Festë e madhe shqiptare për 12 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës në Borås të Suedisë

Diaspora

Festë e madhe shqiptare për 12 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës në Borås të Suedisë

Nga: Qerim Kryeziu Më: 17 shkurt 2020 Në ora: 12:16
Foto nga vendi i ngjarjes

Në traditën e kremtimeve për nder të 12 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës u mbajt në Borås të Suedisë një manifestim festiv impozant, në organizim të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, e në bashkëpunim me Zyrën Kulturore të Kosovës në Suedi. Bartëse e këtij manifestimi ishte Shoqata Kulturore Sportive ”Dardania” nga Borås.

Programi festiv u hap me vallen premierë të ansamblit të valleve të kësaj shoqate. Valltarët mahnitën të pranishmit me performancën e tyre. Më pas u luajtën edhe disa valle tjera me motive patriotike.

Fjalën përshëndetëse për të pranishmit në sallë që nuk ishin më pak se 800 veta, e paraqiti Lirim Kadriu. Në gjuhën shqipe e suedeze, Kadriu u dëshiroi argëtim të hareshëm mysafirëve dhe i falënderoi për pjesëmarrje.

Sekretari i parë i Ambasadës së Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Suedisë Fatmir Rrahmanaj në emër të ambasadores Shkëndije Sherifi-Geci, falënderoi për ftesën, uroi ditën e pavarësisë dhe përshëndeti të pranishmit në sallë.

Pastaj mori fjalën Prof.dr. Muhamet Shatrin. Dr. Shatri përshëndeti në cilësinë e zyrtarit ndërlidhës për shoqata dhe organizime kulturore pranë Qendrës Kulture të Kosovës në Suedi, që njëherë është edhe përfaqësi kulturore e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës për Suedi. Profesori përshëndeti ngrohtësisht organizatorët e këtij organizimi madhështor, zotërinjtë Muharrem Binakun, kryetarin e Shoqatës Lirim Kadriu si dhe përfaqësuesin e ambasadës së Kosovës në Suedi z. Fatmir Rrahmanaj.

Prof. Shatri përshëndeti përfaqësuesit suedezë që ishin të pranishëm në këtë event, zotëri Ulf Ulsson- kryetar i Komunës dhe Anette Karlsson nënkryetare e Komunës së Boråsit. Përmes këtyre dy përfaqësuesve suedezë, Shatri falënderoi Suedinë për përkrahjet dhe ndihmën që i ka dhënë Kosovës për këto 12 vite në rrugën e shtet ndërtimit. Në vazhdim Profesor Shatri, në emër ë Qendrës Kulturore të Kosovës përshëndeti edhe dy artistët e Estradës së Kosovës: Muhamet Sejdiun dhe Shkëlzen Jetishin, por edhe rapsodët e komunitetit shqiptar në Suedi: Dervish Kuqi, Skënder Berisha dhe Sherif Morina.

Në këtë manifestim vërtetë të përgatitur e madhështor foli edhe kryetari komunës, zotëri Ulf Ulsson, i cili uroi pavarësinë dhe përgëzoi organizatorët..

Pastaj vazhdoi hareshëm kremtimi. Në skenë u paraqitën rapsodët: Dervish Kuqi, Skënder Berisha dhe Sherif Morina me këngën për Pavarësinë e Kosovës.

Edhe më madhështore e bënë mbrëmjen festive dy artistët e mirënjohur Shkëlzen Jetishi dhe Muhamet Sejdiu të cilët me këngët e tyre bënë që mërgimtarët të këndojnë e të vallëzojnë së bashku deri vonë. Gëzimi i përbashkët, e bënte sallën të dridhej. Gëzimi për pavarësinë e republikës sonë të dashur çlironte energjitë e njerëzve mërgimtarë, bënte që hallet e dertet të harroheshin.

Fare në fund u shtrua një koktej rasti. Të gjithë pjesëmarrësit e këtij manifestimi, nga pionierët e deri të te moshuarit, dikur vonë u larguan të kënaqur dhe buzëqeshur prej haresë që u kishte sjellë Dita e Pavarësisë së Atdheut të tyre.

Ky event do kujtohet gjatë për pjesëmarrje masive, për organizim të mirë dhe për shijen e ëmbël që u la kremtimi dinjitar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat