Veprimtari Daut Haxhaj, flet rreth zhvillimeve në Lobin Euro-Atlantik Shqiptar, dhe shumëçka tjetër rreth mërgatës shqiptare

Diaspora

Veprimtari Daut Haxhaj, flet rreth zhvillimeve në Lobin Euro-Atlantik Shqiptar, dhe shumëçka tjetër rreth mërgatës shqiptare

Më: 17 nëntor 2019 Në ora: 17:05
Daut Haxhaj

Angazhimi i shqiptarëve në lobim dhe veprimtari të ndryshme kombëtare nëpër botë, gjithmonë është dëshmuar, që në kohët e vështira. Edhe tani, bashkatdhetarët që jetojnë e veprojnë në Evropë deri në Amerikën e largët, vazhdojnë të kontribuojnë përmes organizatave lobuese, dhe jo vetëm, ata në mënyra të ndryshme ruajnë gjuhën, kulturën e traditën kombëtare shqiptare.

Daut Haxhaj, i cili është zyrtarë i lartë i Lobit Euro-Atlantik Shqiptar në Norvegji, njëherit, Kryetar i Komisionit Zgjedhor për Asamblenë e Jashtëzakonshme në këtë organizatë, në një intervistë për Telegrafin, ka folur për themelimin e kësaj organizate shqiptare, veprimtarinë e saj, si dhe shumëçka tjetër rreth rëndësisë së saj për mërgatën shqiptare.

Kur është themeluar Lobi Euro-Atlantik Shqiptar?

Daut Haxhaj: Pas përfundimit të luftës në Kosovë, përpjekjet e shqiptarëve në regjion dhe sidomos pas shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, një grup veprimtarësh që veprojmë në Mërgim kemi fillu një debat të brendshëm për themelimin e një organizate mbarëkombëtare apolitike ku në fokus do të jetë organizimi i aktiviteteve në fushën e ekonomisë, punës, biznesit, interesa të organizuara në fushat sociale, në fushën, në fushën e kulturës ,shkencës, organizimin e seminareve, debateve publike etj. Po ashtu primare do të jetë edhe ruajtja e vlerave kombëtare në veçanti ruajtjen e gjuhës shqipe si dhe të punohet gradualisht në depolitizimin e Mërgatës dhe promovimin e kudrave të shkolluare me vëmendje të posaçme inkurajimin e rinis dhe gjinisë në vendim marrje. Fillimisht është menduar të veprojmë në vendet ku jetojmë por në vitin 2014 ka dalë një ide që të shikohen mundësit e një organizate më të gjerë vepruese.

Në fund të vitit 2014 dhe gjatë gjithë vitit 2015 kemi punuar në terren për të senzibilizu mërgimtarët dhe në vitin 2016 kemi fillu me themelimin e degëve të para të LEASH .

Po në Norvegji?

Daut Haxhaj: Lobi Euro- Atlantik Shqiptar, për herë të parë është themeluar më 19. 03. 2016 në Oslo të Norvegjisë, ku ka dalë Kryesia 21 anëtarësh dhe delegatët për Kuvend Qendror.

Më pastaj ka filluar themelimi i degëve në Austri, Zvicër, Gjermani, Suedi, Itali dhe Kalabri duke krijuar kushtet e thirrjes së Kuvendit Qendror më 17 dhjetor në Lorrach të Gjermanisë.

Pas Kuvendit Zgjedhor janë formuar edhe dega në Greqi si dhe këshillat iniciues për themelimin e LEASH në Kroaci, Angli, Francë dhe Turqi.

Cili ishte motivi për shkarkimin e kryetarit të LEASH-it, Shukri Ymeri, më datën 06.10.19?

Daut Haxhaj: Pas zgjedhjes dhe konstituimit të Kryesisë Qendrore, në mungesë të përvojës organizative, mungesë të dijes për ti trajtuar temat dhe sidomos qasja përjashtuese nga ana e lidershipit po besoi, kanë fillu  keqkuptimet deri në tërheqje nga Kryesia Qendrore, duke filluar nga Suedia, Austria dhe Belgjika.

Duke e parë situatën, në mars të këtij viti, kemi marrë reagim nga Dega e Italisë dhe e Norvegjisë ku kanë kërku Mbledhje të Jashtëzakonshme të Kryesisë Qendrore.

Kam pas fatin dhe privilegjin që të jem në Komision Organizativ ku kemi ndërtu atmosferë konsensusi për ndërtimin e parimeve dhe konkluzioneve për të dalë nga situata e krijuar.

Me 21 shtator kemi nxjerr konkluzione dhe rekomandime si dhe një kalendar zgjedhor sipas mandatit të rregullt që kemi.

Pa kaluar dy javë, z. Ymeri, ish Kryetar pa e njoftuar Kryesinë Qendrore dhe Kryesinë e Degës në Itali, ka organizu një takim në Itali.

Kush e mori këtë vendim?

Daut Haxhaj: Siç e përmenda edhe më herët, ish Kryetari, po besoi në mungesë të dijes dhe përvojës  organizative, ka marrë veprim të njëanshëm në Itali duke tentuar të themeloi “Degën e LEASH” jo vetëm jashtë çdo parimi organizativ por edhe në kohen ku fokusi ynë ishte; riorganizimi i degëve, Austri, Suedi, Belgjikë si dhe themelimi i degëve në Kroaci, Angli.

Duke pas parasysh këto shkelje të fundit si dhe shkeljet e mëhershme, kemi kërku nga Komisioni statutar, të bëj një analizë dhe të vjen me rekomandim në Mbledhje të caktuar për 17 tetor 2019. Në mbledhje është prezentu rekomandimi me shkrim ku identifikohen 18 shkelje të renda të Statutit të LEASH dhe rrjedhimisht kemi marrë vendim unanim pa asnjë votë kundër të të pjesëmarrësve, që z. Shukri Ymeri të pushohet nga drejtimi i Kryesisë Qendrore deri në Kuvend Zgjedhor.

A jeni përpjekur ta shmangni këtë proces?

Daut Haxhaj: Patjetër, unë edhe nga natyra dhe përvoja organizative, preferoi bisedat dhe besoi se me dialog çdo gjë mund të arrihet por sinqerisht gjatë gjithë përvojës time organizative nuk kam pas rast të takoi individ që nuk dëshiron ti kuptoi gjerat elementare organizative duke e luajtur rolin e një diktatori të vogël në një organizatë mbarëkombëtare ku primare e kemi promovimin e vlerave kombëtare dhe demokratike. Me keqardhje po them se edhe në ketë shekull, edhe pas shumë viteve jete dhe veprimtarie në vende demokratike, sindroma ballkanike qëndron tek disa bashkatdhetar. Këto padyshim janë pasojat e okupimit që do të na përcjellin edhe në gjeneratën tonë.  Uroi dhe besoi se gjeneratat që vijnë pas nesh mos të ballafaqohen me sindromën dhe sjelljet të tilla.

Si do të vijojnë punët tani në organizatë?

Daut Haxhaj: Pas vendimit të 17 tetorit, me 21 tetor në mbledhjen e radhës së Kryesisë Qendrore është zgjedh Komisioni Zgjedhor, i cili detyrë primare ka organizimin e Kuvendit të Jashtëzakonshëm, për shkak të situatës.

Gjatë ditëve të kaluara kemi marrë vendim për zgjedhjen e Komisioneve zonale apo të shteteve ku kemi degë si në; Greqi, Itali, Zvicër, Gjermani, Belgjikë dhe Norvegji, po ashtu kemi dërgu udhëzime administrative për themelimin e Degëve të LEASH si dhe zgjedhjen e delegatëve për Kuvend Zgjedhor, nga  Anglia dhe Franca,  jemi në pritje për Kroacinë dhe Turqinë.

Kalendari zgjedhor ka fillu më  4 nëntor  dhe përfundon me 04 janar, ndërsa Kuvendi i Jashtëzakonshëm Zgjedhor do të mbahet më 08 shkurt 2020 në Athen të Greqisë. Vend që jemi përcaktuar në aspektin strategjik, kemi një numër të madh të mërgatës por edhe përgjigje ndaj politikave diskriminuese zyrtare greke ndaj çështjes Çame.

T’i kthehemi çështjeve të tjera të rëndësishme… Pse duhet që mërgata shqiptare t’i bashkohet Lobit?

Daut Haxhaj: Rëndësia është imediate për ruajtjen e vlerave dhe gjuhës. Ne duhet patjetër të organizohemi në një platformë të përbashkët në bashkëpunim me institucionet në vendlindje ,për t’i ruajtur gjeneratat e ardhshme ndaj asimilimit.

Mërgata ka nevojë jetësore për një organizatë të qëndrueshme që ndërton një kulturë organizative.

Lobi Euro-Atlantik Shqiptar ka një platformë të përkryer e cila parasheh organizimin e strukturuar të  piramidës së nevojave të Mërgatës, duke përfshirë të gjitha nivelet e organizuara të interesave , si atë në : kulturë, biznese, shkencë, kohë të lirë, humanizëm, parandalimin e anëve negative, integrimin e shqiptarëve, ngritjen e vullnetarizmit.

A ka pasur aktivitete këtë vit?

Daut Haxhaj: Në të gjitha vendet ku kemi degë, aktivitetet nuk kanë munguar, kryesisht në fushën e Kulturës, sportit, aksioneve humanitare dhe ngritjen e cilësisë në mësimin plotësues në gjuhen shqipe, ku LEASH në bashkëpunim me organizata dhe shoqata shqiptare kanë organizuar gjithandej në shtetet ku veprojmë. Po në kuadër të ndërtimit të raporteve me institucione në vendlindje kemi organizu dy vizita të suksesshme në Republikën e Shqipërisë, Republikën e Kosovës, ku kemi pas takime me institucione. Po ashtu kemi qenë prezent edhe në media.

Po në Norvegji, sa keni pasur shtrirje?

Daut Haxhaj: Në Norvegji, besoi për kohen që veprojmë, mund të konkludojmë se jemi të kënaqur por sigurisht që duhet të rritet aktiviteti dhe të forcohen relacionet mes LEASH dhe Organizatat dhe Shoqatat Shqiptare që veprojnë në Norvegji.

Kemi organizuar disa tubime informative dhe konsultative me Organizata Shqiptare nga rajoni Rogaland deri në Østfold, duke përfshirë edhe Kryeqytetin Oslo në një diametër mbi 800 kilometra, rajone ku jetojnë dhe veprojnë bashkatdhetarët.

A keni përkrahje institucionale – shtetërore atje?

Daut Haxhaj: Në vitin 2018 kemi pas mbështetje institucionale qoftë nga institucioni regjional IMDI po ashtu edhe nga Ministria e Diasporës së Republikës së Kosovës, mjete të cilat i kemi dedikuar në Kryesi Qendrore në kuadër të takimit për Gjergj Kastriotin, ndërsa mjetet nga IMDI janë përdor në Norvegji për eventin e Gjegj Kastrioti, Festat e Nëntorit si dhe aktivitete për të rinjtë.

A komunikoni me rrjetet, shoqatat, organizatat e tjera shqiptare për të bashkëpunuar tutje?

Daut Haxhaj: Sigurisht që LEASH, konceptin e punës duhet të ndërton në vlera dhe respektim të punës dhe veprimtarisë së bashkatdhetarëve në të kaluarën dhe si rrjedhojë ne e ndiejmë obligim të bashkëpunojmë dhe të komunikojmë me organizata dhe shoqata shqiptare.

Po me Ambasadën e Kosovë, si qëndrojnë raportet, duke ditur se është urë-lidhëse?

Daut Haxhaj: Për vetë faktin se ne i respektojmë mandatin kushtetues në vendlindje , ambasadat si pjesë e diplomacisë, e kemi obligim të ndërtojmë raporte të qëndrueshme.

Kemi raporte dhe në shumë evente edhe i ftojmë përfaqësuesit e Ambasadave, për koincidencë në Norvegji, përveç Ambasadorëve të Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë Veriore që është shqiptar, kemi takuar edhe Ambasadorin Amerikan në Norvegji.

Me ambasadorin e Republikës së Shqipërisë, kemi komunikim por gjerë tani nuk kemi pas rast të takohemi.

Po ashtu kemi kontakte dhe relacione me Qendrën Kulturore të Republikës së Kosovës në Malmo të Suedisë.

Krahas kësaj, në aspektin e arsimit e kulturës, sa keni bërë për mërgimtarët?

Daut Haxhaj: Në kuadër të mësimit plotësues, kemi shpërnda libra në qytetet ku zhvillohet mësimi plotësues në gjuhen shqipe, material i marrë nga Qendra Kulturore në Malmo, dhe jemi në fazën ku është duke u punuar në regjistrimin dhe certifikimin e mësimdhënësve në institucione në vendlindje.

Në Norvegji duhet cekur, se kemi arrit ta fusim gjuhen shqipe si lëndë të tretë, ku të rinjtë shqiptar mund ta japin provimin dhe nota të llogaritëset në rezultatin e përgjithshëm të notave. Sigurisht që provimi është me dëshirë, por e mira është se çdo vit kemi interesim të shtuar të të rinjve  për regjistrimin e provimit në gjuhen shqipe.

Po te shkollat shqipe, apo mësimet plotësuese, përfshirë tekstet shkollore?

Daut Haxhaj: Po thuajse në të gjitha shkollat, përdoren mjetet zyrtare të mësimit plotësues, nga kurrikula e fundit e dy qeverive respektivisht Ministrive të Arsimit dhe të Diasporës. Ne në bashkëpunim me organizata dhe shoqata shqiptare duhet ta përcjellim procesin në mënyrë që në çdo shkollë të punohet me kurrikula të vendlindjes si dhe të gjithë mësimdhënësit të certifikohen

Ku jeni me projekte tani dhe duke ditur që tanimë jemi afër fundvitit, a keni planifikuar projektet që priten të realizohen në 2020?

Daut Haxhaj: Sa i përket punës njëvjeçare dhe raportin katërvjeçar do të prezantohet në Asamblenë e Jashtëzakonshme me 08 shkurt 2020. Ndërsa për Norvegjinë do ta diskutojmë dhe miratojmë në dhjetor të vitit 2019. Ekskluzivisht jemi përqendruar në fillim në shtrirje dhe krijimin e një klime bashkëpunuese me organizata, shoqata dhe klube futbollistike që veprojnë dhe janë të regjistruara në institucione përkatëse në Norvegji, sepse edhe ne Lob jemi të regjistruar në 2016.

Të njëjtën kohë ne e miratojmë një plan pune njëvjeçar ku angazhohemi në përmbushje të objektivave të parapara.

Nga përvoja e punës shumëvjeçare që e kam pas, gjithnjë duhet pasur fokusin e përpilimit të Planit të Punës për çdo fundvit për vitin që vjen.

Plani punës vjen me propozime të kolegëve por besoi se ne edhe në vitin 2020 duhet të punojmë në shtrirje dhe fuqizim, forcimin e marrëdhënieve të shëndosha dhe të qëndrueshme me organizata që veprojnë në Mërgim, ndërtimin e raporteve të qëndrueshme me institucione në vendlindje, promovimin e vlerave kombëtare dhe turistike të vendlindjes në vendet ku veprojmë, ngritjen e cilësisë organizative dhe të mësimit plotësues.

Për fund, çka ju sugjeroni bashkatdhetarëve?

Daut Haxhaj: Mërgimtarët si pjesa më e ndjeshme e vendit tonë, përveç vështirësive që kanë në vendet ku jetojnë, kanë treguar kujdes dhe kanë kontribuar në të gjitha fazat për vendlindje. Edhe sot vendet e lindjes i shijojnë kontributet e mërgimtarëve qoftë nëpërmjet remitences, investimeve dhe ofrimi i përvojave nga vendet demokratike, të gjejnë kohë, vullnet dhe kurajë të angazhohen në Lobin Shqiptar ( LEASH) që bashkërisht të ndërtojmë një organizatë të fuqishme në ruajtjen e vlerave dhe gjuhës shqipe.

Koncepti i Lobit është bashkimi i shqiptarëve, me përfaqësim nga të gjitha trojet në të gjitha vendet ku veprojnë dhe punojnë bashkatdhetarët.

Vetëm të bashkuar dhe me respekt ndaj njëri tjetrit mund t’ia dalim!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat