Njihuni me prishtinasen që ka kryer një studim të madh rreth coronavirusit në Amerikë - Bota Sot
Njihuni me prishtinasen që ka kryer një studim të madh rreth coronavirusit në Amerikë

Diaspora

Njihuni me prishtinasen që ka kryer një studim të madh rreth coronavirusit në Amerikë

Më: 30 prill 2020 Në ora: 10:11
Dr. Zana Blaku-Tanushi

Kontributi i komunitetit shqiptar në luftën globale kundër pandemisë COVID-19 është për t’u vlerësuar lartë. Studimi me i fundit dhe më kredibil, në bazë të organizimit, strukturës së studimit dhe numrit të pacientëve, për efektin e terapisë anti-virale, Remdesivir, ndaj COVID-19 tregoi rezultate premtuese, bazuar në analizat preliminare. Ky studim u sponzorua nga Instituti Nacional për Alergji dhe Sëmundje Infektive (NIAID), pjesë e Instituteve Nacionale të Shëndetësisë të SHBA (NIH).

Studimi nuk ishte i hapur për publikun deri dje, dhe kjo është arsyeja pse nuk ishit në dijeni që aspekti i tij farmaceutik për Qendrën Klinike të Institucionit Nacional të Shëndetësisë (NIH) u drejtua nga Dr. Zana Blaku-Tanushi, që është me origjinë nga Prishtina.

Dr. Zana Blaku-Tanushi punon si farmaciste klinike në fushën e kërkimeve shkencore në mjekësi, në qendrën klinike të Institutit Nacional të Shëndetësisë (NIH).

Sipas Dr. Blaku-Tanushi, edhe pse rezultatet janë ende preliminare dhe duhet të bëhet analizë e plotë e të gjitha të dhënave, ky është një hap premtues drejt krijimit të një armamentariumi efektiv në menaxhimin e këtij virusi. Remdesivir është një antiviral, prodhuar nga GILEAD Sciences, Inc, i cili është një analog nukleozid, konkretisht një analog i adenozines tre-fosfate (ATP), i cili futet në zinxhirët e ARN-së virale, duke shkaktuar ndërprerjen e tyre të parakohshme.

E lindur në Prishtinë, Dr. Blaku-Tanushi mbërriti në Shtetet e Bashkuara në 1999 si refugjate nga Kosova. Pasi mbaroi shkollën e mesme në New York, ajo u regjistrua në Universitetin St. John’s në Nju Jork, ku përfundoi studimet Bachelor në Farmaci, dhe më pas vazhdoi në Programin e Doktoraturës në Farmaci në po të njëjtin Universitet. Pasi përfundoi studimet e doktoratës, ajo filloi praktiken në Spitalin Montefiore, Spitalin Universitar për Kolegjin e Mjekësisë Albert Einstein, ku iu ofrua pozita e përhershme sapo mbaroi praktikën. Pas disa viteve të kontributit, ajo u promovua në një pozitë të Farmacistit Kërkimor brenda Sistemit Mjekësor Montefiore.

Puna e saj hulumtuese tërhoqi vëmendjen e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë, që i ofruan pozitën e Farmacistit Klinik në Kërkimet Shkencore në Mjekësi në Bethesda, Maryland, ku edhe punon që nga viti 2017.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat