Faleminderit President!

Diaspora

Faleminderit President!

Nga: Haki Latifi Më: 20 janar 2020 Në ora: 13:18
Ibrahim Rugova dhe Haki Latifi

Faleminderit President Rugova që me angazhimin T’uaj të pa shoq, sakrificat shekullore të shqiptarëve për Liri e Pavarësi i shëndrrove në realitet dhe Kosovën e bëre shtet.

Të qofshim falë për të gjitha ato që bëre për Kosovën, për ne dhe për të gjithë shqiptarët.

Kaluan plot 14 vjet e ne udhëtojmë pa Ty shtigjeve e labirintheve të Dardanisë së Re, të shtetit më të ri e më të këndshëm në botë, që Ti e ngrite mbi themelet e Dardanisë së Lashtë.

Image

President, ne vazhdojmë të jetojmë edhe pa Ty, por janë disa të sojit tonë, që kanë shmangur udhën e Zotit e po shkojnë teposhtëzave shumë të rrezikshme. Ku, në mos sot, nesër do të rrolkullisen e do e thejnë qafën, duke rrezikuar edhe jetën e tyre dhe të tjerëve. Tashmë disa po shihen duke u rrokullisur. Ka edhe të tillë që në shumë dreqëri dhe në interese personale e klanore, ende vazhdojnë të thirren në emrin T’uaj të madh President Rugova. Po e shoh se ka ardhë koha që t’u thuhet mjaft njëherë e përgjithmonë dhe të ndalën, që të mos u lejohet të ngarkojnë më mbi shpinën e kërrusur të popullit tonë të shumë vuajtur. Çuditërisht ka ende të tillë që mendojnë se patjetër ata duhet të jenë në ballë të çdo gjëje që bëhet në trojet tona, pa kuptuar se janë vetëm një pikë uji në oqeanin kombëtar.

President,

Ishim dëshmitar se, kundërshtarët politikë në Kosovë e Shqipëri bënë garë të poshtrojnë kush më shumë e më shpejt, duke rënë pre e meskinitetit dhe xhelozisë provinciale.

Edhe ne u dogjem në mes të Janarit, dhe pa dashjen tonë, çelsin e mori gjarpëri, dhe nuk e dijm se argatin e kujt e bënë! Të tillët, Ishin të mundurit më jetëgjatë se Ti për vullnet të Zotit. Bile ky soj, ende gjuajnë me mllef ndaj Teje, jo nga lartësia e distancës historike, por shpesh, si kundërshtarë nga ultësia e pezmit, të helmuar në disfata, për gjithë pjesën e jetës që u ka mbetur.

Edhe njohja e Kosovës nga shtete të tjera ka mbetur në vend, bile ca shtete që s‘kishim dëgjuar më herët kërcnojnë me tërheqje të njohjes!

Puna është se kemi një diplomaci “të leshtë”, sepse për shkak të kësaj diplomacie të „leshtë“, ecuria drejt integrimit europian është zero, nuk ka përparime! Na kërkojnë kushte pas kushtesh, ose thonë sikur kërkohen, por çështja është shumë e thellë. Jemi shumë larg dhe nuk shohim as dritë, as drejtim, dhe as hapa para.

Por, Ti i kupton si janë mrapshtitë shqiptare, sllave apo karakteristikë ritmike e natyrës njerëzore.

Po, sot është rasti me përsëritë që “rrufeja bie mbi lisat e gjatë”, duke hedhur baltë mbi Ty i dashtun President, është soji i njejtë që besuan se hoqën baltën e tyre. Por, ishte populli i Kosovës që foli në emër Tënd, duke të votuar në mënyrë plebishitare dhe ashtu e morre sa herë deshte mbështetjen e qytetarëve të Dardanisë, derisa vdekja të ndaloi së konkurruari si politikan, por jo si model.

Sepse, modeli u shndërrua në Ikonë.

Por në mbretërinë tonë kombëtare, besoj ashtu siç deshte dhe besoje Ti, do të mbretërojë dhe do të sundojë gjithmonë edhe tej amshimit, dashuria për njëri-tjetrin, dashuria për të tjerët, besa e mirëfilltë, amaneti i të parëve tanë për një prosperitet të gjithëmbarshëm kombëtar e njerëzor, për një dashuri universale, jashtë intereseve personale, grupore e klanore. Sepse, me dashurinë tonë të mirëfilltë do t’i bindim të gjithë se e vetmja rrugë e ardhmërisë njerëzore e kombëtare është vetëm dashuria dhe kryerja e detyrave me dinjitet.

Ishte nder dhe një bekim që të njoha, jetova dhe veprova në kohën tënde i dashtun Presidentit...

Zoti e bekoft veprën tënde të madhe i dashtun President Dr. Ibrahim Rugova!

Zoti e bekoft Republikën e Kosovës dhe mbarë popullin shqiptarë!

Zoti i bekoft miqtë e shqiptarëve, të Europës dhe SHBA-të!

Lavdi dhe nderim të përjetshëm për themeltarin e shtetit të Kosovës, Presidentin historik Dr. Ibrahim Rugova!

Amin!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat