Përvoja e një çifti ndër-racor, jeta e çiftit shqiptaro-nigerian në Uashington DC - Bota Sot
Përvoja e një çifti ndër-racor, jeta e çiftit shqiptaro-nigerian në Uashington DC

Diaspora

Përvoja e një çifti ndër-racor, jeta e çiftit shqiptaro-nigerian në Uashington DC

Më: 22 qershor 2020 Në ora: 08:57
Jonida dhe Namdi

Protestat pas vdekjes së George Floyd në duart e policisë, nxjorrën përsëri në pah betejën e dhimbshme për barazi racore në Shtetet e Bashkuara. Por, çdo të thotë të ndeshesh me problemet racore në një kontekst më personal – me çfarë vështirësish përballet një çift dy-racor në Amerikë? Jonida Spahija dhe bashkëshorti i saj Nnamdi Nwachukwu (Nuaçuku) ndanë përvojën e tyre me Rudina Dervishin e Zërit të Amerikës.

Jonida dhe Namdi, një çift shqiptaro-nigerian në Uashington DC, i dinë mirë vështirësitë dhe sfidat që sjell një martesë dy-racore. Marrëdhënia e tyre kaloi ditë të errëta në fillimet e saj, pasi u refuzua për një kohë të gjatë nga prindërit dhe familja e Jonidës.

“U rrita në një familje tradicionale myslimane nga Shkodra. Kisha udhëzime të qarta edhe pse të pathëna qe të martohesha me dikë nga veriu dhe nga e njëjta fe. Sigurisht, nuk u nisa me synimin të gjeja dikë që do të ishte komplet e kundërta. Gjeta një njeri të mirë me të cilin ndërtova miqësi dhe filluam të dilnim që në kulturën tonë nënkupton martesën (qesh)” thotë Jonida për Zërin e Amerikës.

“Nuk më pranuan që isha partneri i saj, derisa lindi vajza. Në atë kohë kishim qenë bashkë për gati tetë vjet. Imagjinoni të jesh në një marrëdhënie ku jeton vetëm pesë minuta larg nga prindërit e bashkëshortes, për të cilët unë nuk ekzistoja”, thotë Nnamdi për Zërin e Amerikës.

Jonida thotë se  iu desh të bënte një jetë të dyfishtë për një kohë të gjatë duke u përpjekur të menaxhonte veças dy gjëra shumë të shtrenjta për të, Namdin dhe familjen e  saj.

“Kam vepruar me një mentalitet të heshtur që nuk më shërbeu në aspektin afat-gjatë. Në retrospektivë e di  që nuk mund ta përsëris atë gabim. Ja ku jemi tani. Të gjithë po  i rishikojmë marrëdhëniet racore dhe po i analizojmë në një kontekst shumë më të gjerë se  martesa, në shoqëri, dhe kudo në realitet”.

Bashkëjetesa me Namdin e ka bërë Jonidën të dallojë më thellë “privilegjin e të qenurit e bardhë” edhe pse dikur mund të mendonte se si imigrante ishte qytetare e klasës së dytë. Ajo ka qënë dëshmitare e disa incidenteve ku Nnamdi ka qënë objekt i kontrollit policor, thjesht për faktin e ngjyrës.

“Unë isha në sediljen e  shoferit kur polici më ndaloi dhe i kërkoi Namdit liçensën, pa m’u drejtuar mua që kisha bërë shkeljen….

“Ai i zbaton rregullat si asnjë tjetër. Unë, si shqiptare, provoj t’i thyej. Gjithmonë provoj limitet, por jo ai.  Tani e  kuptoj arsyen. Ai nuk guxon t’i thyejë, pasi për të, kjo mund t’i kushtojë jetën. Për dikë tjetër, jo me atë ngjyrë, nuk është e njëjta gjë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat