Gazetën e Diasporës - Lazim Destani: Dhoma e Biznesit të Diasporës të bëhet advokues i investitorëve - Bota Sot
Gazetën e Diasporës - Lazim Destani: Dhoma e Biznesit të Diasporës të bëhet advokues i investitorëve

Diaspora

Gazetën e Diasporës - Lazim Destani: Dhoma e Biznesit të Diasporës të bëhet advokues i investitorëve

Nga: Beqir Sina Më: 4 prill 2020 Në ora: 18:53
Lazim Destani dhe Bill Klintoni

(Gazetën e Diasporës - Prill 5 , 2020) : Sipërmarrësi i suksesshëm shqiptar në Diasporë, Lazim Destani, në një intervistë dhënë për Gazetën e Diasporës, vë theksin tek domosdoshmëria e krijimit të një klime të përshtatshme biznesi për investime në tregun shqiptar.

”Duhet të vlerësohet pa emocione dhe mbi bazën e rrethanave konkrete. Stabiliteti politik, fuqia e institucioneve e veçanërisht gjyqësorit, paanshmëria e autoriteteve, mundësia për të hyrë në biznes me kushte të barabarta, konkurrenca e ndershme, mbrojtja e pronës dhe kapitalit e deri tek shmangia e korrupsionit, janë parakushte institucionale”.

Z. Destani si do të ndikojë pezullimi i shumë aktiviteteve për shkak të COVID-19 te sipërmarrësit, biznesmenët dhe investitorët shqiptarë?

Padyshim që pandemia e shkaktuar nga Covid – 19 po ndikon mbi ekonominë globale dhe pashmangshmërisht edhe në rajonin tonë, në vendet tona. Kjo situatë sigurisht që do të sjellë pasoja te të gjithë agjentët ekonomik (individë, kompani, sipërmarrës, investitorë…), te të gjithë do të ketë ndikim të madh negativ ekonomik dhe financiar. Askush nuk mund ta parashikojë se në çfarë mase do të jetë ky ndikim por që dëmi do të jetë i madh, nuk ka dyshim. Në radhë të parë, nuk dihet sa do të mbajë kjo gjendje, pastaj cilën anë të ekonomisë do ta godasë më shumë – atë të kërkesës dhe konsumit apo të investimeve dhe prodhimit. E keqja është se goditjet e para do t’i japin efektet e tyre anësore e zinxhirore duke i përçuar ato tek sektorët e tjerë të cilët tash në këtë fazë nuk duken të prekur drejtpërdrejt.

Sidoqoftë, edhe në të kaluarën ka pasur situata të këtilla, të shkaktuara nga pandemi të ndryshme apo luftëra duke i sjellë dëme jashtëzakonisht të mëdha ekonomisë globale por të gjitha janë tejkaluar, edhe kjo tash do të kalojë.

E kam një përshtypje se ne shqiptarët do ta kalojmë më lehtë se shumë vende të tjera. E them këtë duke pasur parasysh mentalitetin apo natyrën tonë të biznesit, ne jemi shumë risk-marrës, nuk llogarisim shumë mbi rreziqet, bëjmë vendime të shpejta, pastaj kemi natyrën tonë të imunitetit ekonomik (vuajtje të shumë krizave). Afaristët tanë shpeshherë krizat i shikojnë si oportunitete dhe pas tyre dalin edhe më të fuqishëm. Do të doja edhe pas kësaj krize të ndodh kjo.

Dhe çfarë mendoni se mund të ofrojë Dhoma në këto kushte te reja?

Në këto rrethana Dhoma e Biznesit të Diasporës për çdo ditë duhet të analizojë situatën e anëtarëve të saj dhe jo vetëm! Ajo çfarë mendoj se mund të bëjë Dhoma tani është këshillimi i bizneseve se si mund të veprojnë në këtë situatë, apo bashkëpunimi me institucionet shtetërore për t’ua bartur atyre eksperiencat nga vendet ku operojnë, pra se si mbahet gjallë fryma e biznesit në këto kushte.

Dhoma gjithashtu mund të bëjë koordinimin e bizneseve për sinergji bashkëpunimi midis anëtarëve dhe më gjerë. Mund të ndihmojë në riorientimin e bizneseve sipas rrethanave aktuale, p.sh. prodhuesit e tekstileve t’i orientojë drejt prodhimit të maskave apo artikujve të tjerë që kanë nevojë spitalet, apo prodhuesit e këpucëve për eksport të prodhojnë këpucë për policinë e ushtrinë.

Dhoma duhet në shkallë ditore të komunikojë me Institucionet në mënyrë që bizneseve t’u hiqen bllokadat apo pengesat, t’u hapen atyre kanalet e furnizimit dhe shitjeve me shtetet fqinje e më gjerë. Perimetri i veprimit të Dhomës mund të ishte shumë i gjerë por kjo varet nga kapaciteti, ndërsa kjo Dhomë është krijuar shumë shpejt për të pasur një kapacitet të tillë. Megjithëkëtë, në këtë situatë, edhe hapat e vegjël ndihmojnë shumë.

Z. Destani a hezitojnë sipërmarrësit shqiptarë për të investuar në vendlindje?

Sigurisht që dëshira e shqiptarëve nga diaspora për të investuar në Shqipëri, edhe për motive patriotike dhe emocionale, ekziston. Por duhet nënvizuar se vendimet afariste të investitorëve seriozë nuk bëhen pa u analizuar detajisht rrethanat, duke filluar nga zhvillimi i idesë, plani i biznesit, analiza e riskut dhe shumëçka tjetër. Do të thoja se tek sipërmarrësit shqiptarë ndihet hezitim. Por siç po lëvizin gjërat, pra themelimi apo krijimi i strukturave të reja institucionale gjatë kohëve të fundit, jep shumë shpresë për shmangien e hezitimeve, duke dhënë shenja të dukshme për krijimin e kushteve të favorshme për investime.

Si e shihni ju realitetin e investimeve në Shqipëri ?

Unë edhe mund të kem mirëkuptim për realitetin e klimës së biznesit në Shqipëri. Por kur duhet të vlerësohet pa emocione dhe mbi bazën e rrethanave konkrete, fillohet nga stabiliteti politik, fuqia e institucioneve e veçanërisht gjyqësorit, paanshmëria e autoriteteve, mundësia për të hyrë në biznes me kushte të barabarta, konkurrenca e ndershme, mbrojtja e pronës dhe kapitalit e deri tek shmangia e korrupsionit, janë parakushte institucionale. Pastaj vijnë edhe aspektet e faktorëve ekonomikë si madhësia e tregut, fuqia blerëse, sistemi bankar, tatimor etj. Megjithatë, unë të ardhmen e trojeve tona e shikoj me optimizëm të madh dhe pres që së shpejti të ndyshojnë gjërat në drejtimin e duhur, të ketë investime, zhvillim ekonomik dhe cilësi jetese më të mirë.

Çfarë mund të përmirësohet?

Mendoj se shumë gjëra mund të përmirësohen, por baza fillon me barazinë ekonomike dhe shanset e barabarta. Kjo është kryesorja. Nuk ndihmojnë vetëm tatimet e ulëta, duhet bërë më shumë në këtë drejtim. Në Gjermani ne paguajmë taksa tri herë më të larta (aktualisht paguajmë rreth 42% tatim personal), por nuk ka “tatime të padukshme”. Më mirë shteti të rrisë tatimet dhe me këtë rast edhe pagat, e të mos ketë “tatime të padukshme”. Pastaj, një nga një të evitohen të gjitha pengesat apo parregullsitë siç i përmenda më sipër.

Ju si e shihni rolin e Dhomës së Biznesit të Diasporës në këtë proces?

Dhoma e Biznesit të Diasporës mund të bëjë shumë në këtë drejtim – nga krijimi i klimës së biznesit, evidentimi dhe përcjellja e të gjitha pengesave për investitorët konkretë tek institucionet, të bëhet advokues institucional i investitorëve tek institucionet dhe publikisht t’i paraqesë rastet e pengesave për të ndikuar në bindjen e investitorëve dhe tërheqjen e investimeve nga jashtë. Madje investitorët e huaj mund t’i ndihmojë më shumë, pasi ata e kanë më të vështirë përshtatjen me rrethanat dhe kulturën tonë ballkanike.

Çfarë këshille do t’i jepnit atyre që sot dëshirojnë të ndjekin të njëjtën rrugë që ndoqët ju, emigrimin?

Emigrim ka pasur gjithmonë dhe do të vazhdojë të ketë. Nuk është se kjo ndodh vetëm me ne shqiptarët. Rruga e emigrimit e brezave më të hershëm, si ne që kemi emigruar për kafshatën e bukës, ishte shumë më e vështirë në krahasim me të sotmen. Një letër arrinte të dërgohej e të kthehej për 2-3 muaj. Sot është krejt ndryshe. “Buka e kurbetit” asokohe ka qenë shumë e hidhur. Por edhe sot, në Perëndim, nuk rrjedh “mjaltë e qumësht”. Atje duhet shumë punë për të jetuar mirë. Nëse një i ri punon këtu, me të njëjtin përkushtim si në Perëndim, mund të fitojë e të jetojë po aq mirë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat