Biznismeni shqiptar nga Tokio: Japoninë nga koronavirusi po e shpëton tradita e higjienës

Diaspora

Biznismeni shqiptar nga Tokio: Japoninë nga koronavirusi po e shpëton tradita e higjienës

Më: 25 mars 2020 Në ora: 09:43
Biznesmeni shqiptar, Micky Haxhiislami

Biznesmeni shqiptar, Micky Haxhiislami, që jeton që 20 vjet në Japoni, thotë se kultura është ajo që këtë popull po e mban larg infektimit me koronavirus.

Japonia ka pasur 1140 raste të konfrimuara dhe 42 vdekje, sipas transmetuesit publik NHK.

Por, edhe pse jo shumë i përhapur japonezët kanë marrë masat e hershme.

“Lëvizje ka shumë pak edhe pse këtu s’është karantinë, por është vetizolim. Edhe këtu gjendja mund të përkeqësohet. Për momentin ka të bëjë edhe me kulturën dhe masat që u morën kur e patëm atë. Menjëherë i morën masat dhe i mbyllen shkollat. Në punë shkohet edhe pse shumica e kompanive thonë të punojnë nga shtëpia”.

“Duhet të rrimë të mbyllur dhe të dalim për vetëm nevoja të madhe. Megjithatë është dhimbje e madhe çka po ndodh në Europë”.

Haxhiislami thotë se një zakon i përhershëm i japonezëve ka luajtur rol të madh në mospërhapjen e virusit.

“Në Japoni bartja e maskës është shumë e kahmotshme dhe maska është një preventivë shumë e qëlluar. Te ne në Kosovë s’preferohet fare. Të vendosesh maskë, te ne injorohesh. Kjo kulturë ka luajtur një rol të madh”.

“Japonezët janë një popull që i kushtojnë shumë rëndësi higjienës personale. Është i vetmi popull që edhe pse e shfrytëzojnë shumë transportin publik, aty nuk vjen kurrë erë e keqe”.

“Masat janë duke u marrë me seriozitet. Edhe kryetarja e Tokios tha se kryeqyteti duhet të shkojë në krantinë së shpejti. Shpresoj që nuk do ta kemi një rast siç po shohim në Itali dhe Spanjë”.

Mirëpo, si është gjendja e shqiptarëve në Japoni?

“Ne në gjithë Japoninë jemi 100 shqiptarë. Si një pikë uji në oqean në mesin e 127 milionë banorëve të Japonisë. 30 jemi në Tokio dhe prej tyre 24 janë nga Shqipëria. Ata si duket mirë janë. Të gjithë janë në vetizolim dhe po presin që të kalojë kjo situatë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat