Quni e Veliu të reagojnë, Hyseni të dorëhiqet - Bota Sot
Quni e Veliu të reagojnë, Hyseni të dorëhiqet

Diaspora

Quni e Veliu të reagojnë, Hyseni të dorëhiqet

Nga: Shukri Ymeri Më: 8 gusht 2020 Në ora: 12:39
Anton Quni

Lobi Euro-Atlantik Shqiptar, kërkon urgjentisht nga të gjitha institucionet e Kosovës, që të reagojnë për cenimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë. Provokimi i djeshëm i forcave serbe që kanë ndërhyrë në territorin e Kosovës duhet të marrë përgjigje nga ana e institucioneve të Kosovës dhe Bashkësia Ndërkombëtare. 

I bëjmë thirrje Ministrit të Mbrojtjes z. Anton Quni, Ministrit të Punëve të Brendshme z. Agim Veliu, që menjëherë të shkojnë në Karaçevë për ti siguruar banorët e asaj pjese, që ngjarje të tilla nuk do të përsëriten më dhe se institucionet e Republikës së Kosovës, në mbrojte të Kushtetutës do ti përgjigjen sipas ligjit incidenteve të tilla. 

Komunitetit ndërkombëtar, duhet bërë me dije, se Kosova nuk mund të ftohet në asnjë lloj procesi dialogu me Serbinë, kur kjo e fundit terrorizon qytetarët e Kosovës, provokon konflikt dhe vazhdon me fushata të organizuara kundër subjektivitetit të shtetit të Kosovës. Edhe riaktualizimi i fletarrestimeve të paligjshme ndaj luftëtareve të lirisë, që po ndodhë kohëve të fundit është një mesazh i qartë nga Serbia që nuk e interesuar për dialog dhe fqinjësi të mirë. 

Serbia agresore është e njëjta dhe nuk ka ndryshuar qëndrim ndaj shqiptarëve të Kosovës, është e interesuar për vazhdimin e dhunës ndaj Kosovës në të gjitha mundësitë që ka. Në anën tjetër Qeveria e Kosovës, është duke dështuar në mënyrë spektakolare ndaj kësaj ofensivë. Për më keq koordinatori i caktuar për dialog, z Skënder Hyseni, e ka treguar padijeninë e tij për kontekstin historik dhe politik të Kosovës kur e ka krahasuar Kosovën me raste që nuk kanë asgjë të përbashkët me ne. Andaj për këtë skandal të skajshëm, e kërkojmë dorëheqjen e tij dhe një kërkim faljen, sepse deklarata e tij është shkelje e rëndë e Kushtetutës, vendimit të GJND-së dhe sakrificës shekullore të shqiptarëve të Kosovës për liri dhe pavarësi. 

Shukri Ymeri

Kryetar i Lobit Euro-Atlantik Shqiptar

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat