Rrustem Gecaj, patrioti dhe atdhetari i madh që po kontribuon për Kosovën tash e 50 vjet

Diaspora

Rrustem Gecaj, patrioti dhe atdhetari i madh që po kontribuon për Kosovën tash e 50 vjet

Më: 10 shkurt 2020 Në ora: 16:33
Rrustem Gecaj, Ibrahim Rugova

Para më shumë se 50 vjetësh ai emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA). Rrustem Gecaj u nis në rrugën e panjohur gjysmë shekulli më parë, por me angazhim të vazhdueshëm dhe mendjen tek atdheu ai arriti që të shndërrohet në një biznesmen të fuqishëm e patriot të pashoq.

Rrustem Gecaj bashkë me atdhetarin tjetër të madh, Harry Bajraktari krijuan ‘perandori’ biznesi në SHBA, respektivisht në Nju Jork e Uashington. Por jo vetëm kaq, që të dy u angazhuan fuqishëm në çështjen kombëtare të çlirimit dhe pavarësimit të Kosovës.

Duke mos e harruar asnjëherë Kosovën, Rrustem Gecaj menjëherë pas luftës u bë njëri nga investitorët më të mëdhenj në Kosovë. Ai është pronar i Verarisë më të madhe në vend, “Stone Castle” në Rahovec, si dhe Bodurimit të verës në këtë qytet. Me këtë biznes aktualisht menaxhon i biri i tij, Avdi Gecaj.

“Stone Castel” dhe investimet tjera në atdhe të Rrustemit, kanë krijuar qindra vende pune për kosovarët, duke u bërë kështu njëri nga punëdhënësit më të fuqishëm në vend.

Se verërat “Stone Castle” janë të cilësisë super të lartë e tregojnë edhe eksportet dhe konsumi i tyre në vende me të fuqishme në botë, duke nisur SHBA-ja, Gjermania, Italia, shtetet e Beneluksit, vendet e rajonit, etj.

Për suksesin e privatizimit të Vreshtarisë dhe Verarisë “Stone Castle” kanë shkruar edhe mediat ndërkombëtare, siç është Deutsche Welle (DW).

Shumë ndërmarrje janë privatizuar në Kosovë. Vetëm pak prej tyre kanë arritur të shtrihen me produket e tyre në tregun e jashtëm. Ndër to është edhe Vreshtaria dhe Veraria “Stone Castle”, në Rahovec. Kultivimi i rrushit dhe prodhimi i verës është karakterisitikë e Rahovecit dhe Anadrinisë. Toka pjellore dhe dielli rreth 270 ditë në vit ndikojnë që hardhitë të përbëjnë njërin ndër burimet kryesore të ekzistencës për banorët e këtushëm. Në kushte të tilla e panë perspektivën e verarisë edhe dy investitorët shqiptaro-amerikanë, Rrustem Gecaj dhe Hari Bajraktari. Kjo bëri që hapësira e privatizuar prej 2, 240 ha, pjesa dërmuese e të cilës është e mbjellur me vreshta, pas pesë vjetësh të njihet si veraria më e madhe në Kosovë dhe njëra ndër më të mëdhatë në rajon, shkruan DW.

Vera “Stone Castle” edhe në tryezat gjermane

 Fabrika Stone Castle është privatizuar ne vitin 2006, me çmimin e blerjes 5.5 milionë euro dhe me 5 milionë investime shtesë. Investimet janë përmbyllur sipas afatit, për çfarë është nënshkruar marrëveshja e obligimeve të kryera me AKM-në.

Në vitin 2007 filloi një epokë e re për këtë fabrikë. Përveç prezencës në tregun e brendshëm, marrëveshja me Gjermaninë do të jetë fillimi i shtrirjes në tregun e jashtëm. Prej 2007-tës ka qënë një treg shumë i mirë në Kosovë dhe jashtë saj, sidomos në fillim të vitit 2008, ku kemi plasuar një sasi mjaft të madhe për Shqipërinë. Është bërë një marrëveshje shumëvjeçare me Gjermaninë, të cilën e vazhdojmë. Në 2006-n sasia ka qenë 600 mijë litra. Por, kërkesat rriten çdo vit, ndërsa këtë vit presim që kjo sasi të rritet në 1 milionë e 200 mijë litra vetëm për tregun gjerman, kishin deklaruar për DW-në nga “Stone Castle”.

“Stone Castle” dhe Rrustem Gecaj njihen edhe për kontributin e madhe në mbështetje të sportit dhe kulturës në Kosovë. Ata janë sponsor të skuadrave sportive dhe aktiviteteve kulturore gjithandej vendit.

Rrustëm Gecaj: Malli për vendlindje, i cili nuk më lë kurrë dhe Kulla e Bardhë e ëndrrave të mia

Rrustem Gecaj, veprimtar i devotshem dhe biznesmen i njohur shqiptaro-amerikan, rrëfehet në veten e parë: për fillet e jetës në migrim, ëndrrat e trishta për fatin e popullit të vet, daljen zot Atdheut në vazhdimësi, “Kullën e Bardhë të Shekullit 21”, të ndërtuar mbi themelet e asaj të vjetër mbi 200- vjeçare, për verën e Kosovës “Stone Castle”, e cila po konkurron në tregjet e Perëndimit, për modestinë e tij të paparë dhe principet që i kultivon në vazhdimësi se puna duhet të tregojë veten dhe vlerat, për familjen dhe mallin për vendlindjen, i cili nuk shuhet kurrë!

Rrëfimi i shkëputur nga viti 2016 – Lul Thaçi

Dy vite më parë ne aeroportin ndërkombëtar JFK-ej të Nju-Jorkut, pas një pritje të gjatë do të më vije radha që të hy në sistemin e skanimit, dhe si rëndomë gjerat personale duke i vërë në kutinë në dalje do vërej se njërit që ishte para meje, padiktueshëm do i bjer në dysheme gazeta”Dielli”.

Pasi që, në këtë tollovi do të na hyjë një pasagjer në mes, do e marr gazetën, rregulloj rraqet e mia dhe me shpejtësi do e zë personin të cilit i kishte rënë gazeta. Pa mëdyshje, se ky udhëtar do të jetë shqiptar do i them: Zotëri, ja kjo që u ra, është gazeta juaj.

I panjohuri do të më falënderohet me një mirësi dhe kulturë të veçantë, për të vazhduar bisedën edhe për pak kohë duke më paralajmëruar se do të shihemi prapë gjatë udhëtimit të gjatë, pasi që të dytë udhëtonim për në Kosovë.

Pas nja tri orë fluturimi, zotëria në fjalë, për çudi, se si me gjet në atë aeroplan me mbi 320 udhëtarë, do të jetë pranë meje për të vazhduar muhabetin. Ende pa dalë te emrat dhe t’iu prezantuar njeri – tjetrit, do e pyes se me çfarë merret në Nju-Jork. Do të më përgjigjet se merret me Real Estate (Veprimtari banimi ose ndërtesa banimi).

Ndërsa në pyetjen time se a punon për dikë apo ka pronësi të veten në këtë lëmi, do të thotë se ka të veten. Për çdo rast do e pyes se sa banesa keni ne pronësi? Përgjigjja do të më befasoj: 1100 apartamente familjare. Do them se është koha të prezantohemi, sepse unë së paku kam dëgjuar për njerëzit tanë që kanë arritur suksese së paku të këtyre përmasave.

Më thotë, unë jam Rrustem Gecaj. Vërtet, për z. Gecaj kisha dëgjuar shumë herë më parë, edhe pse në shtypin e diasporës nuk ishte ekspozuar fare, por nuk kisha pasur rast ta takoja ndonjë herë.

Do e vazhdojmë bisedën në aeroplanin përplot udhëtarë që çante qiellin mbi Oqeanin e pafund. Për kuriozitet do e pyes se a kishte investuar diç në Kosovën e pasluftës, edhe këtu përgjigjja do të jetë befasuese.

Po, kam blerë në pronësinë time 2247 hektarë tokë vreshtarie në Rahovec dhe Fabrikën e Verës, të cilën verë e kam emërtuar “Ston Castle” (“Kështjella e Gurtë), në të cilën janë të punësuar afro 700 punëtorë të rregullt, ndërsa gjatë vjeljes së rrushit afro 1000.

Prapë unë do vazhdoj me pyetjet e mia se pas blerjes së fabrikës, a ka bërë ndërrimin e udhëheqjes së saj të menaxherëve dhe pushimin nga puna të punëtorëve, ngjarje këto që kanë ndodhur jo rrallë me fatin e shumë punëtorëve tanë në ndërmarrjet të cilat janë privatizuar pas çlirimit të Kosovës.

Përgjigjja e z.Gecaj do të jetë edhe më befasuese që nuk e prisja dhe që nuk e kisha dëgjuar më parë, aq humane, aq e njerëzishme dhe ishte moto imja që këtë model atdhetari duhet ofruar lexuesve si shembull kulmor e madhështor të një burri zemërgjerë që e donë dhe e nderon atdheun dhe popullin e vet!

Përgjigja do të jete kjo: Jo, unë askënd nuk e kam privuar nga puna. Unë nuk kam investuar në Kosovë për t’i marrë në qafë njerëzit duke i suspenduar nga puna, njerëzit që me dekada kanë punuar atje duke i mbajtur familjet e tyre. Të gjithë do të punojnë nëse ata vetë dëshirojnë të punojnë…

Një qëndrim i tij për mua ishte mahnitës që do të më përcjell një kohë të gjatë deri sot…

Dhe tani dy vjet pas njoftimit tonë të rastësishëm jemi të ulur në zyrën e z. Gecaj së bashku dhe me dhëndrin e tij dhe mikun tim të nderuar, Dr. Hasan Ademajn (vëlla i dëshmorit Vezir Ademaj, i rënë në luftën e UÇK-së për çlirimin e Kosovës në vitin 1998).

Jemi në një bisedë modeste dhe miqësore për të shkëputur vetëm pak fletëza të ecjes së z. Gecaj në jetë, sepse për një përfshirje solide të veprimtarisë së tij, do të duhej thur libra të tëra.

Me shumë dashamirësi dhe respekt për lexuesit e gazetes “Dielli”, z. Gecaj do të pranon këtë bashkëbisedë, edhe përkundër asaj se nuk ka dëshirë të dal në shtyp, të bëjë libra për veten e tij dhe dëshiron që të gjitha t’ i tregojë me punë dhe bujari duke u dalë zot njerëzve në nevojë dhe atdheut të vet.

Thotë se e ka vështirë të flas për veten dhe se nuk është mësuar të bëjë një gjë të tillë!

Jetoj me vuajtjet dhe shpresat e popullit tim

Në SHBA kemi ardhur në vitin 1976. Fillimi si çdo fillim pune për të mbijetuar në qytetin e madh dhe jo rrallë edhe nga dy pune në ditë. Pastaj me nipin tim z.Hari Bajraktari, filluam investimet e para në Real Estate, duke blerë një ndërtesë me 32 banesa, të cilat do i japim me qira dhe vazhdonim ende punët tona të rregullta.

Pastaj, nga një investim me pune të jashtëzakonshme në tjetrin, kemi zgjeruar bizneset për afro 30 vjet dhe ndarë bizneset. Dhe jemi sot këtu ku jemi, realisht të suksesshëm, si z. Bajraktari, po ashtu edhe unë. Unë kam sot afro 1100 apartamente në Nju-Jork, kam zyrat dhe të punësuar mjaft njerëz në mesin e tyre dhe fëmijët e mi së bashku me profesionalistë të tjerë.

Kam shtëpinë time private në N.Y. ne Mount Kisco dhe një apartament për pushime në Majami (Florida). Kam një familje të mrekullueshme, bashkëshorten Havën dhe 4 djem e tri vajza, të cilët të gjithë pos djalit të vogël kanë përfunduar studimet dhe punojnë. Ndërsa djali i vogël tani ka filluar studimet.

Në ndërhyrjen time për lidhjet emocionale me Kosovën dhe fatin e saj, z.Gecaj, me një frymëmarrje të thellë dhe plot mall do të thotë: Unë në çdo moment jetoj me Kosovën, kataklizmat të cilat i ka përjetuar populli im, edhe pse ishim ë kurbet ishin pjesë e qenies sime, pjesë e ëndrrave dhe shpresave të mia.

Andaj, në çdo kohë, ku kam mund dhe kur është kërkuar nga unë, jam munduar që t’i dal zot atdheut. Shumë iniciativa i kemi shtyrë po pse jo edhe sponsoruar e kontribuar, me z. Bajrakatri dhe patriotë të tjerë në të gjitha institucionet e këtushme, qe nga Liga Shqiptaro – Amerikane, NAAC-,kampanja për zgjedhje kongresistësh dhe senatorësh, si dhe kandidatësh për kryetar të SHBA-ve, dëshmi në Kongresin Amerikan, e kështu deri në Shtëpinë e Bardhë, para lufte, gjatë lufte kur popullit tonë i kanosej shfarosja e deri sot.

Kemi organizuar e pritur, duke aranzhuar takime të udhëheqësve të asaj kohe të Kosovës deri në Uashington; kemi përkrahur edhe materialisht organizimet në diasporë, LDK-në, fondet për ndihmë Kosovës, UÇK-në, radiot, si dhe kemi nxjerr gazetën “Illyrija”, më 21 qershor të vitit 1991 në shqip dhe anglisht, e cila i është dërguar, Kongresit Amerikan, Shtëpisë së Bardhë, diplomatëve të huaj, si dhe OKB-së, mbi 10 vite pa ndërprerë.

Ndërsa, në Kosovë që nga futja e minatorëve në zgafelle. më 1989, për 3 vjet në kuadër të aksionit “Familja mban Familjen”, kemi mbajtur 20 familje minatorësh të Trepçës. Më kanë dërguar mirënjohje të cilat më nderojnë nga mirënjohjet e shumta në mënyrë të veçantë.

Pastaj, si ka shkuar rrjedha e ngjarjeve në Kosove, ashtu kanë shkuar edhe kyçjet tona në daljen zot atdheut…

Ne vazhdim z.Ademaj do shpjegojë se ju shumë kohë më parë deri sa ishin në shtëpinë e mikut (z.Gecaj) duke përcjellë TV21,do prezantohej një familje e vuajtur e cila kishte nevojë për ndihmë mbijetese.

Pasi që do përfundojë reportazhi, z.Gecaj do të kërkojë nga unë nëse e kisha telefonin e korrespondentit të TV21-it (z.Halil Mula), që të na gjente lidhjen, adresën e familjes dhe, pasi që këtë e bëra brenda pak ditësh, z. Gecaj do ia dërgojë një ndihmë te konsiderueshme të hollash, pa ua treguar emrin se nga kush u janë dërguar!

Ky fenomen i dërgimit të ndihmave pa emër nga eksperienca ime ishte gati i panjohur, madje unë kam parë të kundërtën se bëhen reklamime ende pa mbërri ndihmat…ose personat në fjalë ftojnë mediet së pari për t’ia dorëzuar!!! Ndërsa, madhështia e burrërisë së z. Gecaj qëndron mu këtu,që ndihmën do e lërë që të bëjë punën e vet pa ia dedikuar prestigjit të tij personal.

Pas çlirimit të Kosovës, z.Gecaj së bashku me nipin e vet, z.Hari Bajrakatri, do t’i furnizojnë 20 shkolla në Kosovën e shumëvuajtur me kompjuterë.

Do të ndihmojë TMK-në, renovimin e Kullës së Isa Boletinit në Kosovë, renovimin dhe ndërtimin e shumë institucioneve fetare të të dy konfesioneve, ndërsa në N.Y. do e financojë në tërësi renovimin e lokaleve të Federatës Panshqiptare “Vatra”, e themeluar 103 vite më parë…

“Kulla e Bardhë”- kulla e ëndrrave të mia

Zoti Gecaj ka investuar, edhe në Kosovën e pasluftës, konkretisht në Rahovec dhe atë ne sektorin e vreshtarisë, duke i blerë 2247 hektarë dhe rivitalizuar e organizuar prodhimtarinë e verës në ndërmarrjen tanimë të emëruar “Ston Casttle”, në të cilën janë të punësuar mbi 700 punëtorë, ndërsa gjatë sezonit edhe mbi 1000.

Këtë investim z. Gecaj e bëri në vitin 2006 dhe e thotë me shumë ndershmëri, se më shumë e kam bërë për t’ia zgjatur dorën popullit tim atje dhe ndihmuar familjet të cilët jetojnë nga kjo veprimtari, se sa për përfitime vetenake. Shton, se megjithatë edhe numri me mbi 1000 apartamente të cilat i mbaj në pronësi në Kryeqytetin e botës, nuk lënë arsye të tjera për investime jashtë.

Unë, thotë z.Gecaj, gati secilin muaj shkoj në Kosove dhe ta zëmë që 3 -4 vite nuk kemi shkuar as në Florida për pushime, ku kam apartamentin privat, pasi që çdo kohë të lirë dëshiroj të ia kushtoj atdheut.

Vera tanshmë kosovare “Stone Castlle” e z. Gecaj, ka filluar që të distribuohet edhe në Gjermani, Zvicër, Kroaci, Austri, Shqipëri, Nigeri, Sh.B.A etj., pasi që përpunohet nga teknologjia më bashkëkohore dhe kualiteti që ka.

Kam filluar edhe me festimin tanimë të një feste tradicionale, të asaj “Dita e Vjeljes së Rrushit”, me ç’rast ftojmë mysafirë nga mbarë trojet shqiptare si dhe të huaj, po edhe diplomatë të akredituar në Kosovë. Thënë të vërtetën, unë gati në vazhdimësi e mbledh edhe rrushin e prodhueseve të tjerë privatë nga Rahoveci, me çmime të përshtatshme, vetëm që t’ju ndihmoj njerëzve të mi, sepse në mungesë përpunimi, jo rrallë do u shkonte rrushi i mbledhur dëm.

Vitin e kaluar me verën tonë dhe distribuimin jashtë, kemi zënë vendin e parë në Kosovë për eksport.

Por, ëndrrat e z.Gecaj, janë të lidhura shumë edhe me vendlindjen, fshatin Llukë e Ulët në komunën e Deçanit. Atje është vendi i lindjes të cilin aq shumë e do, po ashtu edhe një Kullë e lartë që ka filluar të hedh shtat që nga viti 2002.

Duke i parë kullat e rrënuara nga lufta gjenocidiale serbe në Kosovë, e edhe timen, do vendosi pas një bisede me arkitektin e mirënjohur, z. Beqir Berisha, që t’i hyj rrënimit të së vjetrës dhe ndërtimin e të resë, të cilën do e emëroj me emrin “Kulla e Bardhë e Shekullit XXI”.

Familja jonë e ka pasur Kullën e Vjetër mbi 200- vjeçare, dhe unë si i lindur dhe kaluar fëmijërinë në ambientet e traditës që kulla ngërthente në vete, si objekt kulti, krenarie, nderi, qëndrese dhe burrërie, kam ëndërruar dhe jetuar me kullën dhe pothuajse edhe frymuar me të. Një ndjenë e tillë, shton z. Gecaj, edhe pas emigrimit në SHBA, lidhur me Kullën vetëm sa m’u ka përforcuar dhe shtuar mu sikurse malli i pashuar për atdheun që s’më ka lënë asnjëherë.

Dhe kur i përjetova shpirtërisht rrënimin e gjithë atyre kullave si relikte historike me vlera të thella kombëtare anë mbanë Kosovës, vendosa që ta bëj të kundërtën, ta ndërtoj një kullë tjetër mbi themelet e të rrënuarës, Kullë kjo që në bazë të mendimit tim do të jetë unikale dhe do i qëndrojë kohërave. Njëherësh Kulla me stilin e saje do të gërshetonte antikën me të renë.

Kulla është katërkatëshe e ndërtuar nga guri më kualitativ i Bjeshkëve tëDeçanit (granit i kombinuar me mermer), me një fjale që shndrit në mënyrë të veçantë, ndërsa pjesa e brendshme e Odës së Burrave dhe dekorimet e tjera janë të bëra me një mjeshtri shumë të rrallë nga druri i tornituar, i sjellë nga Kroacia, ndërsa qylymët e stilit të vjetër i kam porositur dhe sjellë nga Shqipëria. Ka dritaret sikurse Kulla e Vjetër, por natyrisht më shumë për nga numri.

Pretendimet e mia ishin që kjo kulle të ketë një vlerë edhe muzeale po pse jo edhe atraksion turistik. Kullën time deri tash e kanë vizituar mijëra adhurues, duke përfshirë edhe kryetarë dhe kryeministrat e Kosovës dhe të Shqipërisë. Unë kam nipin tim, z.Hysen Gecajn, i cili me një përpikëri të veçante ka udhëhequr ndërtimin e Kullës, ndërsa tani e drejton edhe ndërmarrjen time në Rahovec, ”StoneCastle”. Ndërsa, tani Kullën e udhëheq nipi i im tjetër, z. Adem Gecaj dhe këtë e bën me shumë pasion.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat