Rekuim për Rexh Xhakli - Bota Sot
Rekuim për Rexh Xhakli

Diaspora

Rekuim për Rexh Xhakli

Nga: Shaqir Salihu Më: 7 prill 2020 Në ora: 14:34
Rexh Xhakli

Me pikëllim të thellë mësova se atdhetari i madh i çështjes sonë kombëtare Rexh Xhakli u shuajt në moshën 81-vjeçare në New York. 

Rexh Xhaklin e kam njohur qysh në bankat e shkollës së mesme, në gjimnazin Ivo Lola Ribar, në Prishtinë, në fund të viteve 50 dhe fillim të viteve 60. Rexh Xhakli ishte atdhetar i palëkundur. I bëri ballë UDB-së famëkeqe të policisë serbe. U përball me burgjet sllave dhe u torturua nga policia e UDB-së, por kurrë nuk u përkul. 

Kontributi i Rexh Xhaklit në shërbim të çështjes sonë kombëtare është i madh. Ai ndihmoi shumë financiarisht, politikisht dhe moralisht në krijimin e shtetit të dytë shqiptar, Kosovës. Kosova ishte me fat të madh që pati një njeri si Rexh Xhaklin në SHBA. Ai ishte shumë aktiv në çështjen e Kosovës. Ka qenë motori kryesor në financimin e lëvizjeve dhe veprimtarive të ndryshme kombëtare. Unë, për 60 vjet me radhë kam mbajtur dhe kultivuar miqësinë me të. Do të më mungojë shumë. 

Me këtë rast u shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta tërë familjes Xhakli, posaçërisht bashkëshortes, Shpresës, e cila u kujdes për të dhe i qëndroi pranë me përkushtim të madh gjatë viteve të fundit, kur Rexha ishte i sëmurë! Ngushëllime të ndiera gjithë miqve dhe bashkatdhetarëve që e kanë njohur dhe që kanë bashkëpunuar me Rexhën! I lehtë qoftë dheu i tokës së Lincoln-it mbi shqiptarin e madh!

Në fotografi Rexh Xhakli, Mark Gjonaj, anëtar i Këshillit të Bashkisë së New York-ut dhe Shaqir Salihu, gjatë një darke me rastin e shënimit të 20-vjetorit të themelimit të gazetës “Illyria” në New York, më 2011.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat