Stina e optimizmit për shpëtimin e shqiptarizmit

Diaspora

Stina e optimizmit për shpëtimin e shqiptarizmit

Nga: Baki Ymeri Më: 9 tetor 2019 Në ora: 12:44
Kopertina e librit

Në të gjitha përmbledhjet poetike të Dajës, dashuria dhe atdhedashuria zënë një vend kryesor. Daja digjet në mërgim, jo vetëm për atdhedashuri, por edhe për miqësi: “Koha për pajtim, o miku im/ Ka rrugën e vet të pakthim/ Miku më qorton për hallet e veta/ Gjatë kohë një përgjigje s’ia gjeta” (Shekulli i pajtimit). Në moshën e tij të respektuar, poeti e përjeton stinën e shprehjeve të ideve, të sentimenteve, të triumfit të dashurisë. Ja njëra nga idetë e tij fisnike, të cilën duhet ta kenë parasysh qeveritarët tanë, jo vetëm në Kosovë: „Dhelpra e Ballkanit gjithësesi/ Duhet të japë llogari/ Për vrasjet e nënave, fëmijëve/ Pleqve dhe të rinjve shqiptarë/ Nga sllavët e tërbuar, gjakatarë/ Që erdhën nga shpellat e Uralit” (O vëllezër shqiptarë, dhe ju o mërgimtarë).

Janë dy llojesh vjershat e Dajës me tematikë erotike: njëra palë e merr frymëzimin nga jeta e fshatit shqiptar ku u lind, nga vetë kujtimet e poetit, kurse pala tjetër përbëhet prej këngësh ku gjejmë plot ndjenja të pastra, dëshirën e lumturisë, optimizmin rinor, të kënduar herë me notën e vendit, dhe herë me atë të mërgimit. Daja duket i vogël, por vrrulli i tij poetik, romantik dhe patriotik është i madh. Poeti përpiqet të na japë në vija të shpejta jetën, zakonet, kostumet, dashurinë e njerëzve të thjeshtë, lumturinë e idilizuar të jetës fshatarake, natyrën e fshatit të tij, Sërmnovën e Gostivarit dhe shungullimën e ujërave të Vardarit. Në vargjet kushtuar vendlindjes dhe ambientit, Daja na jep një idil të bukur fshatarak.

Vjershat e tij janë plot përshkrime të qëlluara dhe ndjenja delikate. Ai din ta pasqyrojë me mjeshtëri artistike bukurinë e moshës së rinisë dhe shqetësimet e moshës së pleqërisë. Skandinavia gjendet në veri të kontinentit tonë, kurse Dajën atje e kemi si një zog qielli të cilin nuk e tremb, as pleqëria, as skamja, dhe as varfëria. Zogun e qiellit të Skandinavisë e tremb mjerimi shpirtëror i qeveritarëve të shqiptarizmit që i zëvendësuan interesat nacionale me interesa personale. Kroi është vendi i takimeve dashurore. Daja e përshkruan natyrën shqiptare dhe fshatin shqiptar. Ai e kujton kohën kur zana e fshatit të tij e has trimin kur shkon në krua, dhe ajo, e ëmbël, duket e trembur si sorkadhe, porsi në vargjet e Asdrenit: “Hedh sytë me habi/ çudi e saj e madhe/ ish kur duke u afruar/ po e sheh një trim të ri/ symadh, mustaqezi/ vështrimet si rrufeja/ ia hedh asaj përballë/ me sytë sikur e pi” (Në krua).

Daja i thurr lëvdata të vërtetës, në kohën kur gënjeshtra bredh si mbret i jetës

Daja s’i harron kurrë vargjet e Bylbylit të Drenovës: “O moj ti me sytë e zi/ q’i ke flokët porsi ar/ eja mezin të ta marr/ se po s’erdhe do të vij”. Ja vargjet e Dajës në njërën nga vjershat e tij: “Dielli i skuqur në majë të kodrës/ Buzëqesh si bariu që i bie lodrës/ Unë shikoj se si fshihet pas shpatit/ Bëhem gati marr dyfekun të ruaj fshatin/ Armiku me tradhëti mos t’na ripushtojë/ Vetëm arma këta barbarë din t’i ndalojë” (Dita shënën, nata mbulon). Dashuria ndaj vendlindjes ndërlidhet me me ndjenën e bekuar të atdhedashurisë. Vjershat e Dajës janë plot prova e kërkime formash të reja, veçanërisht strofa që i pasurojnë mjetet artistike të poezisë sonë. Provat konkrete, veprat artistike dhe faktet lirike, dëshmojnë se krahas Fikrije Bylykbashit, Remzi Bashës, Myrvete Mehmetit, Ramiz Kuqit, Lulzim Gashit, Naser Xanit etj., Daja është njëri nga poetët më të dashur dhe më të frymëzuar të Skandinavisë. Pse e themi këtë?

Këtë e themi sepse Daja i jep prioritet optimizmit për shpëtimin e shqiptarizmit. Lirika e tij patriotike është një thesar i çmuar i frymëzimeve të mërgatës shqiptare. Ai din ta mbrojë mirësinë dhe ta fshikullojë ligësinë. Ai i hymnizon dëshmorët e kombit dhe i demaskon butakët e politikës ballkanike që s’kanë mëshirë ndaj popullit, ndaj viktimave të varfërisë, ndaj ishushtarëve të lirisë. Daja e fshikullon korrupcionin dhe i thurr lëvdata të vërtetës, në kohën kur gënjeshtra bredh si mbret i jetës. Daja e çmon pavdekësinë e shpirtit. Ai nuk bie në grackat e pesimizimit, fetarizmit, dekadentizmit, fatalizmit apo misticizmit. Poti i thurr hymn martirizimit të sokolave e sokoleshave të Kosovës që e derdhën gjakun në themelet e lirisë dhe pavarësisë.

Daja shkruan për fisin e tij që nuk e harron, që me zemrë të plagosur e kujton. Impresionuese dhe mbresëlënëse janë vargjet e tij kushtuar nënës: „Ku je biri ynë! Eja në vendlindje/ Shtëpia e prindërve është shkatërruar,/ Gurrë e dru një grumbull i madh janë bërë./ Çdo ditë zogjtë mbi këtë grumbull/ fluturojnë cicërojnë e këndojnë/ Të thirrin të kthehesh në vatanin tënd./ Ecë biri ynë në vendin e të parëve tanë./ Bashkimi i shqiptarëve është afruar/ Lirinë e kemi afër o djalosh/ Eja shtëpinë e të parëve tanë ta ndërtosh!” (Një ditë e lumtur). Kemi edhe shumë për të thënë për zogun e qiejve të Skandinavisë, por sot po e përmbyllim me kaq, me pak e për merak!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat