Poet, patriot dhe reformator i kulturës shqiptare

Diaspora

Poet, patriot dhe reformator i kulturës shqiptare

Nga: Dedë Preqi Më: 8 gusht 2020 Në ora: 12:53
Kopertina

(Baki Ymeri është poet, patriot dhe reformator i kulturës shqiptare. Te personaliteti i këtij malësori, dallojmë një shpirt fisnik dhe zemër bujare, që është i mishëruar me fijet e fildishta të atdhedashurisë. Zbulimet e tij janë një ndihmesë e madhe që do t‘u çelin rrugë edhe autorëve tjerë, të gjurmojnë, studiojnë dhe krijojnë një bibliotekë të re të korpusit tonë kulturor, shkencor dhe patriotik.)

Më pëlqejnë njerëzit që lexojnë, komunikojnë dhe shkruajnë. Artikujt dhe librat e botuar, përfaqësojnë një provokim magnetik që përhapin dritën e diturisë. Dihet se Bukureshti historikisht ishte një vatër e zjarrtë e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, përmes së cilës kanë vepruar shumë veprimtarë dhe dijetarë të shquar të kulturës dhe letërsisë sonë në mërgatë. Veprat e tyre frymëzuan gjenerata të tëra, dhe ato i vazhduan edhe veprimtarë të tjerë, siç vepron sot, poeti, publicisti dhe përkthyesi Baki Ymeri. Këtë njeri do ta quaja iluministi shqiptar i Bukureshtit të ditëve tona, i një atdhetari të zellshëm dhe krijues i palodhshëm që lë gjurmë në botën magjike të letrave shqipe. Ai është bërë shembull i shkëlqyer për gjeneratat e reja, për ta vazhduar imazhin tonë në funksion të vazhdueshëm, që të mos ndërpriten asnjëherë urat e miqësisë kulturore ndërmjet popujve si vlera të vjetra dhe tradicionale.

Krejt aktiviteti i B. Ymerit është një gërshetim ndërmjet brishtësisë dhe forcës. Duke e studiuar veprimtarinë e tij, konstatojmë se malësori i Sharrit aspiron për një punë të frytshme dhe kolosale, me mbresa të pasura letrare, atdhetare dhe intelektuale. Autori përqëndrohet ekskluzivisht në tema të angazhuara, sepse shtypit i nevojiten reportazhet, intervistat dhe portretet e veteranëve dhe krijuesve tanë, jo vetëm në diasporë. Në spektrin tematik ballafaqohemi me tema shumë interesante vlerash të dobishme. Lënda e tyre mund të imponohet dhe përjetohet si një e vërtetë aktuale dhe e përhershme, si një botë magjike që gjakon pas esencave të natyrës njerëzore, duke aspiruar me tërë qenjen e vet, prej një arkitekti dhe mjeshtri të urave të shëndetshme të miqësisë kulturore ndërmjet gjuhëve, njerëzve dhe popujve.
Përmes shkrimeve të tij, gjen gjurma shqiptare në Bukuresht, Krajovë, Konstancë, Brailë e gjetiu. Dëshmi është portali i Zemrës Shqiptare, Botës sot, Gazetës Nacional, Gazeta Kritika, Fjala e Lirë, Republika, Gazeta Ditore etj. Autori ka një garsonierë të vogël të ngarkuar me vlera të vjetra e të rralla (koleksione të pasura librash, letrash, gazetash, revistash, dorëshkrimesh, fotografishë). Shumicën e artikujve dhe materialeve që ka botuar dhe i boton sot e kësaj dite nëpër gazeta e revista të ndryshme shqiptare, përveç se e pasurojnë kartotekën tonë kulturore, autori investon edhe elemente tjera të nevojshme, duke gjurmuar vlera të panjohura të autorëve të mëdhenj të rilindësve tanë, sidomos kur vjen fjala për kryeveteranin e atdhetarizmit shqiptar në Rumani, Nikolla Naço-Korça. Zbulimet e tij janë një ndihmesë e madhe që do t‘u çelin rrugë edhe autorëve tjerë, të gjurmojnë, studiojnë dhe përfeksionojnë një bibliotekë të re të korpusit tonë kulturor, shkencor dhe patriotik, me studime, fejtone e libra shumë të rëndësishme.

Baki Ymeri është pjesë aktive e disa simpoziumeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, veprimtar i dalluar i Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë, iniciator për themelimin e Shoqatës së Miqësisë Rumuno-Shqiptare, kryeredaktor dhe editor i revistave „Shqiptari“ dhe „Kosova“ në Bukuresht. Nja dy filoserbë të Rumanisë e kanë sulmuar në shtyp, duke e shpallur „irredentist“ pse militon për kauzën kosovare në shtypin rumun. Një butak tjetër deshi ta hedhë në gjyq pse e demaskoi në shtyp, por poetët i mbron Zoti dhe engjëjt. Veprimtaria e Baki Ymerit është plot e përplot me aktivitete të rëndësishme të kulturës dhe letërsisë, i cili nuk rendi pas famës, por madhështinë kombëtare e arriti duke synuar gjithmonë qëllimet parimore për një moral ideal, që përmes sakrificave e përjetimeve të ndryshme të kohës, të fitohet liria njerëzore si një fitore e brendshme dhe e jashtme e njeriut, duke i dhënë prioritet komunitetit shqiptar të Rumanisë, mërgatës sonë, afirmimit të Kosovës letrare dhe lirisë sonë kombëtare.

Baki Ymeri vjen nga Shipkovica e bukur që shtrihet në zemër të Sharrit. Rrjedh nga një familje fisnike e bujare. I ati i tij ishte një veprimtar i flaktë i kolonisë shqiptare të Bukureshtit, ndërsa e ëma e tij, iu adaptua ambientit shqiptar që e deshti me gjithë zemër, paralelisht me gjuhën shqipe, traditat tona dhe flamurin shqiptar. Pushtuesi sllav në trojet shqiptare gjithherë i kishte në shënjestër dhe i përgjonte ata të cilët nuk pajtoheshin me robërinë dhe zgjedhën e huaj, e një ndër ta ishte edhe i biri i Ajvaz Vokës, një intelektual liridashës që nuk do të pajtohet kurrë me robërinë e pushtuesit të egër, me ç’rast akuzohet dhe denohet nga Gjykata komuniste e Shkupit me 6 vjet burg të rëndë „për veprimtari armiqësore kundër pushtetit socialist jugosllav“ (1976). I ndjekur nga pushteti i asaj kohe, Bakiu duhej të largohet nga vendlindja e tij, duke u vendosur fillimisht në Vienë a pastaj në Bukuresht, por aktiviteti i këtij djaloshi në shërbim të lirisë dhe atdheut nuk ndalet kurrë. Themi djalosh, edhe pse më 1 Gusht të këtij viti i mbushi 71 pranvera. Që nga viti 1971 e deri më sot, ka bashkëpunuar dhe bashkëpunon pa ndërprerë me shtypin shqiptar të Kosovës, Maqedonisë, Shqipërisë dhe mërgatës shqiptare, por edhe me shtypin e huaj, posaçërisht me atë rumun.

Nëse doni të shkoni në Bukuresht, pregadituni për një udhëtim të mbarë me ballin lart. Atje do gjeni një bibliotekë fantastike, ndoshta më të pasurën në diasporë, siç qe shprehur diplomati Avni Dervishi para disa vitesh. Duke e përvetësuar me shumë sukses gjuhën rumune, qysh para 40 vitesh, Bakiu iu rek përkthimit të letërsisë shqipe në gjuhën rumune dhe anasjelltas, duke përkthyer mbi 50 autorë të njohur shqiptarë, duke dhënë dhe kontribute tjera të panumërta në publicistikë. Rëndësinë e përkthimeve e përmendin edhe një numër i konsideruar intelektualësh tanë nga Kosova dhe Shqipëria. Pas studimeve (Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Kosovës në Prishtinë), vazhdoi specializimin në Vjenë dhe Bukuresht (1974/75), duke jetuar e krijuar edhe sot e kësaj dite në kryeqytetin e Rumanisë, duke dhënë me notën brio provimet dhe referatet e doktoratës (Relacione kulturore rumuno-shqiptare), duke vazhduar traditën e rilindësve tanë në këtë vend, duke dhënë një kontribut të çmuar për çështjes shqiptare në vendin ku rilindësit tanë bënë përpjekje titanike për përhapjen e zjarrit të pashuar të atdhedashurisë shqiptare.

Baki Ymeri e ka dëshmuar me vepra konkrete veprimtarinë e vet, duke e gërshetuar jetën e tij me çështjen fisnike të atdhetarizmit shqiptar. Ky njeri, tërë jetën vet ia kushtoi kësaj kauze sublime, pa heshtur dhe pa u lodhur. Intelektualët rumunë, e quajnë Poet i dashurisë, Shqiponja e Dardanisë në trojet rumune, Mik i madh i kulturës, Dashamir i njerëzimit. Te personaliteti i këtij malësori, dallojmë një shpirt fisnik dhe zemër bujare, që është i mishëruar me fijet e fildishta të atdhedashurisë. Te ky njeri e gjejmë edhe një karakteristikë të jashtëzakonshme si kundërshtar i madh i ekstremizmit fetar. Relacionet e shqiptarit me Zotin janë shumë të rëndësishme për të mbajtur gjallë vlerat shpirtërore që na i falën të parët tanë. Baki Ymeri ka një përvojë të gjatë e të pasur prej mërgimtari, duke përjetuar ngjarje të ndryshme në kushtet dhe rrethanat e vështira, gjithmonë duke tentuar të bëjë diçka pozitive, duke mos ndenjur duarkryq, duke bërë atë që është e mundshme për të mirën e çështjes kombëtare.
Artikujt e botuar të autorit janë vlera mbi vlera. Ato shënojnë thesarin e letrave shqipe, të cilat kanë valenca studimi dhe mësimi. Kështu krijohet respekti, krenaria dhe nderi.

Baki Ymeri është zëri i vetëdijes sonë kombëtare në diasporë. Bukuria e shpirtit të tij s’ka limit, sepse kush preokupohet për Atdheun, do të mbetet përjetësisht në memorjen tonë e të gjeneratave të ardhshme. Bashkëpunimi kulturor midis dy vendeve mike ishte shumë i hershëm. Ndërmjet shqiptarëve dhe rumunëve, faktorët objektivë dhe aktivë i dëshmojnë librat, broshurat, abetaret, gazetat dhe dokumetet e vjetra të rilindësve tanë, që sot i shpalos me një kujdes të madh publicisti dhe atdhetari Baki Ymeri. Dokumentet dhe fotografi e artikujt mbi gazetat e vjetra shqiptare që na i sjell, shndërrohen në faktorë të jashtëzakonshëm të bashkëpunimit pozitiv në planin kulturor dhe miqësor ndërmjet dy vendeve. Prandaj, edhe kjo formë e bashkëpunimit kulturor do të ndikojë që Rumania ta njohë Kosovën sipas rekomandimeve të Bashkësisës Europiane, si shtet të pavarur, të lirë dhe sovran. (Fragment)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat