Suksesi në Kanada i piktorit të ri shqiptar Elis Tarelli - Bota Sot
Suksesi në Kanada i piktorit të ri shqiptar Elis Tarelli

Diaspora

Suksesi në Kanada i piktorit të ri shqiptar Elis Tarelli

Bashkim Kadiu Nga Bashkim Kadiu Më 12 nëntor 2019 Në ora: 23:57
At e bir

Është modestia e lindur dhe e trashëguar e një ndjesie plot ngrohtësi prej piktori, si e Hytbi Tarellit, një përfaqësues i një veprimtarie plot jetë në artet pamore. Aty spikat një epokë e tërë, e sjellë mjeshtërish në art. Është Elisi, pinjoll i familjes Tarelli, tek i cili shohim një krenari të ligjshme, si ndjekës në gjurmët artistike, me përmbajtje të thellë ideore të veprave të të atit. Njëkohësisht një plotësim të një dëshire “të mohuar”, që na shpie drejt mbajtjes së një premtimi, ku thuhet: “Amanet i mbajtur”.

Ishte fryma novatore dhe atdhetare, plot shkëlqim e shumë veprave të artit, që e shtyn drejt një hapësire të gjerë, ku dominon ndërgjegjshëm puna e tij si artist dhe mëmëdhetar i thekur. Të gjitha veprat shpalosen në mes një freskie dhe ndjesie të prekshme me realitetin, duke futur dhe ruajtur në shpirtin e tij krijues, madhështinë e artit me brumë nga vendlindja shqiptare, që pasqyron një mendje e shpirt idealist, njerëzor e fisnik. Pikërisht këtu hasim ritmin e një jete plot vrull e mundim, të artistit me vlera dhe virtyte të larta, të piktorit dhe skulptorit Hytbi, figurë mjaft të njohur në rrethet artistike në mbarë trojet arbërore dhe në Kanada. Artisti i ri Elisi, me një krenari dhe nderim të thellë për këtë, ndjen dhe ndjek me përkushtim gjurmët e të atit, në krijimet dhe punimet e tij plot hijeshi dhe magji arti.

Në rrugën e gjatë dhe të vështirë në art, të të atit, vazhdon i biri, ky talent i trashëguar i aftësive dhe dëshirave të babait të tij, të guximit, qëndresës, durimit, këmbënguljes, si mësues dhe mjeshtër i penelit dhe daltës, i cili kishte një brengë dhe amanet të “pa tretur”, të bëhej artist i shkolluar. Fjalë e thënë dhe e dhënë, që u mbajt nga Elisi, si një gur i çmuar në gjerdanin e jetës të familjes së madhe “Tarelli”.

Elisi ndoqi studimet e larta pranë universitetit në Toronto-Kanada, ku dhe u diplomua për artet pamore moderne. Ky djalosh, i lidhur denjësisht me veprat e të atit, ndjekës i përkushtuar i mësimeve dhe porosive të tij, bëri të mundur realizimin e një ëndrre, e mbetur si brengë shpirti, për atë që s’mundi të bëjë i ati, në rininë e hershme të tij. Ai, tashmë i plotësuar shkollarisht dhe i pjekur artistikisht, në bashkëpunim me artistë të tjerë shqiptar dhe kanadez, është organizator dhe pjesëmarrës në hapjen e shumë ekspozitave në Toronto dhe në qytete të tjerë, të atij vendi ku jeton dhe punon prej disa vitesh.

Elisi është një nga piktorët dhe dekoratorët modernist të kohës, me plot talent, dëshira, ëndrra dhe njohuri akademike, i cili është duke trajtuar të gjallë dhe fuqishëm pikturën klasike modernizuese. Krijimtaria e tij është e lidhur ngushtë me atë çka ideon dhe kompozon, vërtetësinë e dëshirave të tij, duke na ngacmuar shpirtin me ndjeshmëri dhe admirim arti, për të vërtetën që na rrethon. Puna e tij na bind, se kemi të bëjmë me një talent artistik që premton dhe është në rritje. Një shembull i tillë, na detyron të jemi krenarë për vlerat e veprave të tij, si vazhdues i traditës shqiptare dhe familjare: “Amanetin e mbajtur”.

Suksese dhe krijimtari të begatë, në vazhdimësi të veprave të tua Elis, në gjurmët e babait tuaj, Hytbi Tarelli.

Bashkim Kadiu

Durrës më: 09, 11, 2019

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat