vazhdojnë të jenë edhe më tutje të zbehta, jo bindëse dhe shpeshherë të ç’veshura nga pragmatizmi. Bazuar në këtë dukuri tashmë « recidiviste », e marrë parasysh edhe përvojat e së kaluarës, një pjesë e diasporës vazhdon të mos tregojë ndonjë kureshtje ndaj përsëritjes së disa premtimeve, qoftë vështirë të realizueshme, qoftë të mbështetura vetëm në strategji elektoraliste, të cilat synojnë para së gjithash fitimin e votës ;
  •  
  • Kacafytjet historike në mes të partive politike, që nuk kanë të ndalur, duket gjithashtu se nuk krijojnë ndonjë hapësirë inkurajuese për t`u besuar disa programeve apo premtimeve politike. Jepet së paku përshtypja se, rivalitetet dhe konfliktet ndërpartiake, më tepër synojnë të mbrohet një formë karrierizmi dhe një sërë « vlerash » egoizmi, se sa dhënia e një kontributi të vërtetë apo realisht të nevojshëm për trupin elektoral, për vendin dhe popullatën e saj. Edhe përdorimi i dhunës së egër që është shtuar në skenën politike natyrisht se ndikon në zgjerimin e listës së faktorëve dekurajues ;
  •  
  • Në krahasim me të kaluarën, diaspora jonë tregon sot një qëndrim vlerësues më të ashpër dhe më kritik ndaj aksionit politik në trojet tona. Edhe frymëzimi në modelet dhe përvojat pozitive që vërehen në shtetet e zhvilluara mbanë ndikimin e saj. Kështu që, një pjesë e diasporës nuk kënaqet, siç ndodhte shpesh në të kaluarën, vetëm me dëgjimin e një fjalimi patriotik të ndonjë lideri tonë. Me fjalë të tjera, diaspora kërkon sot më tepër punë dhe rezultate konkrete, e jo vetëm premtime të ashtuquajtura “boshe” ;
  •  
  • Kohërat duket se kanë ndryshuar, në shumë aspekte ! Na pëlqeu apo jo, angazhimi në rrjedhat politike duket se ndryshon gradualisht kahjet me kalimin e viteve tek një pjesë e diasporës, duke u implikuar kështu paralelisht, edhe në politikën e vendit ku ajo jeton. Nuk është i ulët numri i njerëzve të viseve tona të cilët janë të involvuar me sukses në vendet e huaja, duke u identifikuar edhe përmes një integrimi në vlerat politike të shtetit përkatës ;

Mbi të gjithat, pa diskutim se do të ishte prapëseprapë në interes të gjithmbarshëm që diaspora të përfshihet në mënyrë më aktive në zgjedhjet dhe në proceset politike të trojeve tona, në përgjithësi.

Analiza e tillë meriton megjithatë edhe konkludimin vijues ; diaspora duhet të jetë pjesëmarrës aktiv i proceseve tona politike, kurse ndërkohë, me plotë arsye, ajo kërkon edhe rezultate të tjera, posaçërisht tek protagonistët tanë politik që presin aq shumë nga diaspora jonë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat