3 mijë mjekë shqiptarë të punësuar në Europë

Diaspora

3 mijë mjekë shqiptarë të punësuar në Europë

Më: 21 shkurt 2020 Në ora: 00:47
Foto ilustrim

Tre mijë mjekë shqiptarë kanë zgjedhur të punojnë në Europë. Të dhënat u bënë publike nga një studim i Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Europë. Sipas tyre, shifra është edhe më e lartë, pasi jo të gjithë mjekët janë të regjistruar. Kushtet ekonomike dhe infrastruktura janë shkaqet kryesore të largimit të bluzave të bardha.

“Në Europë rezultojnë 3 mijë mjekë të punësuar, afro 1 mijë prej tyre janë në Gjermani ku është edhe vendi që ka më shumë interes”, thotë mjekja Elona Meta Haubrich.

Por, sipas ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, përballë këtij fenomeni,  Qeveria po përgatit një paketë të plotë mbështetëse për kthimin e mjekëve shqiptarë të diasporës.

“Bonusi dhe incentivat financiarë, mbështetje për strehim, lehtësi fiskale dhe një kontratë që do të përmbushë pritshmëritë që ju keni”.

Por mjekët specialistë që shërbejnë në sistemin tonë shëndetësor, ngrenë sërish probleme.

 “E gjithë vëmendja duhet të fokusohet se si t’i kthejmë këtë mjekë në Shqipëri. Por si mund të kthehet një mjek, kur që tek roja paguan për t’u futur. Unë kërkova një llambë në QSUT për sallën dhe u tallën. Mjekët që vijnë këtu duhet të jenë të fortë sepse do t’i hanë të gjallë”, shprehet kardiokirurgu Altin Veshti.

Jo vetëm largimi i mjekëve, por edhe infermierëve vijon të jetë problem në Shqipëri. Shoqata e Infermierëve përllogarit se gjatë një viti janë larguar afro 3 mijë infermierë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat