Udhëtimi me krahë shqiponjë i kolanës “Thesar kombëtar i mërgatës shqiptare” në Suedi - Bota Sot
Udhëtimi me krahë shqiponjë i kolanës “Thesar kombëtar i mërgatës shqiptare” në Suedi

Diaspora

Udhëtimi me krahë shqiponjë i kolanës “Thesar kombëtar i mërgatës shqiptare” në Suedi

Nga: MSc. Albert Habazaj Më: 2 nëntor 2019 Në ora: 15:01
Albert Habazaj

Mërgata e luleve shqiptare në Suedi zhvilloi një veprimtari shkencore-kulturore, në trajtën e një tryeze të rrumbullaktë në Bibliotekën Shkencore “Nermin Vlora Falaschi” të Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, ku nderuan me pjesëmarrjen e tyre dhe personalitete të Bashkisë Vlorë, Rektoratit, të kulturës dhe Artit në qytet.

Maratonomakja me dritë edhe e këtij misioni të lartë fisnik prof. Migena Arllati, vullnetarisht dhe mirësisht, në rolin e ndërmjetësit shoqëror për mbarëvajtjen e veprimtarisë së sotme këtu, në Vlorë, me merakun maksimal, që çdo gjë të shkojë përsosur, më dërgoi në e-mail botimin më të ri “Thesar Kombëtar i Mërgatës Shqiptare në Suedi”, këtë me nr. 10, me synimin për të bërë një vëshrim për këtë vepër me vlera të veçanta albanologjike dhe pedagogjike. Materiali më erdhi në Pdf, në kohën e duhur, dhe, siç e shikoni, unë e printova, e kam lexuar, e kam studiuar dhe kam mbajtur shënimet përkatëse, që pata gjykuar të theksoj.

Por, mendova ta nis pak ndryshe këtë përnjohje etnokulturore, dokumentare-shkencore. Duke mirënjohur veprimtarinë e lartë të Misionarëve të “Thesarit Kombëtar” uroj shëndet të plotë fizik, shpirtëror, intelektual, kombëtar e qytetar, në rrafshin lokal si Shqiptarì dhe në planin universal si Botë njerëzore, për Meritorët e Çështjes Mbarëkombëtare të Mërgatës Sonë në Suedi.

Image

Dhe tani, këtyre motrave dhe vëllezërve të një gjaku, dua t’ju bëj një pyetje, në fakt, e kuptoj që mund të jetë retorike: Ku e gjeni këtë furi, këtë freski e gjallëri, more vëllezër e ju motrat tona me banim në Suedi, që gjithë ditën e ditës punoni për të mbajtur familjen e vogël dhe jetën dhe pas pune, mendoni, veproni, shkruani, botoni, përuroni për të mbajtur familjen e madhe, dinjitetin e Kosovës, Shqipërisë, të Shqiptarëve në Mal të Zi, në Serbi, në Greqi, në Maqedoninë e Veriut, Iliridë, në rajon e gjetkë, anembanë nëpr botë?!

Po ku e gjeni, more vëllezëre motra të “Thesarit”, gjithë këtë energji pozitive me dritë të ngrohtë diellore?! Ndoshta nuk është e nevojshme të përgjigjeni, se e shoh në sy të këtij auditori mirësisht dituridashës, që s’qenka nevoja për përgjigje, sepse të gjithë e dimë përgjigjen Tuaj: te Dashuria për Dheun e të parëve, origjinën, rrënjët, te Atdhedashuria e përmasave të Rilindjes Kombëtare të shek. XIX, përjetuar në kontekst:

- Për të vënë një gur në ndërtesë kombëtare;

- për të mbjellë një lule në kopshtin kombëtar;

- për të ndezur një dritë në udhëtimin qytetar të kombit tonë.

Image

Ndër 20 të thënat e arta të Nënë Terezës, e para është: “Të duash do të thotë të bësh gjëra të vogla me dashuri të madhe”, e cila na rezonon me veprën titanike që ju po ndërtoni për Shqiptarì. Duke e përjetuar drejtpërdrejtë në sy, duke e prekur me dorë prodhimin më të ri shkrimor të kolanës së “Thesareve…”, bindem se me dashuri të madhe bëhen jo vetëm punë të vogla, siç dëshironte Shenjtorja me gjak shqiptari, por me dashuri të madhe bëhen edhe punë të mëdha e vepra të larta në shërbim të Çështjes Kombëtare, Pavarësisë, Lirisë, Qytetërimit dhe Përparimit me synimin fisnik që, edhe Kosova e Shqipëria të bëhen e të jenë “lule në mes shoqeve”, siç ëndërronin Naim gjuhëbilbili i Shqipes dhe rilindasit tanë të shndritshëm, siç punon pa bujë e pa u dukur, i devotshmi atdhetar Hysen Ibrahimi dhe veprimtarët zemërmbushur me Atmëmëdhè, atje larg e lart në mërgim viseve skandinave të Suedië.

Deklaroj para jush, se nuk po shprehem vetëm figurativisht, kur u them miqve të librit, shkrimtarëve, artistëve, mësuesve, pedagogëve, veprimtarëve të kulturës dhe të Atdheut këtu në Vlorë, se Suedia e sotme shqiptare e Hysen Ibrahimit dhe detashmentit pararojë të Mërgatës me “Thesaret…” më kujton Amerikën shqiptare të Fan Nolit e Konicës me “Diellin” Albanian, parë sipas standardeve ët bashkëkohësisë.

Dakordësohem, ose siç na mëson të flasim e të shkruajmë shqip, akademik Gjovalin Shkurtaj, jam i një mendjeje me prof.dr. Adem Zejnullahun, që për vlerat që mbart e shpërndan ndër ne e nëpr botë, kolanën “Thesar Kombëtar…” e krahason me “Visaret e kombit”, “Kombiarin Kombëtar”, “Visaret e kombit”, etj. - që luajtën një rol të rëndësishëm më pasqyrimin e traditës sonë kulturore, me botimin e materialeve të ndryshme nga fusha e gjuhës, historisë, foklorit, etnologjisë etj., që janë vepra kapitale të kulturës sonë. Kolana 10 vëllimshe “Thesaret…” është monument me shkronja shpirti e dashurisë së përflakur për Atdhe”, siç shprehet zj. Hyrë Tejeci - Murati, në analizën zbërthyese dhe mbërthyese të ndërtesës shpirtërore të “Thesareve…”. Intelektualë e studiues të shumtë gjejnë dritare të reja studimore dhe marrin krahë dashurie për atdhe duke kërkuar nëpër mijëra e mijëra shufra të arta shkronjore të Opusit të “Thesareve…”. Profesorati mbarëshqiptar ëshët shprehur pozitivisht për punën përkushtuese të Meritorëve të promovimit të visareve të kombit në sotmëri dhe e shikon me optimizëm udhëtimin e gjatë, të bukur e të dobishëm të “Thesareve…”. Edhe për ndërkombëtarizimin e kulturës, historisë, kontributit shkencor që japin misionarët e saj të shndritshëm me këto faktografi të pakontestueshme e dëshmi të gjalla të historisë, dhembjes dhe krenarisë së kaluar, si dhe vizionit e shpresës për të ardhmen. Kryemerita e meritorëve është Edukimi i fëmijve me të Folurën Shqip në Dhè të Huaj.

Përse e veçoj këtë fakt? Unë e njoh mirë kurbetin. Edhe unë kam qenë në mërgim, 5 vjet emigrant në Itali, në fakt e vërtetësisht, në fillim si refugjat, dmth. njeri copë 1, thjeshtë gjallesë dygjymtyrëshe me një numër rendor në blloqet e përdorimit ditor të pronarit, pra të punëdhënëësit, se na qorton profesor Gjovalini dhe dinjiteti i emrit shqiptar. Isha refugjat, por shumë shpejt e fitova statusin e emigrantit dhe, sot… pas 20 vjetësh, ruaj respekt për Italinë, si atë ditë kur fitova statusin e emigrantit, me djersën e ballit dhe dinjitetin e emrit shqiptar! Atje, pas punës përditshmërisht të mundimshme, përgatita vëllimin poetik “Mërgata e Luleve, poezi refugjate e të tjera”, që sot ia dhuroj me nderim intelektualëve tanë mërgimtarë dhe Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Papa Klementi XI” Suedi nëpërmjet kryetarit të saj zotni Hysen Ibrahimi.

Kam një shqetësim që dua ta shpreh nëpërmjet këtij perceptimi, si mënyrë që e kap dhe ekuptoj unë ndjenjën konkrete të atdhetarisë: Kur jemi larg Atdheut - përmallohemi dhe mbushemi me lot atdhetarie. Kur jemi këtu, në mëmëmdhe, ligësohemi dhe mbushemi me vese, siç këndohet dhembshëm në një këngë nga anët tona: “O Atdhe , o babë e nënë!/ Të qëlluam me pëllëmbë…

Morta e vëllezër të mërgatës shqiptare në Suedi!

Nëqoftëse Marathonomaku antik bëri 41.195 m, pra rreth 42 km vrapim heroic për lajmërimin e fitores, ju Marathonomakët e “Thesareve…” po bëni 2500 km, të cilat do të vijojnë e do të vijojnë dhe as me frymën tonë e tuajën nuk do të përfundojnë…Qofshi të bekuar nga nënat tona, nga Mali i Çikës, i Tomorrit, nga Kurora e Malit, nga Korabi ynë, nga Shqiptaria për veprat e vyera që bëni në dobi të thesareve Kombëtare shqiptare anë embanë nëpr botë, sepse siç këndohet kënga kushtrim: “Sot që tundet rruzullimi,/ është dita vetëm sot./ Feja jonë është bashkimi,/ ndryshe mbaruam si komb!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat